Ndryshon projekti i stadiumit të ri, dy kate parking nëntokësor

471
Sigal

Shqipëria aktualisht ka
dy stadiume me parametra ndërkombëtarë të licencuar nga UEFA e FIFA jo vetëm
për ndeshjet kualifikuese të Kombëtares, por edhe për zhvillimin e ndeshjeve të
vlefshme për fazën e grupeve të Europa Ligës.

Mirëpo, momentalisht po
punohet për ndërtimin e një tjetër impianti, gati dy herë më të madh sesa
“Elbasan Arena” për nga kapaciteti, por edhe i një shkalle më të lartë
komoditeti. Së fundmi, kompania projektuese e stadiumit dhe firma që po vë në
zbatim projektin e ndërtimit kanë gjetur një zgjidhje edhe për problematikën e
hasur për themelin e njërës prej tribunave anësore.

 

Zgjidhja



Punimet në stadiumin e
ri kombëtar janë duke ecur në ritme mjaft të mira dhe brenda të gjitha
pritshmërive. Personi përgjegjës për
infrastrukturën në Federatën Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj, ka
shpjeguar edhe ndryshimin e projektit që i ka dhënë zgjidhje kësaj
problematike.


“Në themelin e tribunës
anësore nga qyteti u pa e nevojshme që të përforcohej bazamenti për shkak të
një problematike të hasur. Kjo kërkoi edhe nevojën për një ndryshim të
projektit dhe tashmë pjesa nëntokësore do të jetë dy kate. U mendua që ta
shfrytëzonim diçka të tillë, për të mos e mbushur me beton, por ta bënim dy
kate parking”, ka deklaruar Dervishaj.

 

Afatet



Sipas anëtarit të
Komitetit Ekzekutiv në FSHF, ecuria e punimeve është brenda pritshmërive. Kjo
pasi momentalisht nuk ka asnjë pengesë dhe problematikë për firmën e ndërtimit,
e cila është duke ecur me ritme të kënaqshme. “Pritet që në fund të muajit
janar apo në fillim të shkurtit të ketë përfunduar plotësisht pjesa tokësore
dhe të nisë ngritja mbi tokë e impiantit”, shton Dervishaj.

 

Punimet



Është bërë një vëzhgim
të ndërtimeve mbi impiantin e ri që po ndërtohet në kryeqytet. Nga sa shihet
edhe në foton ilustruese, në tribunën qendrore dhe atë përballë, pothuajse
është përfunduar puna për ndërtimin e themeleve. Për momentin, puna është përqendruar
në përfundimin e themelit edhe për tribunën anësore të pjesës nga qyteti. Kjo
do të bënte që më pas të përfundonte plotësisht puna për dy katet nëntokësore
që do të jenë në impiant, për të filluar më pas me ngritjen e impiantit mbi
sipërfaqen e tokës.

 

Firma ndërtuese është
duke shfrytëzuar në maksimum kohën dhe në kantier janë të përqendruar forca të
shumta punëtore. Tre vinça të mëdhenj janë ngritur mbi kantier, që përdoren për
ngritjen dhe zhvendosjen e mjeteve të ndërtimit dhe materialeve të ndryshme.
Moti i kthjellët ka qenë një avantazh i madh në këtë periudhë, pasi u ka
dhënë mundësinë punëtorëve dhe firmës që të programojnë qetësisht dhe
lehtësisht kohën e kryerjes së fazave të ndryshme në gërmimin dhe ndërtimin e
themeleve.

 

Siç është thënë nga
drejtuesit e lartë në FSHF, ky impiant është parashikuar në kontratë që të
përfundojë brenda dy viteve nga dita e nisjes së punimeve, pasi në rast të
kundërt janë përcaktuar edhe disa penalitete.

 

Ndërkohë, kreu i
FSHF-së ka deklaruar së fundmi se institucioni që ai drejton ka bërë kërkesën
në UEFA e FIFA për të qenë kandidat për të mirëpritur finalen e Superkupës së
Europës që do të zhvillohet në vitin 2019. Për të bërë të mundur diçka të
tillë, pikë së pari duhet të ketë përfunduar impianti brenda afateve dhe të
jetë certifikuar nga UEFA e FIFA, dhe më pas të pranohet kjo kërkesë e
institucionit të futbollit.