Mungon prokurori, nuk zhvillohet procesi ndaj Mark Frrokut në Belgjikë

502
Seanca e parë ndaj deputetit Mark Frroku, i akuzuar për vrasje në Belgjikë nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes. Në seancën që ishte parashikuar për sot, Frroku nuk do të ishte i pranishëm pasi Gjykata shqiptare i refuzoi prezencën. Në Belgjikë, deputeti shqiptar përfaqësohet nga avokatët e tij belgë dhe Karin Koklet. Frroku, akuzohet për vrasjen e Aleksandër Kurtit më 5 mars 1999 në një stacion treni në Bruksel. Ai ishte dënuar me 10 vite burg, por çështja u kthye për rigjykim, pasi u vërejtën shkelje të shumta procedurale.

Sipas prokurorisë belge Kurti u vra, për shkak se ai shoqërohej me një vajzë shqiptare me inicialet L.A., e cila shfrytëzohej për prostitucion nga njëri prej vëllezërve të tij. Bashkë me Frrokun do të gjykohen edhe të dyshuarit e tjerë, Besnik Vuka, Hilë Morina, Lek Bib Xhafa dhe Alfred Kola. Edhe këta, më herët kanë qenë dënuar me nga dhjetë vite, por çështja u kthye nga e para. Në fakt, ndryshe nga sa shpresonte deputeti kristiandemokrat, procesi do të zhvillohet në mungesë të tij. Ai ka kërkuar të jetë i pranishëm dhe të dëgjohet nga drejtësia belge, por, Gjykata e Lartë shqiptare ia rrëzoi kërkesën si të pabazuar në prova e fakte. Në proces atje, pritet të përfaqësohet nga avokatja belge Carinne Couqelet.

Kjo e fundit, pas arrestimit të Frrokut mbërriti në Tiranë dhe mori kontakt me të për t’u konsultuar. Vetë Mark Frroku pretendon se nuk ka lidhje me vrasjen e Aleksandër Kurtit, dhe se do ta provojë pafajësinë e tij. Për të njëjtën akuzë që sot do të gjykohet në Belgjikë, kristiandemokrati po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme. Pas arrestimit gjashtë muaj më parë, prokuroria ka ngritur ndaj tij dhe akuza të tjera, si “pastrim parash”, “ndërtim i paligjshëm” dhe “fshehje pasurie”.
Sigal