Nga 2100 kafshë të mbytura gjenden 153. Flitet, se kanë përfunduar për…sallam?

770
Sigal

Pas 2 denoncimeve në “Telegraf” dhe një “habie” nga Drejtoria e Higjenës në Fier, zbulohet skandali. Lopë, gomerë, qen, derra e dele të mbytura, mund të kenë përfunduar në sallameri

 E konsideruam “humor” faktin, që ditën e martë, datë 3 shkurt 2015, në gazeta “Telegraf” erdhën dy denoncime fermerësh nga Fieri e Vlora, lidhur me një skandal të rëndë që kishte të bënte me kafshët, bagëtitë dhe shpendët e mbytura nga përmbytjet në disa fshatra në Fier e Vlorë, të cilat po grumbulloheshin “me urgjencë” nga individë të ndryshëm të pajisur me kamionçina, të prezantuar me “karta zyrtare”, si “të ministrisë së bujqësisë”, duke u thënë banorëve, se po pastronin zonën nga rreziku epidemisë. Dje, kur ka nisur zyrtarisht dezinfektimi i zonave nga bagëtitë e mbytura, duket se ka nisur zbardhja e këtyre dy informacioneve. Po riprodhojmë këto dy denoncime, të bëra në gazeta “Telegraf”, të cilat ditën e ardhjes, i konsideruam si “humor”.

Ja dy informacionet e ardhur në “Telegraf”

  1.  Informacioni i parë, ardhur nga zona Novosela-Fitore, Vlorë: – Mua më janë mbytur 39 krerë bagëti, 2 lopë, 980 pula, 20 derra dhe 2 kafshë pune, ndërsa gomari shpëtoi se e kisha lënë në kodër atë ditë. Më erdhën në shtëpi 2 çuna, veshur me kominoshe të bardha me kryq të kuq në shpatulla e me maska në gojë. Më thanë, se po të kisha bagëti të mbytura, do t’i merrnin kufomat e tyre për t’i groposur në vende të caktuara nga qeveria. I pyeta: Cilët jeni ju, kush ju ka dërguar? Më nxorën “karta mjekësie” me vulë e firmë të ministrit Ilir Beqaj dhe një kartë me firmë e vulë të ministrit të Bujqësisë. U binda. U futën në oborr, kasolle e stan, morën çfarë mundën që gjendej mbi ujë, i numëruam dhe me dhanë një vërtetim me vulë e me firmë të Shtabit të Emergjencës, që “vërtetonte” se sa krerë kafshë, bagëti e shpendë të ngordhura kishin tërhequr. Më thanë: Mbaje fortë këtë letër, se të duhet për të marrë dëmshpërblim të plotë, siç ka thënë Zv/kryeministri Niko Peleshi.
  2.  Informacioni i dytë, ardhur nga zona Ferras-Bishanaj, Levan: Pashë nja 2-4 çuna, moshë e nipit tim, që po mblidhnin kufomat e bagëtive e kafshëve të ngordhura të fshatrave, lagjeve e të staneve dhe i ngarkonin në makinë. I pyeta: – Çfarë bëni, o djem? U përgjigjën: – Xhaxha, po mbledhim kërmat, se duhen groposur që të mos përhapen epidemitë, ky është urdhër nga qeveria, po ke edhe ti do vijmë t’i marrim dhe do të lëshojmë një vërtetim me vulë firmë të ministrit Panariti dhe të Shtabit të Emergjencës, për sa krerë kemi marrë dhe jeni në rregull, por mos e humbasësh vërtetimin se u dogje, pa të nuk të japin dëmshpërblim. U tregova shtëpinë, stanin e pularinë, hipa në makinë të tyre e shkova ua dhashë 17 dele, 16 derra, 1 mushkë, 1 kalë, 230 pula, 3 kapojë e 5 pula deti. Më dhanë pusullën ne vulë e firmë dhe ikën.

Fakti, që dy denoncimet në gazeta “Telegraf” nga zonat e përmbytura të Vlorës e Fierit nuk ishin “humor”, na i përforcoi një telefonatë me një nga pjesëtarët e grupit të dezinfektimit të nisur dje në Fier. Grupi i dizifektimit që veproi dje në zonën Ferras, Bishan e Darëzez, nga 2100 bagëti, kafshë e shpendë të mbytura që raportoi ministri Panariti kishte gjetur vetëm 153 krerë. Po të tjerat, kush i “hëngri”? Të tjerat, sipas dëshmive të bëra prej fshatarëve ishin mbledhur që ditën e parë të fatkeqësisë nga “duar” të tjera, të cilat ishin paraqitur si “të qeverisë” dhe kishin urdhër t’i grumbullonin e t’i groposnin.

Ja dy përgjigjet, nga ministritë “Panariti” dhe “Beqaj”

Në Ministrinë e Bujqësisë, sa e dëgjuan denoncimin tonë iu përgjigjën si në “Facebook” me këtë qeshje: Hahahahahahahah…!, por nuk dhanë asnjë shpjegim më tej. Në Ministrinë e Shëndetësisë, telefonatës tonë iu përgjigjën me një: “Hë me lal, çfarë ka ndodhur…? I shpjeguam faktin dhe e pyetëm: – A keni informacion me këtë grumbullim kafshës të mbytura? Në moment, telefoni u mbyll e nuk u hap edhe pas 34 herë thirrjeve të tjera, që bëmë në adresën e ministrisë “Beqaj”! Shtrohen disa pyetje: A janë mbajtur zonat e përmbytura, nën kontroll nga shteti dhe strukturat e shërbimit të emergjencës? Po nga pushteti lokal? Përse janë grumbulluar me urgjencë e çfarë mund të ketë ndodhur realisht me kufomat e bagëtive, kafshëve e shpendëve që janë grumbulluar nga njerëz anonimë? Ku dhe përse mund të jenë përdorur kufomat e kafshëve e shpendëve të mbytura e të “zhdukura”? Në zonat e përmbytura në Vlorë e Fier, kanë nisur të qarkullojnë fjalë, se kufomat e kafshëve janë grumbulluar e janë përdorur për prodhim sallami në linja të licensuara e në linja ilegale që prodhojnë sallameri. Kujtojmë, se nuk është rasti i parë që janë kapur prodhues legalë e ilegalë produktesh sallami që përdornin si lëndë të parë edhe kufoma qensh, gomerësh, që vriteshin e shiteshin për këto linja sallami, prej grupeve që “nxirrnin 5 lekë”, si dhe të mbetjeve të çdo lloji, të hedhura poshtë prej kasaperive e kasapëve të rrugës. Dhe siç dihet, në gjithë rrethet e vendit, por sidomos në Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Korçë, Elbasan, Durrës e Shkodër, ka shumë “bunkerë” ilegalë që prodhojnë produkte sallami e u vendosin etiketa false dhe të me të drejtë eskluziviteti deri si prodhim special nga Franca, Italia, Austria, Gjermania e… SHBA. Urojmë që në rastin konkret, kufoma e ngordhura nga përmbytjet në Vlorë e Fier të kenë përfunduar si “sallam popullor” për shqiptarët e lënë në mëshirë të fatit, mbasi nuk besojmë, që ato kufoma të grumbulluara janë dërguar për bifteqe, bërxolla, kërnacka, fërgesa e fileto në 5 restorantet e Niko Peleshit në Korçë, Pogradec e mes bredhave pa hyrë në Ersekë…

1230 rezervuara të kthyer në liqene peshku, 20 vjet pa u kontrolluar

Mund të konsiderohet “fat” mos shpërthimi rezervuarave në zonat e përmbytura, se nëse për shkak të tejmbushjes së tyre duheshin hapur digat (ose do shpërthenin vetë), do të kishim një katastrofë të rëndë edhe me jetë njerëzish, mbasi siç dihet, rezervuarët janë të ngritur mbi zonat e banuara rurale e fushore, për efekt të vaditjes me rrjedhje uji me kanale. Sinjalin e parë, që duhet pasur kujdes me rezervuarët e dha rezervuari i Maskurisë në Golem, i cili ka pësuar defekt dhe kërkohej hapja e portave të tij, gjë që do të shkaktonte përmbytje me pasoja të rënda pasurore e madje njerëzore zonën e Shkëmbit të Kavajës e Golem. Po çfarë ndodh me rezervuarët në Shqipëri? Në krejt vendin janë 1230 rezervuare e ujëmbledhës që funksionojnë me diga e porta, identikisht nga “teknika” si basenet e hidrocentraleve. Nga investigimet e “Telegraf”, rezultoi se këto rezervuara e ujëmbledhës janë dhënë për “rezervate peshku” për individë të veçantë pranë kupolave politike, duke bërë pazare me qarqet, prefekturat, bashkitë e komunat, në bashkëpunim me dy ministritë: Ministrinë e Bujqësisë dhe të Mjedisit. Interesimit tonë, specialistë të bujqësisë ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të këtyre ministrive, iu përgjigjën se këto rezervuara kanë nga 15-20 vjet pa u kontrolluar teknikisht, pa iu hapur portat për efekt “testimi” të sigurisë dhe funksionalitetit të tyre. Ata që kanë detyrë ta bëjnë këtë kontroll, janë shoqata e ujit, të ngritura në çdo rreth, prefekturë, komunë, bashki e qark të vendit, të cilët merren me administrimin e ujit dhe sigurinë e rezervuarave. Në fakt, këto shoqata, që paret të jepen për “prodhim peshku”, zhvatin miliona nga banorët e zonave për gjoja vaditje pa u çuar ujin e rezervuarve dhe nuk bëjnë asnjë kontroll e investim në rezervuara, për të cilët lutemi të mos shpërthejnë se nga fuqia shkatërruese ia kalojnë edhe Vjosës, mbasi banesat, të mbjellat dhe kafshë e bagëti i kanë nën “këmbët e tyre”.

37.4 milionë euro dëmshpërblime pa u shlyer në Shkodër

Atë që duhej ta vendoste vetëm qeveria, në mbledhje speciale urgjente që duhej të kishte zhvilluar për katastrofën e përmbytjeve në zonat Vlorë, Fier, Tepelenë, Gjirokastër, Ballsh, Korçë, Përmet e Berat e tha dje në parlament, zv/kryeministri Nikollaq Peleshi (sipas gjendjes civile), duke deklaruar: Dëmet e shkaktuara, do të paguhen në masën 100% të vlerës për çdo të dëmtuar”. E bëri këtë deklaratë, ende pa ditur vlerën e dëmeve e madje pa evidentuar dëmet si “volum” shtëpi, të mbjella, biznese, kafshë, bagëti e shpendë. Në fakt, ky deklarim nuk është “tagër” i zv/kryeministrit (zëvendësit të grave) Nikollaq Peleshi, por i Këshillit të Ministrave e Parlamentit, mbasi ata vendosin. A duhet besuar vërtetë, se ata që u dëmtuan nga këto përmbytje në Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër, Përmet, do të marrin vërtetë 100% të vlerës së mallit e pasurive të paluajtshme të dëmtuara? Kjo në Shqipëri, nuk ka ndodhur as kur ka pasur përmbytje në Shkodër e Lezhë, as kur ka pasur përmbytje në Fushë-Krujë, as kur ka patur rrëshqitje banesash në Dibër, Burrel, Librazhd, Mallakastër, Berat, Elbasan etj. në çdo rast fatkeqësish natyrore ose edhe nga minat e bizneseve të çimetosh e demontimit të municioneve, të dëmtuarve u është thënë se do “paguheni 100% për çdo dëmtim”. Realiteti? U janë dërguar nga 2-3 batanije, 1 çadër, 2-3 krevatë, një thes me ushqime dhe asgjë më tepër. Kujtojmë, që edhe sot pas 4 vitesh, banorët e zonave rtë përmbytura të Shkodrës, nuk janë dëmshpërblyer për dëmet e shkaktuara. Edhe atyre kështu iu tha: Do merrni 100% të pagesave të dëmtimeve”. Në fakt, nuk iu dhanë dhe sot, vlera e detyrimeve që shteti u ka borxh këtyre banorëve për pagesat e dëmshpërblimeve është 37.4 milion euro”. Shto sot edhe faturën e përmbytjeve në Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë, Përmet, për të cilën Peleshi thotë se do të paguhet 100%..!

Ministri Beqaj, llogarit “faturën”: 580 mijë euro shpenzime për 4 ditët e para të emergjencës

Ndërsa banorët e zonave të përmbytura në Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër, Përmet e Korë, po vazhdojnë të përleshen me fatkeqësinë natyrore, pasojat e saj dhe dhimbjet e madhe për pasurinë, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ky “usta” i aferave korruptive me fondet publike dhe prokurimet në mjekësi e kudo ku i krijohet akses për zhvatje, ka hedhur në veprim skemën e vjedhjes së fondeve publike të shëndetësisë, duke shfrytëzuar këtë fatkeqësi. Burime nga drejtoria rajonale e Fierit, na ka konfirmuar, se dy ditë më parë, ministri Beqaj, ka mbledhur në takim në Fier drejtorët rajonal të shëndetit publik të rretheve të dëmtuar Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe ka bërë me ta një “pakt”, që të firmosnin një plan-veprimi masash për emergjencën e zonave të tyre, duke pranuar paraprakisht, shifrat financiare që do të harxhoheshin në zonat e përmbytura “për kujdes mjekësor”. Drejtorëve rajonalë të shëndetësisë, iu dha plani i detajuar me zona e shifra shpenzimesh për naftë, medikamente, mjekë e infermierë 24 orësh në shërbim, pajisje hidrosanitare, dezinfetkuese, të ndihmës së shpejtë dhe trajtime urgjencash në zona në “spitale natyrë”, trajtim mjeko-psikologjik etj. Sipas informacionit, ministri “përbindësh i futjes në kthetra dhe gëlltitjes” së fondeve publike në shëndetësi e në administratën publike, ka bërë gati “faturën” e shpenzimeve për 4 ditët e para të përballimit mjekësor të emergjencës, vlera e të cilës është fiksuar në 580 mijë euro, këtë “faturë” të hartuar nga ministri Beqaj e kanë firmosur drejtorët e shëndetësisë të qarqeve të dëmtuara nga përmbytjet, duke iu çuar “shoqërisht” në zyrë kryeministrit Edi Rama…

Përparim HALILI

Rama në Novoselë: Situata pasojë e keqqeverisjes “Berisha”

Kryeministri i vendit i shoqëruar nga drejtuesit vendorë të qarkut të Vlorës ka inspektuar gjatë ditës së djeshme argjinaturën e Selevecit në Vlorë. Ai sërish pohoi se shkaktarët e kësaj situate janë koha e keqe dhe neglizhenca e qeverive të mëparshme, të cilat për vite me radhë nuk kanë pastruar kanalet kulluese dhe nuk bërë mjaftueshëm për mirëmbajtjen e hidrovorëve. Rama i garantoi banorët se kjo argjinaturë nuk do të jetë një rrezik evident për përmbytje, pasi situata është nën kontroll. Ndërkohë pak minuta më vonë ai mbërriti edhe në fshatin Fitore në komunën e Novoselës, i cili është ndër më të prekurit nga përmbytjet. “Ka pritshmëri në bazë të të dhënave meteorologjike për një situatë të dytë. Në këtë fazë të fokusohemi te përballimi i prurjeve të tjera. Kjo është betejë me natyrën dhe të shkuarën, betejë në dy fronte. Kemi trashëguar sisteme të rrënuara. Falë angazhimit të strukturave është bërë punë kolosale. Janë çliruar kanale, mbetet shumë punë për të bërë”, -tha Rama. Kryeministri u njoh nga afër më dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, ndërsa vizitoi edhe disa prej banesave të përmbytura. Rama shtoi se Shtabi i Emergjencave dhe njësitë vendore do jenë 24 orë në shërbim të qytetarëve dhe se pasi të kalojë kjo situate, do fillojë puna për vlerësimin e dëmeve konkrete.

Basha: Rama duhej në Kuvend, del ekraneve e fajëson opozitën

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka komentuar përmes Facebookut udhëtimin që Rama bëri dje sërish në Vlorë, për situatën e përmbytjeve. Sipas kreut demokrat Rama sot duhej të ishte në Kuvend për të informuar publikun dhe për të dhënë sqarime për përmbytjet që përfshinë jugun e vendit. Duke iu referuar deklaratës së Ramës se gjendja e përmbytjeve u përkeqësua si pasojë e “keqqeverisjes së mëparshme”, Basha tha se Rama është mësuar të fajësojë opozitën edhe pse ka dy vjet në pushtet.

“Dje kur të përmbyturit pyesnin “ku është shteti” kryeministri nga Facebook përgjigjej “nuk jemi në televizor”. Sot kur duhej të raportonte në Kuvend e të përballej me të vërtetën, u shfaq në të gjitha ekranet. Të përmbyturit janë në pikë të hallit, nuk dinë ku të vënë kokën e me çfarë të ushqejnë fëmijët, Vajmedeti pozon para kamerave dhe me fjalor të turpshëm fajëson popullin dhe opozitën. Po bën dy vjet në pushtet dhe nuk i ikën zakonit të vjetër të shfajësimeve për paaftësinë e tij. Zgjohu Vajmedet dhe jepu njerëzve ndihmën që meritojnë. Mjaft u talle me shqiptarët.
Ky popull nuk është vetëm për të paguar taksa por edhe për të përfituar prej tyre ne rast fatkeqësish natyrore. Jepu ndihmën se nuk do të lëmë të tallesh me fatkeqësitë. Leri shfaqjet dhe shfajësimet dhe shpall emergjencën”, shkruan Basha në Facebook.

Përmbytjet, Nishani në Darzezë: Qeveria të kompensojë fermerët!

 Kreu i Shtetit Bujar Nishani qëndroi dje në fshatin Darzezë, një prej zonave më të goditura nga përmbytjet e ditëve të fundit që përfshinë jugun e vendit. Presidenti iu ka bërë thirrje partive politike, institucioneve dhe popullatës të bashkëpunojnë për të kapërcyer këtë situatë të vështirë dhe rivitalizuar jetën e banorëve të prekur nga fatkeqësia natyrore. Pasi është njohur me problemet që po hasin banorët, dëmtimet në banesa, në ushqimet për bagëtitë, etj, presidenti tha se vinte në këtë vizitë si kreu i shtetit dhe jo në emër të politikës, ndërsa premtoi se do të qëndronte afër halleve dhe problemeve deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre…”Solidarizohem me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi. Të bashkohemi të gjithë të përballuar këtë situatë të rëndë. Qeveria të marrë masa për përballimin e situatës për të kompensuar fermerët”, tha Nishani.

Igli Totozani në Fier: Masa më të shpejta në mbështetje të njerëzve

 Avokati i Popullit Igli Totozani, në ditën e dytë të vizitës së tij në zonat e prekura nga përmbytjet, është takuar sot me banorë të fshatit Darëzezë, të qarkut Fier. Situata në këtë fshat paraqitet emergjente pasi me dhjetëra hektarë tokë ndodhen nën ujë, duke shkaktuar dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë dhe të blegtorisë. Duke folur me banorët e zonës, Avokati i Popullit është njohur me situatën e rëndë dhe me nevojat e tyre më emergjente. Një nga shqetësimet më të mëdha, banorët paraqiten mungesën e bazës ushqimore për kafshët dhe kërkuan marrjen e masave të menjëhershme për sigurimin e këtij ushqimi. Duke nisur nga shqetësimet e banorëve, Avokati i Popullit i bëri apel autoriteteve që të sigurojnë sa më shpejt, si masë imediate ushqimin për bagëtitë. Gjithashtu, Avokati i Popullit ishte i pranishëm sot në zonën e Pertiqit, pranë Darëzezës të mbuluar tërësisht nga uji dhe ku mjeti i vetëm për transport ishte varka. Në këtë zonë, dëmet më të mëdha i kanë pësuar barinjtë të cilët kanë humbur një numër të konsiderueshëm krerë bagëtish. Avokati i Popullit u takua me dy prej tyre, të cilët kishin arritur të shpëtonin 40 lopë dhe viça, duke i çuar në të vetmen copë toke të pambuluar nga uji. Barinjtë, ndërsa shprehen shqetësimin për mungesën e ushqimit, kërkuan çadra për të kaluar natën dhe ruajtur bagëtitë. Pas sensibilizimit për sigurimin e ushqimit për bagëtitë dhe çadrat për strehim, ka pasur një mobilizim më të madh nga autoritetet, të cilët kanë shpërndarë sot gjatë gjithë ditës ushqime dhe çadra në Darëzezë dhe Hoxhare.