Nga shtetet e Bashkuara të Ballkanit, tek Ballkani i hapur, 100 –vjet promovim e dështim

200
Sigal

Analizë nga Dalip Greca: Nga Shtetet e Bashkuara të Ballkanit të projektuara më 23 shkurt 1923 nga Lozha e Masonëve në Paris nën drejtimin e Lucien Le Foyer, tek Ballkani i Hapur pas 100 vitesh nga treshja Vuçiç-Rama-Zaev. Ja historia e plotë

 

-Me 23 Shkurt 1923 Lozha e Masonëve në Paris në drejtimin e kryetarit të saj Lucien Le Foyer, organizoi një konferencë mbi Shqipërinë, ku u promovua projekti për Shtetet e Bashkuara të Ballkanit, Federatën Ballkanike, Shoqëria e Kombeve të Ballkanit, Popujt e Bashkuar të Ballkanit…

  • Pas 100 -vjetëve treshja Rama-Vuçiç-Zaev i rikthehen projektit për një Ballkan të Bashkuar…

Përgjatë vitit 1923 u fol gjatë për Ballkanin e Bashkuar, për Konfederatën Ballkanike, por konfliktet mes shteteve dolin mbi projektet bashkuese; përplasjet Bullgaro-Jugosllave, Greko-Maqedone, Serbo-Kroate, ku e dyta tentonte shkëputjen nga Jugosllavia, treguan se sa të brishta ishin marrëdhëniet mes shteteve Ballkanike dhe çfarë qëllimi fshihej pas projekteve sllave

 Nga Dalip Greca

Ballkani i hapur i konceptuar si treg i përbashkët për shtetet jashtë Bashkimit Europian, nuk është tezë e re e hedhur për konsum politik, ajo ka 100- vjet që promovohet dhe po 100 -vjet që refuzohet e dështon me sukses. Në fillim të viteve ’20 të shekullit të shkuar u fol gjatë për Shtete të Bashkuara të Ballkanit, për Konfederatë Ballkanike, për Bashkimin e popujve të Ballkanit, për Bashkëpunim rajonal etj.

Në fillim të muajit shkurt të vitit 1923 shtypi francez shkroi me entuziazëm për një takim “Mbi Shqipërinë”, e cila do të kishte edhe një konferencë nga miku i shqiptarëve francezi Godart.

  1. Justin Godart ishte i njohur për shqiptarët për udhëtimet e tij në Shqipëri si dhe nga libri që ai shkroi’ L’Albanie en 1921’- Shqipëria në vitin 1921. Ai ishte një politikan i suksesshëm në radhët e Partisë Radikale Franceze, shërbeu si nënkryetar i bashkisë së Lyon-it, Ministër i Punës dhe Mriëqenies Sociale, Ministër për Shëndetin Publik, Kryetar i Përkohshëm i Bashkisë së Lyonit, Përfaqësues i Francës në Organizatën Ndërkombëtare të Punës etj. Ai ishte një udhëtar i dashuruar me Ballkanin, veçanërisht me Shqipërinë.

Le të kthehemi tek Konferenca mbi Shqipërinë. Organizatore e konferencës ishte Lozha e Masonëve ’Cosmos’ e Parisit. Media u ushqye me këtë lajm që nga fillimi i janarit deri me 23 shkurt 1923, kur nisi konferenca e trumbetuar si çelësi i artë që do t’i jepte fund grindjeve në Ballkan. Dukej se organizatorët, për të tërhequr vëmendjen, kishin lënë orët e vona të mbrëmjes. Konferenca do të niste në orën 9 të darkës. Mirëpo ora kishte kaluar mbi nëntë dhe konferenca nuk po fillonte. Nisën pëshpërimat dhe pikëpyetjet: Pse nuk fillon konferenca? Kurreshtja u shua, kur në korridorin e gjatë u ndjenë disa hapa të shpejtuara.

Në sallë u shfaq një burrë i gjatë, thatanik, i cili u prit me nderime të veçanta, me protokoll nderi. Mysafiri ishte Ministri i Jashtëm i Serbisë, të cilit iu hap vend në krahun e djathtë të kryetarit të konferencës, ndërkohë që në të majtë ishte vendosur z. Godart.

Pasi ora po i afrohej 10 e mbrëmjes, kryetari i Lozhës ‘Cosmos’ z. Lucien Le Foyer, e hapi mbledhjen me një vlerësim mbi Shqipërinë:- Shqipëria,- tha ai, është një vend i vogël me një milion njerëz, por lipset të kthejmë vështrimin tonë mbi Kombin Shqiptar, sikundër dhe mbi kombe të tjera ballkanikë, se janë popuj të rinj…

Drejtuesi i konferencës u kthye nga Ministri Serb, Spalaikoviç, të cilit i qeshi fytyra, kur Kombi shqiptar u prezantua si komb i ri, ndërsa kombi i tij sllav, qenkish më i moçëm! Shërbim me vlerë i bëri kombit shqiptar ky miku frëng!

 

Në kushtet e një korrupsioni kanceroz, të trafikut kriminal, drogës, krimit të organizuar, Shtetet e Ballkanit, e kanë të qartë se Europa e Bashkuar nuk ka vend për ata, ndaj dhe iu rikthyen teorisë 100 -vjeçare të bashkëpunimit rajonal, duke u përpjekur që t’i bëjnë në një farë mënyre karshillëk Bashkimit Europian

Pasi u bind se efektet e vlerësimit të tij e kishin lumturuar ministrin serb, vijoi:-Jam i lumtur që këtu ndodhet ministri Serb, i cili na siguron se ka sot për sot një solidaritet midis popujve të Ballkanit, që mbi bazën e principeve të Kryengritjes Frënge, dhe mbi bazë të këtij populli punëtor, për të cilën Masonët lëvdohen, se janë zhvillonjësit (les commentateurs), mundet dhe lipset të shtrohet Bashkimi i popujve të Ballkanit shumë herë të ndarë në rendin e historisë. Për ne, paqtorët e Perëndimit të Evropës, formula është kjo:’Federata Ballkanike, Shoqëria e Kombeve të Ballkanit, Popujt e Bashkuar të Ballkanit, Shtetet e Bashkuara të Ballkanit- Kjo është zgjidhja, e cila pa dyshim, lipset të impozohet një ditë, sado të mëdhenj që të jenë hidhërimet, që coptojnë zemrat e popujve të Ballkanit, sado të mëdha që të jenë dhembjet, bashkimi do të sjellë paqtimin…

Për drejtuesin e Lozhës të Masonerisë së Parisit, prania e ministrit Serb aty, ishte garancia e bashkimit të Ballkanit, paçka se aty mungonin ministrat e Shqipërisë dhe shteteve të tjerë të Ballkanit. Si për koinçidencë Ministri i Jashtëm Shqiptar ishte prej dy javësh në Paris, por në konferencë nuk ndodhej.

Cila ishte arsyeja? Ministri i Jashtëm Shqiptar Mehmed Konica kur u pyet të nesërmen nga shtypi se përse nuk u ndodh në Konferencën për Shqipërinë, u përgjigj shkurt: Shkaku që nuk u ndodha në konferencë është fare i thjeshtë; NUK MË FTOI KUSH!

Siç duket u pa e arsyeshme që të gjithë Ballkanin mund ta përfaqësonte ministri Serb! Konferenca ishte propaganduar se zhvillohej për Shqipërinë, ndërsa i ftuar nderi ishte ministri Serb! Ec e kuptoje këtë përkujdesje të francezëve për Shqipërinë!

Në fund të konferencës ministri serb do ta përmblidhte fjalimin e tij në këtë perifrazim: Problemi që ka të bëjë me Konfederatën e Shteteve Ballkanike, Bashkimi i ardhëm i Ballkanit, ose më mirë Shtetet e Bashkuara të Ballkanit, është një ideal, për të pëmbushur një tjetër ideal edhe më të lartë për të cilin flasin shumë dendur në botë. Ky ideal në popujt e Ballkanit mund të realizohet….Në vendin tim, tha ministri Serb- ka sllovenë, kroatë, serbë, ka katolikë, orthodoksë, muslimanë. Sot formojnë një organizëm të bashkuar me fuqi. Ja pra nisja e shtetit të Bashkuar të Ballkanit egziston. Po që të vërtetohet ky ideal, lipset që edhe popuj të tjerë të Ballkanit të vijnë e të na bashkohen. Po të vijnë bullgarët dhe shqiptarët që janë të ndarë, atëherë krijohen Shtetet e Bashkuara të Ballkanit…

Përgjatë vitit 1923 u fol gjatë për Ballkanin e Bashkuar, për Konfederatën Ballkanike, por konfliktet mes shteteve dolin mbi projektet bashkuese; përplasjet Bullgaro-Jugosllave, Greko-Maqedone, Serbo-Kroate, ku e dyta tentonte shkëputjen nga Jugosllavia, treguan se sa të brishta ishin marrëdhëniet mes shteteve Ballkanike dhe çfarë qëllimi fshihej pas projekteve sllave.

Pyetja shtrohet: Kur Kosova e kundërshton me të drejtë projektin’Ballkani i Hapur’ dhe e cilëson të rrezikshëm paktin Rama-Vuçiç- Zaev, pa njohur Serbia më parë pavarësinë e Kosovës, përse kryeministri ynë bëhet tellall i Beogradit?

Projektet për një Ballkan të bashkuar u hodhën në tryezë sërish pas Luftës së II Botërore për vëllazërimin e Ballkanit, por projekti funksionoi vetëm për Konfederatën Sllave, e cila u zhbë pas luftës etnike të Serbisë.

Vijmë më së fundi tek projekti tresh: Rama-Vuçiç-Zaev i vitit 2021, që siç thonë ata, pason Projektin e Berlinit, i ideuar nga Merkel që në 2014-tën.

E vërteta është se projekti i Ballkanit të hapur nuk është ide as e Ramës, as Vuçiçit dhe as e Zaevit. Ideja e Ballkanit të Hapur (i njohur më parë si Zona Mini-Shengen) u shfaq për konsum politik në fillim të viteve 1990. Fillimisht u lakua si një zonë ekonomike midis shteteve të gadishullit Ballkanik, por, Serbia, ashtu si në të shkuarën, tregoi se nuk prodhon pakte bashkëpunimi e paqeje, por  konflikte e luftra agresive. Planet për bashkëpunim u braktisën përfundimisht për shkak të Luftërave etnike që udhëhoqi Serbia.

Ideja për këtë platformë bashkëpunimi rajonal hidhet në tavolinë për konsum politik tash kur Evropa ka hallet e veta dhe nuk ka kohë që të merret me integrimin e 6 shteteve të mbetura si një lloj gadishulli i izoluar dhe i larguar nga BE-ja.

Në kushtet e një korrupsioni kanceroz, të trafikut kriminal, drogës, krimit të organizuar, Shtetet e Ballkanit, e kanë të qartë se Europa e Bashkuar nuk ka vend për ata, ndaj dhe iu rikthyen teorisë 100 -vjeçare të bashkëpunimit rajonal, duke u përpjekur që t’i bëjnë në një farë mënyre karshillëk Bashkimit Europian: Nuk doni të na pranoni, ne bëhemi bashkë dhe krijojmë Shtetet e Bashkuara të Ballkanit.

Bie në sy këmbëngulja e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili, jo vetëm ka marrë flamurin dhe i prin projektit, por deklaron me plot bindje se: Ballkani i Hapur është vendosur, ai do të bëhe!. Shtetet që e kanë kundërshtuar, do t’i bashkohen, herët a vonë! Se ku e gjen sigurinë matematike të këtij parashikimi, vetëm kryeministri ynë global e di.

 

Të flasësh me kaq bindje, siç bëri kryeministri socialist i Shqipërisë në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të bën të dyshosh, edhe për faktin se qoftë kancelarja në ikje Merkel, qoftë presidentja e Komisionit Evropian, nuk u morën shumë me Ballkanin e Hapur, përveç këshillës së Merkelit se çdo bashkëpunim që ndihmon integrimin, është i mirëpritur. Mirëpo Ballkani nuk ka vetëm tre shtete për të krijuar atë që dikur quhej Mini Shengen, mbi të cilën u ngrit projekti Gjerman, që në vitin 2014, që në fakt tash është fare i zbehur dhe pritet formimi i qeverisë së re gjermane me mazhorancë të socialdemokratëve, për të parë nëse do t’i rikthehet këtij projekti apo do të shtyhet edhe ai në kalendrat greke…

Politika prej lideri rajonal i Kryeministrit shqiptar duket naive. Pakti i tij me presidentin serb Vuçiç dhe Kryeministrin maqedon Zaev, pa marrë dakordësinë e tre shteteve të tjerë, por veçanërisht të Kosovës, që nuk njihet nga Serbia si shtet, ngjason me Konferencën e masonëve në Paris para 100- viteve, ku flitej për Ballkanin e Bashkuar dhe aty ishte vetëm ministri Serb!

 

Pyetja shtrohet: Kur Kosova e kundërshton me të drejtë projektin’Ballkani i Hapur’ dhe e cilëson të rrezikshëm paktin Rama-Vuçiç- Zaev, pa njohur Serbia më parë pavarësinë e Kosovës, përse kryeministri ynë bëhet tellall i Beogradit?

Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti e ka kundërshtuar projektin dhe ka deklaruar se “Ballkan i Hapur” nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze. Rreziku është fare i qartë- si mund t’i bëjë ballë Kosova e pa njohur nga Serbia, Kina, Rusia, tregut agresiv serbo-rus e kinez? Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet kryeministri Rama dhe jo të merret me sofizma dhe me naivitete konspirative e me strategji rajonale që i shkojnë për shtat Beogradit dhe lënë në harresë njohjen e Kosovës nga Serbi. Dhe një pyetje shtesë: Cili është kontributi i qeverisë Rama në njohjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës?

ZERO!

Kryeministri i Shqipërisë, i cili propagandon shumë paktin që vjen nga Beogradi, dhe kur ka kohë dhe kur i intereson karta nacionaliste, flet edhe për mbledhjet e përbashkëta pa bukë të dy qeverive, dhe përmend hallet e vëllait të vogël,- është mirë që të dëgjojë zërat që vijnë nga Kosova.

Presidentja e Kosovës Dr.Vjosa Osmani, e ka cilësuar të rrezikshëm projektin e “Ballkanit të Hapur”, duke argumentuar se ai e vonon integrimin evropian të rajonit, ndërkohë që Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme dhe e duhur për avancimin e rajonit drejt integrimit Europian.

Po nuk është vetëm Kosova që e kundërshton projektin e Beogradit- Tiranës – Shkupit, kundër tij janë edhe Bosnja e Mali i Zi.

Dëgjova me 4 tetor zv/kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazi, i cili e argumentoi”JO”-në e shtetit të tij (me qeveri pro serbe) si një rrezik për gllabërimin e tregut të vogël malazes prej tregut agresiv ruso-kinez. Ai e quajti projektin e Ballkanit të hapur si një tendencë e Vuçiçit dhe Ramës për të krijuar role liderësh rajonalë. Konkluzioni është i qartë, kur Mali i Zi i njohur ndërkombëtarisht i friket rrezikut, po Kosova e pa njohur ende nga Serbia e shtete të tjerë?