“Në grevë ka edhe ish-të përndjekur që nuk duhet të marrin pjesë, ja arsyet”

560
Sigal

INTERVISTA/ Flet nga Elbasani për “Telegraf”, ish-i përndjekuri Flamur Harri: “Greva nuk ka lidhje me politikën”

Ish-i përndjekuri politik, Flamur Harri komenton nga Elbasani grevën e urisë që sot shënon ditën e 26-të. Harri shprehet se, shoqata e këtij qytet mbështet grevën e urisë, por jo me masa ekstreme. Ai thotë se, duhet të shikohen edhe ata që janë futur në grevë, pasi nuk meritojnë asgjë dhe duhen nxjerrë jashtë. Pasi sipas tij ka edhe nga ata që kanë qenë në burg për ordinerë e që kanë përfituar dhe prandaj duhet të kalojnë në filtër. Ai thotë se greva nuk ka as një qëllim politik dhe se është ekonomike. Harri deklaron se Nishani dhe Arvizu do bëjnë diçka për zgjidhjen e problemit të të përndjekurve politikë.

Ju jeni një familje e persekutuar dhe jeni më afër problemit. Cili është mendimi juaj për grevën e urisë është ekonomike apo politike?

Greva është ekonomike, nuk ka kërkesa politike, e them këtë se greva me karakter politik kanë qenë ato të viteve 1990-1991, ku shqiptarët kërkonin ndryshimin e sistemit komunist. Fitorja e 22 marsit 1992 shënoi shpresën që Shqipëria të realizojë një votim të pastër, ku mbi 80 për qind e popullit u shprehën për një demokraci e për pluralizëm, për korrigjimin e gabimeve, për rikthimin e pronës të familjeve të konfiskuara nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, për rikthimin e dinjitetit të të persekutuarëve politikë. Pra kemi dy koncepte grevë ekonomike dhe ndryshime politike,sepse po të ishte politike nuk ka kuptim sepse ne të dënuarit politikë vuajtëm pafundësisht  si familja jonë tre breza ashtu edhe të gjithë shqiptarët vuajtën tre breza, flas për ata atdhetarë që e ndjenë shtypjen komuniste që më 29 Nëntor 1944. Pra ta dallojnë që është një grevë me kërkesa ekonomike.

A ka patur një komision për verifikimin e dosjeve të të përndjekurve politikë?

Meqenëse unë kam fatin që u linda dhe u rrita më diktaturë e njoh shumë mirë mënyrën e organizimit, fatkeqësisht individë të caktuar nga shtresa jonë që kanë qëndruar heroikisht, fëmijët e tyre janë vënë në shërbim të sigurimit komunist dhe në këtë moment politika shqiptare luftoi pjesën e ndershme të të persekutuarëve politikë. Neve kemi pronë të konfiskueme nga regjimi komunist, ku janë dokumentet e ruajtura dhe të firmosura nga persekutorët, ndërsa sot kryetari i bashkisë thotë që nuk ka pronë të konfiskuara familja Harri, kemi 22  vjet që neve sorollatemi për këtë pronë nëpër dyert e zyrave të shtetit. Padrejtësia shqiptare e ka kapur shtetin shqiptar prej fyti, shtetin dhe miletin. Në qoftë se duhet të vihen pikat mbi “i”, nuk luftohet korrupsioni në administratën shtetërore, sepse janë hequr njerëzit e ndershëm dhe janë në punë ca që prej 40 vjetësh në çdo sistem dhe në çdo parti që shkon e vjen mbijetojnë e qëndrojnë në këmbë.

Grevën e urisë së të përndjekurve politikë e vizitoi Presidenti Bujar Nishani dhe ambasadori amerikan si mendoni do të këtë zgjidhje kjo çështje?

Po e them që në fillim jemi dënuar si familje si pro perëndimorë, si pro amerikanë, ne nuk luajmë nga  pozicioni politik, kemi shprehu, kemi vuajtur, kemi besuar se shteti amerikan, qeveria amerikane do të kujdeset për këtë shtresë që u persekutua 50 vjet. Amerika të mos dëgjojë ata që e kanë shara Amerikën për 50 vjet e që na kanë dënuar neve, pasi janë atë njerëz që sot bërtasin më shumë se neve, sikur janë pro amerikanë. Amerika duhet t’ja shtrëngojë qeverisë shqiptare që t’i kthejë sytë këtej nga neve, nga shtresa e martirizuar e kombit shqiptarë.

Grevistët e urisë kanë refuzuar gjithçka? Nuk mendon se do të ishte më mirë të bëhej një protestë paqësore?

Po edhe unë jam për një grevë paqësore, demokratike dhe jam kundër vetëflijimit, ç’kuptim ka kur t’i vetëflijohesh dhe tjetri të fërkojë duart, boll jemi burgosur, pushkatuar e sakatuar dhe Europa edhe Amerika duhet ta dëgjojë zërin tonë se ata përfaqësues që janë në grevë nuk janë dhjetë nuk janë njëqind vetë, por kanë me mijëra mbështetës mbrapa, kanë ajkën e kombit shqiptarë mbi vete. Hiprokizinë komuniste e njohim neve që u rritëm nën thundrën e luftës së klasave.

Po për moslejimin e gazetarëve për të kontaktuar me grevistë si e komentoni?

Falënderoj gazetarët për grevën që po e mbështesin, por është mjerane që nuk lejohen gazetarët të takojnë ish të përndjekurit politik, kjo ju përket regjimeve diktatoriale. Përse të mos tregohet e vërteta? Në demokraci nuk ka censurë.

______________________________________________________________________________________

TË SHIKOHET MIRË STATUSI I GREVISTËVE

Harri për statusin tha se: “Ndarja e të persekutuarëve politikë për mua është shumë sinjifikative, që padrejtësisht me statusin që ju bë, pasi i kanë futur në një thes si intelektualët, si patriotët e mëdhenj edhe ata të burgosurit ordinerë. 10 vjet burg ka bërë X person, ka ngrënë plumbin X person nga ata intelektualët e fuqishëm dhe kjo nuk krahasohet më një thyes kufiri ordiner që bënte një krim ordiner duke tentuar të arratiset dhe ky të quhet i përndjekur politik. Kjo nuk është e drejtë. Këtu duhej të kishte njëfarë diferencimi. Tjetër dua të them që pati intelektualë që ju nënshtruan diktatorit, që gëzuan privilegjet e tij, ku u shpërblyen më poste”.

MBËSHTETJE PARTIAKE?!

Pyetjes nëse kjo është një grevë e iniciuar nga PS-ja, Harri iu përgjigj: “Unë dua të theksoj se ish të përndjekurit nuk janë anëtarë i asnjë partie, unë udhëhiqem nga motivet se “Partia ime është Shqipëria ime, Shqipëria demokratike”. Kam miq të mirë si në PD ashtu dhe në PS. Pra miqtë e mi më të mirë janë njerëzit e mirë. Unë nuk paragjykoj asnjë, kemi 22 vjet që i dhamë PD-së dhe nuk na dha të drejtat tona, pronat tona, megjithëse erdhën në pushtet në emër të vuajtjeve tona, në emër të pronarëve që është palca e kombit, fatkeqësisht nuk i realizoj premtimet dhe aspiratat tona dhe nuk na dha ato që na takonin”.