Neglizhohet Sigurimi Shoqëror, sigurohen vetëm emigrantët!

600
Sigal

ELBASAN/Drejtori Duka: 70 % e të siguruarve në shkallë qarku, janë emigrantë!

Fermerë me biznes privat apo dhe të punësuar të tjerë në Qarkun e  Elbasanit neglizhojnë derdhjen e kontributeve të Sigurimeve Shoqërore duke bërë që në kohën e mbushjes së moshës për pension, të mos e përfitojnë një të tillë apo të marrin shuma minimale e të pamjaftueshme për të siguruar nevojat e jetesës. Ndërkohë, emigrant nga rrethet e këtij qarku që prej vitesh punojnë në emigracion, zënë radhë në sportelet e sigurimeve për të derdhur kontributet që do i marrin në moshën e pensionit. Këtë fenomen që në të nesërmen e afërt do sjellë një shqetësim të mprehtë social dhe shoqëror, e konfirmojnë për gazetën “Telegraf” titullarë të Drejtorisë Rajonale në Sigurimeve Shoqërore në Elbasan. “Vetëm gjatë muajve të fundit të këtij viti në Qarkun e Elbasanit janë siguruar në mënyrë vullnetare rreth 1250 persona. Mbi 70% të të siguruarve e përbëjnë emigrantët, të cilët, këto kohë, kanë shfaqur interes në pagesën e sigurimeve vullnetare. Ky është një shembull shumë domethënës dhe për ata qytetarë që neglizhojnë të derdhin kontributet, duke harruar se nesër do e vuajnë vetë këtë qëndrim”,- pohon Shkëlqim Duka, drejtori i Sigurimeve  Shoqërore në Elbasan. Sipas tij, nëse personat bëjnë pagesën e sigurimeve për të gjithë vitin ata përfitojnë ulje në masën e 6%, për 6 muaj përfitojnë 3% ulje dhe për tre muaj 1.5 %. “Është një lehtësi e konsiderueshme që duhet shfrytëzuar”,- shton Duka.  Ai fton të gjithë qytetarët e Qarkut të Elbasanit që nuk janë në kontakte pune dhe janë të pasiguruar, që të derdhin në mënyrë vullnetare kontributin  aq sa ligji  e përcakton në mënyrë që  kur të arrin moshën të përfitojnë pensionin pasi është e vetmja mënyrë për të siguruar një pleqëri sa më të mbarë. “Për të përfituar pension një qytetar duhet të ketë 35 vite punë. Nëse këto vite nuk plotësohen ata, janë të  detyruar ta mbulojë me anë të sigurimit vullnetar.  Kontributi i një individi për 1 vit kap vlerën e 47 mijë e 800 lekëve. Një shumë kjo simbolike”,- shtojnë specialistët për gazetën “Telegraf”. Por përtej këtij apeli, konstatohet se një pjesë e konsiderueshme qytetarësh, të vetëpunësuar, të papunë ose që punojnë në të zezë, neglizhojnë pagesën e kontributeve, duke sjellë për pasojë për veten e tyre një pleqëri pa pension!