Në 1 tetor, rishikim i të gjitha lejeve të ndërtimit

562

Planifikimi i territorit /Ja si do të merren lejet e ndërtimit dhe leja e miratuar në heshtje, sipas ligjit të ri

 Të gjitha planet e miratuara, do të rishikohen dhe ndryshohen në përputhje me ligjin e ri “Për planifikimin e territorit”, të botuar dje në fletoren zyrtare. Ky ligj hyn në fuqi në 1 tetor dhe parashikon gjithashtu prishjen dhe konfiskimin  e të gjitha ndërtimeve pa leje në zonat ku ka plane zhvillimore. Ligji i ri përcakton afatet për lëshimin  e lejes së zhvillimit, me specifikimin se,  këto afate fillojnë nga data e dorëzimit  të dokumentacionit të plotë të aplikimit  për leje dhe miratohen nga 30 deri në  60 ditë në varësi të lejes. Ndërsa koncepti “Miratimi në heshtje” vlen jo vetëm për leje normale ndërtimi, por edhe për leje zhvillimore komplekse që kërkojnë një shqyrtim të vëmendshëm të aplikimit. Aplikimi i kërkesës për leje shqyrtohet më parë nga Zyra e Urbanistikës që jep më parë opinion. Me ndryshimet në ligjin e ri, nëse Zyra e Urbanistikës ka dhënë OK dhe më pas kryetari i bashkisë nuk përmbush afatet e shqyrtimit, leja do të quhet e miratuar në heshtje. Më poshtë gazeta “Telegraf” do të japë ndryshimet kryesore që parashikohen nga ligji i ri “Për planifikimin e  territorit”.

 Autoritetet përgjegjëse për zhvillimin e territorit

1. Këshilli Kombëtar i Territorit

2. Kryetari i bashkisë

Pezullimi i zhvillimit

Në rastet kur është marrë nisma për hartimin e një dokumenti planifikimi, autoriteti përgjegjës i planifikimit mund të vendosë pezullimin e zhvillimit, me qëllim ruajtjen e planifikimit për zonën objekt planifikimi. Pezullimi i zhvillimit ka për efekt ndalimin e përkohshëm të zhvillimit ose shtyrjen e shqyrtimit të kërkesave për zhvillim e ndërtim në të gjithë territorin, ose në një pjesë të tij për një, disa ose çdo tip zhvillimi.

Pezullimi i zhvillimit nuk zbatohet për:

a) zhvillime për të cilat leja e ndërtimit është miratuar, formalisht ose me miratim në heshtje, përpara vendimit për pezullimin e zhvillimit; b) punimet e mirëmbajtjes;

c) zhvillime publike, shtetërore me interes vendor ose kombëtar.

Afatet e pezullimit

Pezullimi i zhvillimit mund të vendoset për një periudhë kohore deri në 12 muaj dhe mund të zgjatet edhe për 6 muaj të tjerë, për shkaqe të arsyeshme. Vendimi për pezullimin e zhvillimit shfuqizohet automatikisht me përfundimin e kësaj periudhe.

Leja e zhvillimit

Leja e zhvillimit është dokumenti i lëshuar nga autoriteti përgjegjës që përcakton kushtet zhvillimore për një pronë të caktuar. Leja e zhvillimit është e nevojshme për çdo parcelë dhe jepet me miratimin e planit të detajuar vendor. Në rastin e parcelave, për të cilat nuk parashikohet hartimi i një plani të detajuar vendor, leja e zhvillimit jepet me miratimin e planit të përgjithshëm vendor.

 Leja e ndërtimit

Leja e ndërtimit është e nevojshme për çdo ndërtim, riparim, restaurim apo prishje të objekteve ekzistuese, instalim apo ngritje të ndërtimeve të përkohshme. Dokumenti i lejes së ndërtimit përshkruan të gjitha kushtet për kryerjen e punimeve të ndërtimit në përputhje me dokumentacionin shoqërues të aplikimit dhe normave dhe standardeve të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Përfituesi i lejes së ndërtimit, pronari i ndërtimit, sipërmarrësi, mbikëqyrësi dhe zbatuesi i punimeve janë përgjegjës solidarisht për kryerjen e punimeve në përputhje me këtë ligj, me dispozitat ligjore që rregullojnë veprimtarinë e ndërtimit në Republikën e Shqipërisë, me dokumentet e planifikimit në fuqi, si dhe me kushtet dhe kriteret e lejes së ndërtimit. Lejet e ndërtimit të miratuara në kundërshtim me ligjin dhe dokumentet e planifikimit në fuqi janë absolutisht të pavlefshme.

 Afatet për punimet

Afati për fillimin e punimeve nuk mund të jetë më i gjatë se 1 vit nga data e miratimit të lejes së ndërtimit. Afati i përfundimit të punimeve përcaktohet në bazë të kalendarit të punimeve të miratuar nga autoriteti i planifikimit. Shtyrja e afatit të përfundimit të punimeve dhe ndryshimi i subjektit zbatues të përcaktuar në lejen e ndërtimit kryhen nga autoriteti që ka miratuar lejen, me kërkesë të subjektit të pajisur me leje ndërtimi. Shtyrja e afatit të përfundimit të punimeve bёhet vetëm një herë, për një periudhë jo më të gjatë se afati fillestar i përcaktuar në lejen e ndërtimit, mbi bazën e një kërkese të dorëzuar brenda afatit të vlefshmërisë së lejes dhe, në çdo rast, jo më vonë se 45 ditë përpara përfundimit të afatit të lejes.

Leja e miratuar në heshtje dhe punimet e papërfunduara

Kërkesa për shtyrjen e afatit të punimeve konsiderohet e miratuar në heshtje nëse autoriteti i planifikimit nuk i njofton vendimin përkatës subjektit kërkues brenda afatit 45-ditor nga dita e depozitimit të kërkesës. Për përfundimin e punimeve të papërfunduara brenda afatit të përcaktuar, është e detyrueshme pajisja me një leje të re ndërtimi, me përjashtim të rastit kur këto mund të kryhen me deklaratë punimesh mirëmbajtjeje apo kur kërkohet shtyrja e afatit të përfundimit të punimeve në lejen e ndërtimi. Për punimet e filluara prej më shumë se dhjetë vjetësh dhe ende të papërfunduara, sipas projektit të miratuar, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejes së ndërtimit përcakton mënyrën e ndërtimit të detyruar ose vendos prishjen apo konfiskimin e ndërtimit.

  Deklarata paraprake për kryerjen e punimeve, jo leje ndërtimi

Rregullorja e zhvillimit përcakton listën e ndërtimeve, instalimeve dhe punimeve që, për shkak të ndërhyrjeve jothelbësore në objekt, natyrës së përkohshme së instalimeve ose rregullimit të kontrollit të zhvillimit nga një leje apo autorizim tjetër apo nga legjislacion i posaçëm sektorial, nuk kërkojnë pajisjen me një leje ndërtimi dhe janë objekt i një deklarate paraprake për kryerje punimesh. Deklarata me shkrim e depozituar pranë autoritetit përgjegjës të kontrollit të zhvillimit, bashkërisht me projektin e punimeve, të hartuar dhe nënshkruar nën përgjegjësinë e profesionistëve të licencuar, është dokumenti i vetëm i mjaftueshëm për fillimin e punimeve të ndërtimit.

Certifikata e përdorimit

Në fund të procesit të zhvillimit, autoriteti përgjegjës i planifikimit lëshon certifikatën e përdorimit të objektit, që vërteton përfundimin e punimeve, në përputhje me kushtet e lejes së ndërtimit ose deklaratës paraprake për kryerje punimesh. Në të gjitha rastet, subjekti që kryen punimet lëshon deklaratën e përputhshmërisë që konfirmon kryerjen e punimeve në përputhje me normat dhe standardet e sigurisë në fuqi. Certifikata e përdorimit lëshohet vetëm kur aktet e kontrollit vërtetojnë realizimin e punimeve, në përputhje me kushtet e lejes ose deklaratës paraprake për kryerje punimesh. Në rast se konstatohet mospërputhje e punimeve të kryera me kërkesat, autoriteti i planifikimit lëshon aktin e konstatimit të mospërputhshmërisë, i cili jep sugjerimet dhe afatin kohor dhe, nëse afati kohor nuk respektohet, sanksionet për sigurimin e përputhshmërisë nga zhvilluesi.

 Aplikimi për leje ndërtimi

Aplikimi për leje ndërtimi duhet të kryhet përmes portalit të Regjistrit të Integruar të Territorit. Aplikimi për leje ndërtimi përmban një përshkrim të hollësishëm të punimeve që do të kryhen dhe shoqërohet nga dokumentacioni i plotë ndërtimor, përfshirë projektet e detajuara, të hartuara dhe nënshkruara nën përgjegjësinë e ekspertëve të licencuar.

 Shqyrtimi i kërkesës për leje ndërtimi

Autoriteti përgjegjës, shqyrton aplikimin për leje ndërtimi sipas parimit me një ndalesë, duke bashkërenduar punën me të gjitha autoritetet publike të specializuara që duhet të shprehen në lidhje me aplikimin. Autoriteti përgjegjës vendos për lejen e ndërtimit brenda 60 ditëve nga dorëzimi i aplikimit për leje ndërtimi. Në rast se autoriteti përgjegjës nuk merr vendim brenda afatit të mësipërm dhe struktura përgjegjëse e planifikimit pranë autoritetit vendor nuk ka dhënë mendim negativ lidhur me kërkesën, leja e ndërtimit konsiderohet e dhënë në heshtje. Miratimi në heshtje nuk zbatohet për lejet e ndërtimit qё janё në kompetencё të KKT-sё, si dhe për punime të tjera, përfshirë ato me rrezikshmëri të lartë.

Dorëzimi i lejes së ndërtimit

Dokumenti i lejes së ndërtimit i dorëzohet kërkuesit të saj nga autoriteti përgjegjës, jo më vonë se: a) 15 ditë nga data e marrjes së vendimit për miratimin e lejes së ndërtimit nga kryetari i bashkisë; b) 30 ditë nga data e marrjes së vendimit për miratimin e lejes së ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Rishikimi i planeve

Planet e përgjithshme janë objekt ndryshimi, kur është e nevojshme dhe në çdo rast objekt rishqyrtimi të plotë çdo 15 vjet. Planet ndryshohen edhe kur ka ndarje administrative dhe territoriale, ndryshime të paparashikuara demografike, sociale dhe ekonomike, ndryshime të shkaktuara nga kriza sektoriale apo nga forca madhore, si dhe në rastet kur lind nevoja e harmonizimit me dokumente të një niveli më të lartë planifikimi apo të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian. Këshilli i Ministrave me akt nënligjor mund të përcaktojë, për raste të veçanta, procedura të thjeshtuara për ndryshimin e planeve.