Në liqenin e Pogradecit vidhen qindra mjellma dhe shiten nga trafikantë nëpër lokale luksoze

2018
Nga Bardhyl BERBERI
Marrëzi e padëgjuar, 100 euro çifti i çdo mjellme nëpër lokalet luksoze anembanë Shqipërisë
Qytetarët pogradecarë janë tronditur thellë. Atyre ju ka humbur një banor shumë i rëndësishëm i liqenit, Mjellmat që i jenin liqenit një bukuri të veçantë . Po ku janë mjellmat, si ka mundësi që ato janë zhdukur që të gjitha nga bregu i liqenit në Pogradec. Disa peshkatarë që nuk duan të identifikohen me emra thonë se mjellmat janë grabitur nga disa trafikantë në liqen, pasi janë kapur me rrjeta natën dhe janë shitur për 100 euro çifti i çdo mjellmë nëpër lokalet luksoze anembanë Shqipërisë. Kjo është një marrëzi e padëgjuar…Edhe në vitin 1997 mjellmat u sulmuan nga disa adoleshentë që i qëllonin me kallashnikov në liqen duke përgjakur ujërat e liqenit dhe duke vrarë disa nga mjellmat. Por më vonë ky fenomen ndali dhe mjellmat së bashku me pulëbardhat dhe rosat e egra ishin dekori i liqenit duke ju dhënë ujërave të kaltra një hijeshi të veçantë …Fëmijë të trishtuar me lot në sy dhe me ushqimin në dorë ashtu siç bënin çdo ditë që ushqenin mjellmat e tretin vështrimin në trishtuar në sipërfaqen e liqenin por askund nuk duket asnjë mjellmë. Asnjë qytet tek ne nuk ka liqenin kaq pranë në gjirin e tij sa Pogradeci. Shëtit në breg dhe ndjen paprerë llokoçitjen e valëve të liqenit, kërcitjen e peshkut, klithjen e pulëbardhave lundrimin e këndshëm të qindra mjellmave që presin në breg që të ushqehen nga fëmijët e vegjël buzë liqenit. Fle natën dhe të duket sikur liqenin e ke aty nën jastëk si një ninullë të bukur hipnotizuese. Ec në parkun e pafund me lule erëmira dhe trëndafila që prej shumë vitesh qytetit i kanë dhënë epitetin si “Qyteti i luleve”. Pogradeci është një qytet shqiptar gjer në palcë, i futur në gjirin e maleve si truri në kafkën e njeriut me një natyrë magjike të vendosur pranë syrit të kaltër. Qyteti i Pogradecit i përket lashtësisë dy mijë vjeçare para erës sonë me një liqen 4 milionë vjeçar. Dikur qyteti është quajtur “Lyhnida “ që do të thotë (dritë ). Pogradeci është një qytet magjik që vetëm në ëndërr është i vërtetë, është qytet i turistëve të shumtë, i adhuruari i poetëve, i shkrimtarëve, i piktorëve “muaji i mjaltit” i sapo martuarve, kënaqësia e admiruesve të ujit të ëmbël,qyteti i dy korifenjve të mëdhenj të letrave shqipe; Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit .Por, Pogradeci njihet edhe si qytet i koranit, peshkut të rrallë që gjendet vetëm në këtë liqen, i verës artizanale dhe gatimeve tradicionale. E reja dhe e vjetra modernia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra tjetrës pa cenuar njëra tjetrën. Bora, liqeni fusha dhe mali fëshfërima e gjetheve cicërima e zogjve, liqeni, varkat, mjellmat, shelgjet lotues janë dekori i këtij Pogradeci që është një nga mrekullitë që natyra dhe njerëzit e saj me mikpritjen dhe dashurinë nuk të lenë të largohesh pa marrë me vete dashurinë dhe mallin për t`u rikthyer përsëri. Një relaks i vërtetë në Drilon nën mrekullinë e një pylli në bregun e liqenit në një park gjigant prej 20 ha me lumin e Volorekës në mes me ishujt të ndarë që mund të vozitish me varkë përgjatë lumit dhe një gjelbërim të harlisur që të të duket vetja sikur je në përrallat e Andersenit. Dikur një nga rezidencat e Enver Hoxhës ku kalonte orë të tëra mes rrapishtave dhe mështeknave nën ujërat e kristalta të lumit Volorekë që nanurit me një qetësi perëndie, i rrethuar anembanë nga mjellmat dhe rosat e shumta. Vetëm këtu pronarët e Drilonit i kanë ruajtur mjellmat nga grabitësit. Eleton Qirici një nga pronarët e vilës “ART” në Drilon thotë për gazetën “ Telegraf” se është i shqetësuar për këtë super skandal të kësaj marrëzie të vjedhjes së mjellmave dhe shitjen e tyre nëpër lokale luksoze anembanë vendit që kanë krijuar pranë lokaleve hauze me ujë. Eltoni thotë, se është i shqetësuar edhe për dy mjellma të zeza që janë sjellë në liqenin e Ohrit nga një park zoologjik nga Beogradi, të cilat nga bregu i Ohrit ku ishin lëshuar kishin mbërritur pikërisht në bregun tjetër të liqenit në Tushemisht dhe Pogradec. Ky është një turp t’i vjedhësh liqenit banorët e tij siç janë mjellmat, padyshim që duhet të hetohet dhe të zbulohen autorët e kësaj masakre barbare ndaj mjellmave.
Disa peshkatarë që nuk duan të identifikohen me emra thonë se mjellmat janë grabitur nga disa trafikantë në liqen, pasi janë kapur me rrjeta natën dhe janë shitur për 100 euro çifti i çdo mjellme nëpër lokalet luksoze anembanë Shqipërisë. 
Sigal