DOKTOR MEMO BOCI, NJË JETË NË SHËRBIM TË NJERËZVE
Mustafa Koçerri
Familja Boci me orgjinë nga Vermiku i Kurveleshit, është një ndër familjet patriote të atij fshati. Patriotizmin e kësaj familje do ta filloja nga viti 1920, ku gjyshi i tij Isuf Boci, regjistrohet vullentarisht në çetën e fshatit dhe mer pjesë në Luftën për çlirimin e Vlorës, e cila ishte e pushtuar nga Italia. Më pas babai i tij Maze Boci, me krijimin e çetës territoriale Vermik më 28.11.1942, ishte një ndër 67 luftëtarët e saj dhe mer pjesë në disa luftime. Për aktivizimin dhe pjesmarrjen në LANÇL-e, ai ka qenë veteran i kësaj epopeje të ndritur. Këto ndjenja patriotizmi e atdhedashurie ndikuan edhe te nipi e djali i kësaj shtëpie, Memo Boci i cili me intelektin dhe humanizmin e tij, vihet për vite të tëra në shërbim të shumë e shumë njerëzve, duke shërbyer kështu në fushën e shëndetësisë. E kam disi të vështirë të përshkruaj Doktor Memo Bocin si mjek e specialist i zot, duke mos qenë unë specialist i kësaj fushe, por më ndihmojnë popullariteti që ai gëzon, si dhe lidhjet prej shumë vitesh me të, për të shprehur këto mendime. Megjithëse në kushte jo të mira ekonomike, ai në vitet 1955-1959, kreu shkollën e mesme mjekësore në Vlorë, dhe në vitet 1962-1966 mbaron edhe shkollëm e mesme “Ali Demi”, po në këtë qytet. Në vitin 1955 fillon punën infermier në spitalin e rrethit të Vlorës, deri në vitin 1961. Në këtë vit emërohet specialist në Drejtorinë e Shërbimit Shëndetësor Vlorë, dhe në vitin 1967 instruktor në Kom.Ekz. të Këshillit Popullor të atij rrethi. Por si një njeri me zell, sedër dhe prirje intelektuale, ai i kishte vënë vetes detyrë të kryente studimet e larta dhe në vitin 1969, në moshën 30 –vjeçare, fillon Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë dhe e përfundon në gusht 1974, duke u diplomuar mjek i përgjithshëm. Mbas studimeve fillon përsëri punë në spitalin e Vlorës, por tashmë me detyrën e mjekut. Edhe pas kryerjes së universitetit, ai ka kryer disa kurse të tjera për kualifikimin dhe specializimin e mëtejshëm të tij. Si një specialist dhe kuadër i zoti me një përvojë të gjatë shumëvjeçare në punë, në shtator të vitit 1978, tërhiqet nga digasteri përkatës dhe emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Higjienës, Epidemiologjisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit, në Ministrinë e Shëndetësisë, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1991. Gjatë kësaj kohe që ka shërbyer në Ministrinë e Shëndetësisë, në vitet 1982-1989 , ai ka dhënë mësim si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë. Në qershor të vitit 1991, deri në vitin 2001, kryen detyrën e përgjegjësit të shërbimit kombëtar të HIV\AIDS. Ai, sëbashku me një grup specialistësh në vitin 1987, organizon ngritjen dhe funksionimin e shërbimit në shkallë vendi për parandalimin e HIV\AIDS dhe është një nga specialistët kryesorë të këtij shërbimi. Përvoja e fituar në punë si dhe specializimi disamujor në Francë, bënë që ai në vitin 1995, të krijojë Shoqatën Kombëtare “STOP AIDS”, shoqatë e cila ka dhënë rezultate të mira në kurimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje.Nga viti 1971 e në vazhdim ai është anëtar në shumë organizma profesionalë duke patur një veprimtari të gjerë shkencore, ku numërohen mbi 31 botime pa dashur t’i përmendim me emra. Po kështu, ai ka kryer mbi 12 studime me vlera teorike e praktike duke dhënë edhe rekomandime për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit shëndetësor sipas temave dhe problemeve përkatëse. Zotërimi i disa gjuhëve të huaja si anglisht,italisht dhe frengjisht, të cilën e ka dhënë edhe provim pasuniversitar, dhe përgatitja e lartë profesionale kanë bërë që ai të japë ndihmesën dhe kontributin e tij në shumë aktivitete ndërkombëtare të mbajtura si, në Marok, Zvicër, Bullgari, Francë, Itali, Hollandë, Gjermani, e shumë vende të tjera. Ai ka patur dhe ka një bashkëpunim të mirë e të vazhdueshëm me organizmat ndërkombtarë në përgatitjen dhe aplikimin e një sërë programesh kombëtare. Përvoja e fituar në shumë vite në fushën e mjekësisë, ka bërë që ai të jetë një mik i përhershëm i shumë televizioneve, ku ftohet herë pas here nga ana e tyre. Gjithashtu, ai ka dhënë kontributin e tij me referatet e mbajtura në konferenca, simpoziume e seminare kombëtare. Përvoja e fituar për shumë e shumë vite pune në shërbim të jetës së njerëzve, ka bërë që ai të jetë i ftuar dhe i kërkuar, jo vetëm nga institucione të ndryshme, shkolla e universitete, në qytete, në fshatra e në zona të thella, për të dhënë leksione dhe përhapur përvojën e punës së tij shumëvjeçare. Nga viti 1993 që është shfaqur rasi i parë në vendin tonë i infeksionit HIV dhe tendencat në rritje të kësaj sëmundie e kanë shtyrë Doktor Memo Bocin të ndërmarë një punë të madhe studimore e voluminoze. Roli i tij dhe shoqatës janë të përmasave dhe me karakter të thellë human, e sidomos me njerëzit e grupmoshës të cilat janë më të rriskuara për t’u prekur nga HIV/ AIDS. Kontribiti i tij në të gjitha ato raste ku janë konstatuar infeksione të tilla, ka qenë konkret. Aktiviteti i shoqatës “STOP AIDS” është i gjërë, i larmishëm, dhe në gjithë vendin, si me seminare, kurse, leksione, trajnimin e personelit mjekësor, ashtu edhe për informimin e sensibilizimin e nxënësve nëpër shkolla, reparte ushtarake, me të ndaluarit që vuajnë dënimin nëpër burgje etj, për parandalimin dhe luftën ndaj HIV/ AIDS. Në kuadrin e aktiviteteve të zhvilluara për Ditën Botërore kundër AIDS, më 1.12.2006, programi “PRO SHËNDETIT” organizuan prezantimin e librit HIV/ AIDS në Shqipëri 1983-1993-2003, vështrim i Përgjithshëm me autor Doktor Memo Bocin. Në këtë aktivitet kanë marë pjesë shumë personalitete e emra të shquar të fushës së shëndetësisë dhe libri u vlerësua.
Një punë voluminoze e veprimtarisë së palodhur 25- vjeçare e Doktor Memo Bocit. Shkurtimisht po përmend disa vlerësime që i bënë folësit: “Me punën e tij ai ka shpëtuar disa jetë njerëzish. Është një doktor e profesor i mirë. Aktiviteti i tij është intensiv, njëlloj sikur ka qenë në punë. Ashtu si doktor dhe specialist i mirë në fushën e HIV\AIDS, ai është një shok i mirë e korrekt, mik i të gjithëve, me vlera të larta morale etj.” Ndërsa përsa i përket Doktor Memo Bocit si qytetar e familjar, si vlonjat me orgjinë nga Labëria, te ai do të gjesh shumë cilësi e vyrtyte të larta si njeri i qytetëruar, i edukuar, burrë i qetë dhe intelektual, mikpritës dhe i respektuar, jo vetëm nga rrethi familjar dhe njerëzit e tij, por edhe nga shokët, miqtë, komshinjtë, të afërmit dhe bashkëqytetarët. Ja si shprehet kushëriri i tij Përparim Alimuçaj për të: “Kam kënaqësinë që e kam shtëpinë afër kushëririt tim, Doktor Memo Bocit, për shumë gjëra kërkoj këshillimin dhe ndihmën e tij, sa herë që takohem me të, kënaqem nga humori dhe muhabeti i tij.” Po me këto fjalë shprehen edhe të gjithë bashkëqytetarët me orgjinë nga Vermiku. Ai është tepër i këndshëm në komunikim, si në biseda dhe kohën kur takohesh me të qoftë edhe për të pirë një kafe. Është i papërtuar dhe të gjendet në familje, ose duke të pritur në studion e tij për të vizituar e këshilluar. Me njerëzit që u bën vizita, ai ka aftësi të tilla komunikimi që e bën të sëmurin të mos ketë emocione, të flasë lirshëm, e të mos e ndiejë veten që është para doktorit. Humanizmi i tij duket edhe në atë, se ai është tepër korrekt, jo vetëm me njerëzit që ka të bëjë, ose me miqtë, por edhe me qytetarët që nuk ka lidhje si në respektimin e orarit të vizitave, ndjekjen dhe interesimin, edhe më pas për ecurinë e tyre, duke bërë kështu që respekti ndaj tij të jetë gjithmonë maksimal. Po kështu humanizmi i tij shfaqet edhe në ato raste që megjithëse jemi në kapitalizëm dhe shërbimet shëndetësore kanë çmime të kripura, ai çdo vizitë apo këshillë mjekësore ndaj bashkfshatarëve, personelit që shërben në shëndetësi si dhe banorëve të shkallës e pallatit, e bën falas, pa pagesë. Edhe pse kohën e lirë e ka tepër të kufizuar e të programuar, ai ka gjetur kohën e nevojshme për të kaluar me njerëzit më të afërt të familjes e në mënyrë të veçantë me nipërit e mbesat e tij, jo vetëm me këta që ka këtu në Tiranë, por edhe me ata në Gjermani, duke qenë jo vetëm një mjek i mire, por edhe një prind e gjysh shembullor. Megjithëse ka shumë vite që banon në Tiranë, ai mban lidhje të vazhdueshme me njerëzit e tij në Vlorë, si me miqtë, kolegët e personelin që ka punuar për shumë vite në atë rreth, duke qenë kështu një njeri me vlera jo vetëm për veten e shëndetsinë, por edhe për krahinën e Labërisë dhe gjithë vendin. Intelektual të tillë Labëria ka jo pak, ku ndër ta edhe Doktor Memo Boci me punën dhe veprimtarinë e tij ka ndikuar dhe ka ngritur më lartë emrin dhe krenarinë e saj. Në sajë të punës së kujdesshme të bërë nga ai vetë, si dhe pasioni i djalit të tij Arjanit, ka arritur që edhe ky të vazhdojë dhe të ecë në rrugën e babait, ku përveç shkollës së lartë ka kryer edhe disa specializime si brenda dhe jashtë vendit, si në Amerikë, Suedi e shtete të tjera. Para disa vitesh Doktor Memua, iu nënshtrua një operacioni në QSUT “Nënë Tereza” dhe na bëri përshtypje kur shkuam për ta parë një mbas dite. Te koka e krevatit të tij ishte varur një fletë e bardhë, ku në të ishte vizatuar një tufe me lule, ku mbesa e vogël Iva , e kishte bërë nga dashuria dhe malli për Gjyshin, e cila kishte disa ditë që nuk e shihte në shtëpi dhe i uronte atij shërim të shpejtë. Për moshën, lodhjen e ngarkesën që ka, qetësimi më i mirë për të janë në mënyrë të veçantë të gjithë nipërit e mbesat e tij dhe sidomos dy vajzat e Arjanit dhe të nuses së tij Jonidës, e cila dallon për komunikim dhe edukatë të lartë, jo si nuse, por si vajzë në këtë shtëpi të madhe plot harmoni të Doktor Memo Bocit,duke ia bërë kështu edhe më të lehtë mungesën e bashkëshortes , e cila ka disa vite që është ndarë nga jeta. Por ditët e fundit gjendja shëndetësore e Doktor Memo Bocit nuk është e mirë. Jo vetëm familja, njerëzit e afërm, por edhe gjithë miqtë e shokët, janë pranë tij duke i dhënë kurajo, luten dhe i urojnë që ta kalojë këtë gjendje sa më shpejt, e ta shohin në mesin e tyre.