Në Durrës, ligji anti-duhan, kthen dasmën në… “shesh dajaku”

856
Sigal

Dasmorët rrahin pronarin e lokalit se i ndaloi të pinin cigare në fund, jo kur u mori paratë

Kemi dëgjuar që edhe në dasma, ku njerëzit shkojnë për qejf e aheng, pas këngës, valles, pjatës e “dollisë së parë” me fund, nisin me njeri-tjetrin romuzet, britmat, krekosjet, sharjet, mburrjet, ngacmimet me duar e këmbë, diktatet për të pirë raki e për të mos pirë ujë gjatë rakisë, ofendimet e grindjet, një “lojë primitive” kjo, që shpesh mbyllet me përleshje fizike e që në shumë raste kanë përfunduar deri në vrasje brenda krushqive, fiseve, komshinjve e vëllazërive. Motivet janë “sëmundja” e shqiptarëve për t’u gërricur në dasma. Kam dëgjuar edhe personalisht edhe nga rrëfimet e të tjerëve, se shumë grindje e dajak nëpër dasma është shkaktuar për gjëra të tilla, si: Pse shikon nga vajza ime? Pse do të kërcesh me nusen? Pse erdhe vonë në dasmë? Mos pi ujë, kur pi raki? Pse ma ndërrove rakinë? Pse më ule në fund të sallës e jo në krye të tavolinës? Unë vajta krushk e ty nuk të përfillën fare… Ne jemi fis i madh e trima, ju trembeni nga hija juaj… Fshati ynë bën ligjin, juve nuk u pyet njeri… Pse me ndërpreve dollinë? Pse nuk e pi me fund? Pse nuk del të kërcesh? Pse me ofendove krushkun? Pse nuk pi aq gota sa piva unë?, etj. Por në një dasmë të zhvilluar këtë javë në qendër të qytetit të Durrësit, nuk ka pasur asnjë motiv të tillë banal e përsëri ka plasur sherri e më pas dajaku. Mos u habisni, por shkak i dajakut që plasi në mes të dasmës, ishte ligji anti-duhan. Dasmorët duke kërcyer, ngrënë, pirë e kënduar, në kulmin e “tallavasë” së tyre të shfrenuar, po pinin edhe duhan. Befas, pronarit të lokalit ku bëhej dasma, “iu shkrep në kokë” të kërkonte një sekondë qetësi. Dasmorët heshtën dhe qëndruan në pozicionet ku ishin, duke mbajtur në duar shishe rakie për dolli e duhan që tymosnin sallën. Pronari lokalit, u tha: Nuk do pini më duhan se nuk lejohet me ligj. Dasmorët, nuk e përfillën fjalën e pronarit të lokalit dhe ia nisën sërish ahengut, duke kërcyer, duke kënduar e duke ngritur dolli me “faqore” rakie e birra dhe duke pirë duhan si “tym oxhaku kaldaje”. Pronari, për të treguar që ishte “i fortë”, ndërpreu muzikën. Por dasmorët që e paguanin, e urdhëruan të gjëmonte përsëri dhe ashtu u bë. Pronari doli nga salla dhe pas disa minutash hyri në sallë i shoqëruar me disa inspektorë të mjedisit, që kontrollonin zbatimin e ligjit anti-duhan! Edhe pse dasmorët ishin në “botë tjetër”, nga pija dhe muzika çmendëse, e kuptuan që inspektorët i njoftoi pronari. Pasi kërcënuan inspektorët dhe “ata ia mbathën”, dasmorët çakërrqejf iu vërsulën pronarit të lokalit, e shtrinë në dysheme dhe e shtruan në “dajak”, duke e goditur pa kontroll dhe, pasi e “dendën në dajak,” e nxorën jashtë sallës dhe iu rikthyen ahengut e dollive më me zjarr e revansh se përpara dajakut, jo sikur kishin rrahur pronarin e lokalit, por sikur i kishin rënë… daulles së dasmës! Sikur të mos mjaftonin telashet e dajakut, dasmorëve u ra në qajë, paskëtaj, edhe Inspektoriati i Mjedisit, meqë kalimtarë të rastit, e ndonjë banor aty disa (kilo)metra më tej, ishin ankuar për shkeljen e ligjit të ndotjes së mjedisit nga daullja  e sazeve e të bërtiturat e qejfit të madh të dasmorëve. Po, meqë Inspektoriati i antiduhanit hëngri dru si në duhan, këta të   Inspektoriait të ndotjes së ajrit, u treguan më të zgjuar. Kishin ftuar me vete edhe trimat e RENE-së dhe FSHN-së, të cilët, të shoqëruar edhe me blinda që hedhin ujë me presion, pasi çanë rrethimin e kundërshtimit, ua mbyllën gojën dasmorëve, që të mos këndonin më për një javë, në vend të… gjobës.

P. HALILI