Nis faza më e rëndësishme e hapjes së Europës, ja vendet që nisin turizmin

98

Jeta në Europë ka nisur fazën më të rëndësishme të kthimit në normalitet pas një bllokimi pothuajse dymujor për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Italianët shijuan për herë të parë pas dy muajsh ushqimet e restoranteve të hënën, pasi vendi lehtësoi kufizimet e tij, duke hapur baret, restorantet dhe kafenetë për biznes, si dhe bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan për vizitorët.

Gjithçka në distancë fizike nga klientët e tjerë. Një pjesë e vogël e vizitorëve, përfshirë murgesha, ishin radhitur jashtë Shën Pjetrit për herë të parë që nga 10 marsi.

Oficerët e Policisë me maska për fytyrën kontrollonin temperaturën e njerëzve para se t’i lejonin të hynin. Meshat në kishat në të gjithë Romën gjithashtu rifilluan. Adhuruesit u ulën në shtresat e dezinfektuara. Gondolierët e Venecias, të cilët mbanin maska për fytyrën, lëviznin udhëtarët përgjatë “Grand Canal”, ndërsa nënat me fëmijë të vegjël u ulën në kafene me pamje nga Rialto.

Kryeministri Giuseppe Conte e përshkroi përfundimin e frenimit kombëtar si një “rrezik të llogaritur”. Italia ishte vendi i parë europian që kaloi në bllokim të plotë, më shumë se dy muaj më parë.

Tani po kthehet në një gjysmë normaliteti, pas rreth 32,000 vdekjesh. Ekonomia e saj është tkurrur me 10 për qind. Vende të tjera europiane bënë të njëjtën gjë të hënën. Spanja tregoi se do të lejonte që turistët të ktheheshin nga fundi i qershorit dhe Polonia lejoi që restorantet të rihapeshin si pjesë e fazës së tretë të lehtësimit të bllokimit.

Greqia mirëpriti vizitorët e parë përsëri në Akropol. Punëtorët në maska dhe mburojat plastike të fytyrës qëndruan përreth zonës arkeologjike në Athinë, duke kujtuar njerëzit të mbanin distancën sociale. Vendi ka regjistruar vetëm 156 vdekje nga Covid-19.

Presidentja Katerina Sakellaropoulou vizitoi Akropolin të hënën dhe e përshëndeti atë si “një monument botëror që vazhdon të frymëzojë me mermerët e tij që shkëlqejnë nën diell”.

Grekëve tani u lejohet të udhëtojnë lirshëm dhe të vizitojnë dy ishujt më të mëdhenj të vendit, Kretën dhe Evian. Qendrat tregtare dhe kopshtet zoologjike janë rihapur, së bashku me ambientet sportive për ata të moshës mbi 13 vjeç.

Rekomandohet mbajtja e maskave, por nuk është e detyrueshme, përveç në autobusë dhe trena. Në Spanjë, pothuajse tre të katërtat e vendit përparuan në fazën e dytë të lehtësimit të bllokimit.

Miliona njerëz ishin në gjendje të takoheshin në grupe deri në 10 dhe të hanin një vakt në tarraca restoranti. Në Valencia, kamerierë me maska fytyre shtruan tavolina me pamje nga plazhi i komunës. Ministri i transportit, Jose Luis Abalos, tha se vendi do të përfundojë kufizimet e karantinës dyjavore në fund të qershorit dhe do të rihapë plotësisht kufijtë e tij.

“Nga fundi i qershorit, ne do të fillojmë aktivitetin e turizmit, shpresoj”, tha Ábalos. “Ne duhet ta bëjmë Spanjën një vend tërheqës nga pikëpamja shëndetësore”. Rajoni i Madridit dhe zona metropolitane e Barcelonës mbetet në fazën paraprake të “kalimit drejt normalitetit të ri”.

Ministria e Shëndetësisë tha se pavarësisht “përparimit të madh” brenda dhe rreth kryeqytetit, rajoni nuk do të jetë në gjendje të bashkohet me 70% të vendit në fazën tjetër. Njerëzit në Barcelonë dhe pjesë të rajonit Castilla y Leon gjithashtu do të mbeten në të ashtuquajturën fazë zero për momentin. Kishat dhe katedralet në disa zona të Spanjës janë hapur dhe funksionojnë me kapacitetin e kërkuar 30 për qind për këtë javë, por “Sagrada Familia” mbetet e mbyllur.

Numri i vdekjeve brenda natës në Spanjë nga koronavirusi ishte 59 të hënën, shifra më e ulët në dy muaj, tha qeveria. Totali i viktimave u rrit në 27.709 të vdekur, me 231.350 raste të konfirmuara të virusit.

Gjatë fundjavës, Kryeministri Pedro Sanchez tha se koalicioni i tij i udhëhequr nga Socialistët do të kërkonte një zgjatje të fundit, njëmuajshe, të gjendjes së jashtëzakonshme, me një nga bllokimet më të rrepta në Europë. Ndërkohë, Irlanda ndërmori të hënën një hap të kujdesshëm drejt lehtësimit të bllokimit të saj duke lejuar disa biznese të rihapnin dhe deri në katër persona nga familje të ndryshme të takoheshin duke respektuar distancën fizike.

Plani i rihapjes ka pesë faza për të hequr kufizimet e përhapura në intervalet trejavore, me fazën e pestë dhe të fundit që do të fillojë më 10 gusht. Të dielën, vendi raportoi 64 raste të reja të Covid-19, shifra më e ulët ditore që nga mesi i marsit. Testimi dhe gjurmimi i kontaktit është zgjeruar, duke forcuar besimin në aftësinë për të monitoruar dhe përmbajtur shpërthime.