Sigal

Në takimin me mësuesit e portalit, mësues për Shqipërinë, kryeministri Edi Rama tha se qeveria do të mbulojë të gjitha shpenzimet e nxënësve ekselentë që do të nisin studimin në universitet në këtë vit. Përvec librave falas, qeveria do të ndalojë edhe përdorimin e celularëve në ambientet e shkollës si dhe do ta shtrijë këtë vendim për të gjithë administratën publike.

Suksesi i reformës në arsim për kryeministrin Edi Rama është regjistrimi i 300 nxënësve ekselentë për të vazhduar studimet për mësuesi dhe ajo që shteti do të bëjë për ta, sipas kreut të qeverisë është t’i  mbulojë të gjitha shpenzimet e studimeve.

Rama: Për të 300 nxënësit e ekselencës që do të fillojnë të studiojnë për t’u bërë mësues, ne do të paguajmë të gjitha shpenzimet. 

Në takimin me mësuesit, Rama u dha përgjgije edhe kritikëve të nismës për librat falas me kusht që të mos dëmtohen. Kryeminsitri u shpreh se nuk është stres të edukosh fëmijën të mos dëmtojë librin.

Rama: Suedia, vendi më social në botë, modeli që edhe gjermanët thonë nuk e kopjojmë dot, i jep librat falas dhe i kërkon në fund të vitit. Pse, se nuk ka lekë, apo se e ka me hile, siç thonë disa nga këta që zbulojnë të gjitha hilet, se jetojnë vetëm me hile për vete?Jo, është raporti me librin. 

Rama prezantoi edhe projektin e ri të qeverisë për ndalimin e celularëve në ambientet mësimore si të nxënësve dhe të mësuesve.

Rama: Nuk do lejojmë celularë në shkollë, as për fëmijët dhe më vjen keq, as për mësuesit. Ndërkohë po përgatitemi edhe për vendimin që të heqim celularët nga institucionet e shtetit, që janë bërë si klube interneti, të gjitha.

Rama tha gjithashtu se për përgatitjen e fëmijëve me nevoja të vecanta do të jenë 700 mësues që do të ndihmojnë.