Nesër protestë tek Kryeministria kundër rritjes së çmimeve

189
Sigal

Zbulohet logoja e protestës që do të zhvillohet nesër para Kryeministrisë, ku qytetarët do të mblidhen për të ngritur zërin ndaj rritjes së çmimeve të shportës, bukës, kafes, dritave dhe karburantit.

E paralajmëruar prej ditësh nga përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe qytetarëve të thjeshtë, nesër do të mblidhen në orën 17:00, për të kërkuar llogari nga qeveria, e cila vetëm pak javë pas betimit po përballet me reagimin e parë të qytetarëve, të cilët do të duhet të paguajnë më shumë për jetesën e tyre.

“Ja ashtu rastësisht! Kam një punë dhe rruga më bie nga: Kryeministria të mërkurën, ora 17:00,”-shkruhet në poster, ndërsa fjalia shoqërohet edhe me disa simbole të produkteve, çmimet e të cilave janë rritur. Megjithatë nuk dihen ende shumë detaje nga protesta, sa orë do të zgjasë, apo cila do të jetë forma e saj, ndërkohë nga Policia e Shtetit nuk ka asnjë reagim. Deri më tani, të gjitha tubimet e mbajtura janë shpërndarë me pretekstin e pandemisë së koronavirusit, por nuk dihet nëse e njëjta “kartë” do të përdoret edhe nesër nga forcat e rendit.

Por çfarë ka ndodhur në vend që ka nxitur reagim popullor?

E gjitha nisi me rritjen e çmimit të bukës me 10 lekë. Më pas u paralajmërua rritja e çmimit të kafes, e ngadalë u shtrenjtuan edhe produktet e shportës. “Vula” për të protestuar iu vu kur, kryeministri Edi Rama deklaroi se qytetarët duhet të përgatiten krizën energjitike; rritjen e çmimit të gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80% dhe të naftës.

Rama tha se kjo krizë do prekë jetën e familjeve dhe bizneseve, por qeveria do u qëndrojë pranë shtresave në nevojë, biznesit të vogël dhe konsumatorëve familjarë. Megjithatë premtimi i tij duket se nuk i ka qetësuar qytetarët, të cilët shfaqen të vendosur për të protestuar, kësaj here pa u thirrur nga asnjë parti.