Nga komisionerët zgjedhorë te roli i Policisë e SPAK-ut, sot debati në Këshillin Politik

362
Sigal

Teksa data 31 maj po afron dhe bashkë me të po afron edhe afati për përfundimin e Reformës Zgjedhore, Këshilli Politik ka ndezur të gjithë “motorët” për ta përfunduar në kohë.

Në rendin e ditës së diskutimit të katërshes politike për Reformën Zgjedhore është trajtimi i çështjeve më të nxehta, si roli i Policisë në zgjedhje, angazhimi i Prokurorisë së Posaçme, risia e angazhimit të bilbilfryrësve. Nuk përjashtohet as mundësia e diskutimit të administratës zgjedhore.

Sa i përket rolit të Policisë në zgjedhje, debati më i madh mes maxhorancës dhe opozitës së bashkuar, sipas burimeve nga Këshilli Politik, është për ndryshimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë para zgjedhjeve, propozim ky i bërë nga opozita e bashkuar.

ROLI I POLICISË

Partia Demokratike, LSI-ja dhe aleatët e vegjël i kanë vënë në tryezën e Reformës Zgjedhore maxhorancës propozimin e ndryshimit të nenit 5 të Kodit Zgjedhor, ku parashikohet që ministri i Brendshëm i qeverisë kujdestare, 100 ditë para zgjedhjeve të ndryshojë drejtorin e përgjithshëm të Policisë.

“1. Policia e Shtetit, në zbatim të rregullave të posaçme të parashikuara nga ky ligj, funksionon në mënyrë të paanshme gjatë periudhës zgjedhore, ditës së zgjedhjeve dhe nxjerrjes së rezultatit zgjedhor, duke garantuar paanshmërinë politike.

2. Për të siguruar besimin e subjekteve zgjedhore në funksionimin e paanshëm të Policisë së Shtetit, përjashtimisht nga rregullat e parashikuara në nenin 13 të ligjit nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, i ndryshuar, 100 ditë (njëqind) ditë përpara datës së zgjedhjeve, ministri i Brendshëm në qeverinë kujdestare të zgjedhjeve, i caktuar sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, emëron drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

3. Marrëdhënia e ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit gjatë periudhës 100 ditë përpara datës së zgjedhjeve, përcaktohet nga rregullat kalimtare të parashikuara në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, shkruhet në draftpropozimin e opozitës së bashkuar në tryezën e Këshillit Politik. Ndërkohë, përgjatë periudhës zgjedhore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë do të krijojë një regjistër të posaçëm për çdo njoftim dhe referim të veprave penale në fushën zgjedhore.

Gjatë periudhës zgjedhore, ky regjistër është i aksesueshëm në çdo moment nga KQZ-ja dhe nga subjektet zgjedhore. SPAK Një tjetër propozim që opozita e bashkuar ka paraqitur në tryezën e Reformës Zgjedhore është që krimet zgjedhore të hetohen nga Prokuroria Speciale Antikorrupsion. Kodi i Procedurës Penale nuk e parashikon aktualisht që hetimi i kundravajtjeve zgjedhore të bëhet nga SPAK.

“Procedimet penale në hetim apo në gjykim për veprat penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b kalojnë menjëherë në kompetencë të Prokurorisë dhe Gjykatës së posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, propozon opozita e bashkuar. Burime nga grupi i ekspertëve të Reformës Zgjedhore bënë me dije gazetën “Panorama” se kanë gjetur një formulë të përkohshme për Kolegjin Zgjedhor, që do të zgjasë deri në funksionimin e plotë të Gjykatës Administrative të Apelit.

Sa i përket depolitizimit, ekspertët kanë në tryezë dy drafte: atë të ekspertëve të komisionit parlamentar dhe atë të opozitës së bashkuar. Propozimi i opozitës së bashkuar nuk prek Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkohë, përfaqësuesi politik i PS-së, Damian Gjiknuri, ka kërkuar nga opozita e bashkuar propozim edhe për KQZ-në. Ndërkohë ka debate mes palëve sa i përket propozimit të PD-së për ndryshimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë para zgjedhjeve.

TEMAT QË DISKUTOHEN SOT

– Roli i Policisë në zgjedhje
– Angazhimi i SPAK-ut për krimet zgjedhore
– Sinjalizuesit ose ndryshe bilbilfryrësit

DISKUTIME TË MUNDSHME

– Administrata zgjedhore
– Kolegji Zgjedhor
– Ndryshimi i sistemit
– Ligji për referendumet