Nafta pasuron të huajt, varfëron shqiptarët!

305
Sigal

Pas shfrytëzimit nga “Bankers Petroleum” të fushave naftëmbajtëse në Patos-Marinzë, edhe Dumreja kalon në dorë të italianëve. Sulejman Mato: Pensionistë! 400 mln USD nga nafta e Shpiragut, që shteti ua ka falur të huajve, do rriste me 50% pensionet tona

Pensionistë! 400 mln USD nga nafta e Shpiragut, që shteti ua ka falur të huajve, do rriste me 50% pensionet tona

Sulejman Mato

Pensionistë! Doni pensione të larta? Pyesni Kryeministrin për naftën e Malit të Shpiragut. Sipas një llogarie time janë 400 milionë dollarë vlerë nafte. Janë puset e Shpiragut. Mijëra fuçi nafte në ditë, nxjerrin këto puse.Vetëm një pus nxjerr 100 000 dollarë në ditë.

Katër puse të hapura nxjerrin 400 000 dollarë në ditë. Një llogari e thjeshtë, 12 milionë dollarë në muaj;144 milionë dollarë në vit. Kompania amerikane ka 8 vjet që ka nisur punën dhe ka 4 vjet që ka reklamuar shfrytëzimin e dy puseve. Këto ditë thonë se shumë shpejt fillon pusi i katërt.

Shteti ynë nuk fiton asgjë.

Zoti Rama! Para dy vjetësh ka folur për një kontratë me leverdi për popullin …

Sipas një llogarie nga këto puse përfitohen rreth 400 milionë dollarë, të cilat do shërbenin për të rritur me 50% pensionet tona…A mund të dimë pse nga ky burim shteti ynë ende nuk fiton asgjë?

INFO

Burim nafte

Rreth dy vite më parë kompania amerikane Shell zbuloi një burim i ri të naftës në vendin tonë në pusin Shpirag-4, pranë Beratit. Kryeministri e cilësoi atëherë këtë lajm si një zhvillim të rëndësishëm për ekonominë tonë. Ky zbulim pasoi në vitin 2013 me pusin Shpirag-2, i cili tregoi prezencën e një kolone të lehtë nafte në të paktën 800 m në rezervuar. Shell zotëron 100% të interesave në bllokun 2 dhe 3 dhe do të marrë efektivisht 100% të të drejtave në Bllokun 4 përgjatë vitit 2019. Hapësira e përbashkët e Bllokut 2-3 dhe Bllokut 4 është 4084 km2.

Nafta në Dumre kalon në dorë të italianëve

Gati deklarata mjedisore për kompaninë ‘ENI’, do zhvillohet vrojtimi gjeofizik

Kompania italiane ENI e cila ka një marrëveshje hidrokarbure me qeverinë shqiptare për bllokun e Dumresë do të zhvillojë gjatë këtij viti vrojtimin gjeofizik. Në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit ka kaluar tashmë vendimi për deklaratën mjedisore duke i hapur kështu rrugë procedurave të tjera të kompanisë. Fillimi i vrojtimit gjeofizik, që do të zërë vend përgjatë gjithë këtij viti ishte njoftuar edhe më herët në disa dokumente të kompanisë të dorëzuara pranë autoriteteve. Në të njëjtat dokumente më herët nënvizohej se vrojtimet gjeofizike përdoren gjerësisht në të gjithë botën për të përftuar një pamje të detajuar të ndërtimit gjeologjik nën sipërfaqen e tokës. “Qëllimi i vrojtimit gjeofizik të propozuar do të shfrytëzohet nga Propozuesi i projektit për të vlerësuar potencialin e hidrokarbureve në zonën e vrojtuar dhe informuar mbi vendndodhjet e mundshme të vrojtimit për aktivitete të shpimit kërkimor. Megjithatë, mund të duhen disa vite përpara se ENI të kuptojë plotësisht praninë e mundshme të hidrokarbureve në këtë pjesë të Shqipërisë dhe për të vendosur nëse mund të prodhohen hidrokarbure “shprehej kompania. Metoda për kërkimet do të jetë ajo 2D që përdoret zakonisht për kërkimin rajonal të hidrokarbureve. Zona e projektit ndodhet në rajonin e Dumresë, në tokë, në Shqipërinë qendrore, rreth 40 km në jug të kryeqytetit Tiranë, në një zonë hidrokarbure të eksploruar dhe “provuar” më parë. Blloku Dumre zë një sipërfaqe prej 587 km2.Qeveria, e cila kishte kohë që nxirrte për interes Blloqe të lira nafte arriti të nënshkruante me kompaninë italiane ENI një marrëveshje me kushte të reja sipas kuadrit të ri ndryshe nga ato ekzistuese dhe ku pritet që Shqipëria të përfitojë më shumë. Kjo do të thotë se në rast zbulimi naftë dhe nisje prodhimi vendi ynë përfiton që në fuçinë e parë dhe jo në pritje të nxjerrjes së investimit nga ana e kompanisë. Në atë kohë kur u nënshkrua edhe marrëveshja qeveria shqiptare deklaroi se është rënë dakord me kompaninë, që përfitimi të mos jetë vetëm në aspektin financiar duke marrë më shumë para në buxhet, por edhe sa i takon kapitalit njerëzor.

 Çmimi i naftës kap shifra rekord, ministrja Ibrahimaj: Nuk kemi çfarë të bëjmë, tregu është i lirë

“Nuk ndërhyjmë dot, sepse tregu është i lirë”. Kështu u shpreh ministrja e Financave Delina Ibrahimaj për rritjen e çmimit të naftës në vend, që ka arritur 195 lekë për litër. Sipas ministres kjo situatë është ndikuar nga çmimet në bursë, por që pas 6 muajve të parë të këtij viti pritet që të kthehet në normalitet.“Rritjet e çmimit të naftës dhe nënprodukteve të energjisë kanë qenë subjekt i rritjeve prej muajsh, jo vetëm në Shqipëri, por rajon dhe Europë. Janë të ndikuara nga rritje në bursa, ne jemi në monitorim me qëllim që të bëjmë të gjitha analizat dhe parashikojmë ndërhyrjet, që mund të bëhen. Ne operojmë në një ekonomi tregu të lirë dhe nuk mund të ndërhyjmë te çmimet. Pritet që këto çmime të reduktohen pas 6 mujorit të parë të këtij viti. Do të jetë kalimtare. Me të gjithë gjasat nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje në politika, por jemi në monitorim” tha ajo. E pyetur nëse qeveria ka menduar për heqjen e taksës së naftës, ministrja tha se politikat e taksave nuk mund të ndikohen nga luhatjet momentale të çmimeve.

Pagë minimale çdo muaj për naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit

Gjatë gjithë vitit 2022, qeveria shqiptare ka vendosur të shpërblejë me pagë minimale çdo muaj gjithë naftëtarët dhe ish-naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u bëri thirrje të gjithë naftëtarëve dhe ish-naftëtarëve, që të paraqesin dokumentet e nevojshme pranë zyrave të punës.“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam një vendim shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me mbështetjen sociale të qeverisë shqiptare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh. Sipas këtij vendimi, gjatë gjithë vitit 2022, do të ketë një pagesë kalimtare e barabartë me pagën minimale, përfshirë dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, e cila do t’i jepet listës së ish-punonjësve të rafinerisë së naftës në Ballsh, të miratuar që në vitin 2020 në vendimin e nëntorit të vitit 2020. Kjo listë, sigurisht që do të rishikohet me ata persona, që janë të punësuar apo të vetëpunësuar, apo ata të cilët kanë dalë në pension pleqërie. Ndërkohë, ftoj të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë në Ballsh, t’u drejtohen zyrave të punës pranë vendbanimeve të tyre me qëllim për të përfituar nga kjo ndihmë, e cila do të jepet në bazë mujore përgjatë gjithë vitit 2022”, deklaroi ministrja.