Nga Galeria e Durrësit zhduket “Flamuri”, por ruhet “Haxhi Qamili”

1174
Sigal

TRAFIKU I VEPRAVE TË ARTIT/ Zbulohet skandali, mungojnë 11 vepra të piktorit Nikolet Vasia, Sulejman Turkut, Bujar Lilës etj..

Ruhet rebelimi i Haxhi Qamilit dhe zhduket Pavarësia Kombëtare e 1912-s. Sa hyje në katin e parë të Bashkisë së Durrësit, në ekspozitën e 28-29 Nëntorit të vitit 2008 të arteve pamore të ish-galerisë, në të majtë të shfaqeshin rebelët e Haxhi Qamilit në një kompozim tipik socrealist. Por ka qenë një befasi e pashpjegueshme për mjaft artdashës durrsakë mungesa e një tabloje emblematike për ditën e Pavarësisë, ku paraqiten Isa Boletini në gjunjë teksa puthte flamurin kombëtar dhe prapa tij Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, si dhe mjaft atdhetarë nga trevat shqiptare, madje dhe nga zonat e Haxhi Qamilit. Trafiku me veprat e artit ka prekur Shqipërinë. Madje, blerësit paguajnë shuma të mëdha për vepra me përmbajtje atdhetare. Janë pasanikë të diasporës shqiptare, nga Amerika në Evropë.

XHELOZIA

Nisur nga ky fakt, autori i këtyre radhëve, më 28 nëntor 2008, kontaktoi personalisht në shtëpi piktorin e mirënjohur Nikolet Vasia (1947-2011). Mendoja se vepra mund të ndodhej në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë apo në ndonjë institucion të rëndësishëm shtetëror. Prandaj dhe nuk ndodhej në ekspozitën retrospektive. Por u befasova nga rrëfimi i mikut tim të ndjerë. Nikoleti më tregoi historinë kureshtare. Kompozimi në vaj, me përmasat 170 x 140 cm, i titulluar “Rreth Flamurit të Përbashkuar” më tha Vasia u ble nga Galeria e Arteve Figurative të Durrësit, në vitin 1978, për 1700 lekë të rinj. Kompozimi bënte pjesë në koleksionin e veprave të ekspozitës kombëtare, të hapur me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Fakti që vepra e një 31-vjeçari nga Durrësi la përshtypje të mirë dhe u vlerësua lart dhe nga një patriark si Abdurrahim Buza, shkaktoi xhelozinë e drejtuesve të Galerisë Kombëtare dhe ia lanë ta blinte ajo e Durrësit.

JEHONA

Nikoleti thotë se, vepra u riprodhua me ngjyra në revista, kartolina, bardhezi në shtyp, si ilustrim në shkrimet përkujtimore dhe historike për të zëvendësuar, madje, dhe foton zyrtare të 28 Nëntorit të Vlorës. Jo se kompozimi ishte vepër natyraliste apo fotografike, por konkurronte dokumentin historik për arsye të nivelit të lartë artistik, mesazhit të rëndësishëm, që përcjell për atdhedashurinë dhe ndihmesën mbarëkombëtare në shpalljen e pavarësisë. Autori ruante vetëm riprodhimet me ngjyra të pjellës së tij në një kartolinë dhe në revistën “Ylli”. Merret me mend se ç’nivel kishte industria tipografike e kohës së komunizmit. Megjithatë riprodhimi i zbehtë ngjall emocione.

AS NË INVENTAR

Pasi qëndroi në Galerinë e Durrësit për rreth 20 vjet, rezulton të jetë e zhdukur, të paktën, pas vitit 1998, thoshte autori i revoltuar. Vasia u referohej thënieve të ish-drejtuesve se, në 18 vite tranzicion, në Galerinë e Durrësit nuk ka ndodhur ndonjë grabitje ne forcë. Por çuditërisht, vepra nuk figuron, që nga viti 1990 në inventarët e muzeut dhe të Qendrës Kombëtare të vitit 2005. Inventarët, thotë Vasia dhe piktori tjetër, Sulejman Turku, që i janë “avulluar” të gjitha punimet në galeri, janë korrigjuar pas vitit 1998. Drejtori aktual i muzeut historik të Durrësit, i emëruar në vitin 2008, Edmond Agolli, tha se nuk ka asnjë dijeni për kompozimin e Vasisë “Rreth Flamurit të Përbashkuar”, por edhe për 10 vepra të tjera të Vasisë, që dikur ishin pronë e galerisë së Durrësit. Vasia tha se ka qenë një praktikë në regjimin komunist që galeria ka të bënte transferim kapital për institucione dhe ndërmarrje të mëdha shtetërore të veprave të caktuara, por gjithçka shoqërohej me procesverbal. Por në arkivin e galerisë nuk ekzistojnë procesverbale, por diku duhet të ruhen ato.

KALLËZIM NË INTERPOL

Ndërkaq, për hir të etikës, Nikolet Vasia nuk dëshiron të përmendë emra, për të cilët dyshon se janë përvetësues apo bashkëpjesëmarrës në shpërdorimin e fondit të Galerisë së Durrësit. Por Vasia mendon që së bashku me të tjerë piktorë, të cilëve u mungojnë veprat në fondet në Galerinë publike, do të bënte një kallëzim në prokurori ose në Interpol. Vasia tregoi se në një dokumentar televiziv të Alfons Gurashit nga Nju Jorku, i ka zënë syri, në planin e dytë, tablonë “Rreth Flamurit të Përbashkuar” i vendosur në muret e një restoranti.  Por qysh nga viti 2008 ende organet kompetente shqiptare nuk janë në gjendje të thonë asgjë.

LISTA E 14 VEPRAVE TË NIKOLET VASISË, QË NUK U DIHET ADRESA

I. Ish-prona të galerisë së Durrësit:

1. Rreth Flamurit të Përbashkuar (170 x 140 cm)

2. 7 prill 1939 (140 x 100 cm)

3. Baba Faja – Të godasim armikun (160 x 180 cm)

4. Shota mbi kalë (90 x 70 cm)

5. Kushtrimi (100 x 70 cm)

6. Mbledhja e Maleve – B. Curri, I. Boletini, H. Prishtina (100 x 100 cm)

7. Familje fshatare (190 x 160 cm)

8. Studentesha (80 x 60 cm)

9. 26 Nëntor 1912 – Drejt Vlorës (50 x 55 cm)

10. Ilegalët (80 x 80 cm)

11. Portret vajze në mermer (30-35 cm)

II. Vendndodhje të tjera

1. Tek Arbëreshët (220 x 180 cm), në pallatin e kulturës “A. Moisiu”

2. Festa e Qeverisë së Vlorës (140 x 120 cm), në ish-komiteti ekzekutiv

3. Vallja e Shqipërisë së Mesme (180 x 120 cm), zgrafito në xham, Shijak

PA NAM E NISHAN DHE DY VEPRA TË SHEK. XVII-XVIII

Kështu, përveç Vasisë, edhe bashkëshortes së tij piktore, Shpresë Beqiri, por dhe piktorëve të tjerë si Sulejman Turku, Bujar Lila etj., u janë zhdukur pa nam e nishan veprat e tyre. Por në shqetësuese është fshirja nga inventari e dy veprave të rralla të autorëve të huaj. Bëhet fjalë për një reliev në dru, portreti i Skënderbeut, vepër e e një autori anonim të shekullit XVII. Kjo vepër, pronë private e Vangjel Toçit, iu dhurua galerisë nga vetë Toçi, krijuesi i galerisë. Vasia thotë se relievi ka shërbyer, para 300 vjetëve, si kapak vozeje (buti vere), që kur vinin pushtuesit në lokal, kthehej përmbys dhe nuk diktohej. As Skënderbeu sot nuk figuron në inventar. Një akuarel i mrekullueshëm italian i shekullit XVIII, i titulluar “Violinçelisti”, është zëvendësuar me një kopje të shëmtuar, e realizuar nga një piktor amator, kurse origjinali nuk dihet ku ndodhet. Të gjithë piktorët e Durrësit e kanë studiuar me lupë punën e imët të artistit italian të para 200 vjetëve. Me këto dy punime, të cilat, po t’i kishte, do të krenohej dhe Galeria Kombëtare e Tiranës, deklarojnë Vasia, Turku, Lila.

PALLATI I KULTURËS SHET NË GJERMANI… “ARBËRESHËT”

Tersllëku e ndjek Nikolet Vasinë dhe me një vepër tjetër, ish-pronë e pallatit “Aleksandër Moisiu”.  “Kompozimi “Tek Arbëreshët”, një tablo me përmasa 220 x 180 cm, e ekspozuar në muret pranë zyrës së drejtorisë, që nga viti 1996, nuk ekziston më. Kam frikë se u është shitur disa sindikalistëve shqiptarë nga Gjermania”, tregonte Vasia. “Në pallatin e kulturës nuk ka ndonjë dokument. Mësoj, rastësisht nga dy ish-nxënëset e mia, se tabloja ndodhet diku në një qytet shqiptar të Maqedonisë. Pronari i veprës u ka thënë dy vajzave durrsake se e ka blerë shtrenjtë në Gjerman”. Po ashtu i janë zhdukur nga galeria edhe 9 vepra të tjera, që i ruante të fotografuara në bardhezi.