Ndryshojnë pagesat e policëve dhe bashkëshortëve të tyre në rast transferimi

749
Ndryshojnë masat e përfitimeve të punonjësve të policisë në rast shërbimi, nevojave të punës apo fatkeqësive që mund t’i ndodhin në familje. Vendimi i djeshëm i qeverisë nr.183, datë 9.2.2011 “Për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”, parashikon gjithashtu edhe pagesat për bashkëshortet/ët e punonjësve të policisë që transferohen larg vendbanimit. Policët me gradën “inspektor” nuk përfitojnë nga ky vendim.
Sigal

Kompensimi i punonjësve të policisë kur transferohen

Punonjësi i Policisë së Shtetit, kur caktohet në punë jashtë vendbanimit të vet, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi. Masa e pagesës për kompensim udhëtimi është, si vijon:

a) Nga 36 km deri 60 km, në masën 3 000 lekë/muaj;

b) Nga 61 km deri 100 km, në masën 5 000 lekë/muaj;

c) Nga 101 km deri 150 km, në masën 8 000 lekë/muaj;

ç) Nga 151 km deri 200 km, në masën 10 000 lekë/muaj;

d) Mbi 200 km, në masën 15 000 lekë/muaj.

Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të policisë, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e juridiksionit të komisariatit të policisë apo drejtorisë së policisë së qarkut, ku ai bën pjesë.

Dokumentet për të përfituar kompensimet

Për përfitimin e pagesës, sipas këtij vendimi, punonjësi i policisë paraqet në organin, ku është transferuar, dokumentacionin e poshtëshënuar:

a) Kërkesë me shkrim, pranë njësisë buxhetore ku është i punësuar punonjësi i policisë. 

b) Fotokopje të kartës së identitetit, certifikatën e gjendjes civile familjare.

c) Vërtetim nga organi qeverisjes vendore, ku të vërtetohet vendbanimi i familjes dhe i vetë punonjësit të policisë, pavarësisht nga gjendja civile.

ç) Vërtetim pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme nëse punonjësi i policisë ka banesë në juridiksionin ku është transferuar.

d) Vërtetim pranë drejtorive të ALUIZNI-t nëse punonjësi i policisë ka aplikuar për legalizim banese në juridiksionin ku është transferuar.

Pagesa për bashkëshorten/in të punonjësit të policisë, të transferuar

Kur punonjësi i policisë transferohet për nevoja pune dhe, për këtë shkak, bashkëshortja/i humbet marrëdhëniet e punës, në rast të pamundësisë së punësimit, i jepet një pagesë, deri në çastin e punësimit, në masën:

a) 50% të pagës mujore minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi pune mbi 1 vit dhe shtesë në masën 5%, të pagës mujore minimale në shkallë vendi, për çdo vit mbi 1 vit, por jo më shumë se paga minimale në shkallë vendi.

b) 100% të pagës mesatare mujore të vitit të fundit të punës, por jo më shumë se 150 % të pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi në punë mbi 10 vjet.

Paga mesatare mujore e bashkëshortes/it të rritet sipas indeksit të pagës minimale, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Vjetërsia në punë e bashkëshortes/it do të konsiderohet vjetërsia e përgjithshme në punë, e dokumentuar në librezën e punës së çdo punonjësi/e, me përjashtim të viteve të sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak për meshkujt, viteve të shkollimit në institucionet e arsimit të lartë dhe periudhave të trajtimit me pagesë papunësie. Përfitimi i pagesës, sipas këtij vendimi, mund të përfitohet për një periudhë deri në 7 vjet. Ndërsa bashkëshortja/i, që ka përfituar sipas vendimit nr.183, datë 9.2.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”, do të vazhdojë të përfitojë pagesën, sipas përcaktimeve të bëra në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij vendimi, por jo më shumë se 15 vjet. Koha e qëndrimit pa punë e bashkëshortes/it të punonjësit të policisë llogaritet në vjetërsinë e përgjithshme të punës për efekt pensioni. Kontributi i sigurimeve derdhet nga institucioni dhe përfituesi sipas skemës së sigurimeve shoqërore për punonjësit civilë.

Dokumentet për pagesën e bashkëshortes/it 

Për përfitimin e pagesës, sipas këtij vendimi, punonjësi i policisë paraqet në organin, ku është transferuar, dokumentacionin e poshtëshënuar:

a) Kërkesë me shkrim, me gjenealitetet e plota, ku përshkruhet:

– organi ku ka punuar;

– data e transferimit,

– arsyeja e transferimit;

– adresa ku ka banuar;

– adresa aktuale ku banon pas transferimit;

– qendra e punës ku ka punuar bashkëshortja/i, data dhe shkaku i largimit nga puna.

b) Vërtetim të pagës mesatare mujore të vitit të fundit kalendarik të punës për pagesën e marrë nga bashkëshortja/bashkëshorti.

c) Vërtetim nga sigurimet shoqërore për kontributet e derdhura nga bashkëshorti/bashkëshortja për periudhën e punësimit.

ç) Librezën e punës së bashkëshortes/it, ku të jetë cilësuar largimi nga puna për arsye të transferimit të bashkëshortes/it.

d) Vërtetim nga zyra përkatëse e punësimit, ku të vërtetohet se bashkëshortja/i është regjistruar si punëkërkues i papunë dhe nuk i është ofruar punë në profesionin e saj/tij. Këtë vërtetim punonjësi e paraqet çdo tre muaj në zyrën e personelit.

dh) Kontratën e qirasë së banesës ku punonjësi është i transferuar.

Në çdo 6 muaj, njësitë administrative buxhetore të Policisë së Shtetit të dërgojnë në zyrat rajonale të punësimit listën emërore të bashkëshortëve/eve, për trajtimin me përparësi nga këto zyra të punësimit të tyre, në rastet e hapjes së vendeve të lira.

Policët me gradën “inspektor” nuk përfitojnë nga ky vendim

Punonjësit e policisë me gradën “inspektor” përfitojnë sipas pikave 1 dhe 5, vetëm në rastet kur iu kërcënohet jeta dhe familja dhe në raste të veçanta ristrukturimi, por, në çdo rast, pagesat për këtë kategori punonjësish do të propozohen nga njësia shpenzuese dhe do të miratohen nga drejtori i Policisë së Shtetit. 

Kompensimi për punën jashtë orarit të trajnuesve

Punonjësi i policisë, në përpjesëtim me kohën e shpenzuar gjatë ushtrimit të detyrës shtesë të trajnuesit në terren të punonjësve të policisë që kanë përfunduar periudhën e shkollimit në shkollën bazë të policisë, përfiton shtesë mbi pagën mujore në masën 40 lekë/orë, por jo më shumë se 7 000 (shtatë mijë) lekë.

Kompensimet në rast fatkeqësish në familje

– Punonjësve të Policisë së Shtetit iu jepet ndihmë e menjëhershme financiare, në masën e një page mujore, në rastet e fatkeqësive në familje.

– Pagesa i jepet punonjësit të policisë për rastet e vdekjes së një anëtari të familjes së tij (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët). Pagesa jepet me urdhër nga titullari i institucionit.

– Masa e ndihmës financiare do të përballohet nga fondi i veçantë i institucionit.