Mungojnë thertoret në Berat, mishi shitet rrugëve

763
Sigal

RREZIK EPIDEMIE/ Flet për “Telegraf”, veterineri i bashkisë, Lavdosh Toska: “Situata është e rëndë, duhen fonde”

Mungesa e një thertoreje për qytetin e Beratit, ka bërë që kasapët të kryejnë therje në vende të papërshtatshme, gjë, e cila po krijon një rrezik serioz për jetën e qytetarëve që blejnë mish. Therjet kryhen nëpër lagje apo vende të papërshtatshme dhe larg kushteve higjieno – sanitare dhe për rrjedhojë, therja bëhet vatër epidemie, për shkak të gjakut dhe mbetjeve. Situata vështirësohet në stinën e verës, ku dhe temperaturat janë shumë të larta. Burime nga Bashkia e Beratit bëjnë të ditur se, e pranojnë këtë fakt që therjet kryen jashtë të gjitha kushteve higjieno – sanitare dhe kjo jo për faj të këtij institucioni. Sipas burimeve nga bashkia, janë bërë të gjitha tentativat me ministrinë përkatëse për ndihmë me fonde, që do të përdoren në ndërtimin e një thertoreje me parametrat bashkëkohore. Veterineri i bashkisë Lavdosh Toska, në lidhje me këto veprime prononcohet për gazetën “Telegraf”, duke thënë se, bashkia ka bërë projektin dhe ja ka dërguar qeverisë për ta aprovuar. “Ky projekt ka mëse dy vjet që ka mbërritur në zyrat e qeveritarëve, por deri në këto momente nuk ka ardhur asgjë, madje, ne mendojmë se projektet e Bashkisë së Beratit, nga neglizhenca e qeveritarëve që ka për këtë qytet, kanë zënë pluhur në sirtarët e qeveritarëve. Bashkia nuk ka fonde për të ndërtuar një thertore që sot e kërkon dhe nevoja e domosdoshme. Ne si sektor i veterinarisë pranë bashkisë kemi punuar për ndalimin dhe ndëshkimin e personave, të cilët kryejnë therje nëpër lagje, madje, ne jemi mbështetur dhe nga Policia Bashkiake për parandalimin e këtyre therjeve. Aktualisht për momentin ekziston një “gjoja” thertore e vogël në periferi të qytetit, por ajo është jashtë të gjitha parametrave bashkëkohore, madje ajo nuk i plotëson dot kërkesat e shumta të pronarëve të pikave të tregtimit të mishit si brenda në qytet dhe periferitë e tij”, -tha Toska. Mishi tregtohet në ambiente, ku kalojnë automjetet, të cilat në stinën e verës krijon pluhur që në fund depërton në dhomat e pambrojtura të tregtimit të mishit, që me orë të tëra rri varur në çengela. Ndërsa gjatë stinës së dimrit paradoksi sërish vazhdon, por këtë herë makinat e shumta hedhin balte dhe ujëra të ndotura të rrugëve, që ngrihen në ajër nga shpejtësia e makinave.

Përfitimet e shitësve nga mungesa e kontrolleve

Në këto ambiente të improvizuara theren bagëti, të cilat mund të jenë prekur nga bruceloza. Madje, nga papastërtia gjaku kalon nga një bagëti tek tjetra, pra sa tek mishi i viçit tek ai i derrit, çka bëhet shkak për shfaqjen e infeksioneve, pasi sipas vëzhgimit të “Telegraf”, mishi pasi theret vihet në një vend të përbashkët. Therja kryhet jashtë të gjitha kontrolleve si të veterinarisë dhe ato të higjieno – sanitare. Tregtarët shprehen se, janë të detyruar që të kryejmë therje nëpër vende jo të përshtatshme për arsye se nuk ka një thertore të mirëfilltë. Kërkesat tona  nuk po dëgjohen prandaj ne jemi të detyruar të shesim si ambulantë mishin, i cili realisht nuk është se kontrollohet i gjithi.