Moti i keq/ Mbi 57 mijë abonentë mbetën pa energji, u bllokuan disa akse rrugore

505
Sigal

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme janë dëmtuar 54 fidra që furnizojnë rreth 57 279 abonentë, por brenda 2-3 orësh, u bë e mundur riparimi i 39 prej këtyre fiderave.

Rreth 60% e defekteve janë në linja ajrore, ku një pjesë e mirë e tyre u dëmtuan nga moti i keq, thuhet në deklaratë.

Në zonën e Himarës në orën 21:45 për shkak të defektit në një kabinë private, shkaktoi stakimin e Fierit 1 në këtë bashki.

“Grupet e gatishmërisë së OSHEE-së lokalizuan defektin me shkëputjen nga rrjeti të kësaj kabine dhe rikthimin e energjisë pas 27 minuta”, thuhet në njoftim.

Edhe disa akse rrugore kanë pasur probleme si pasojë e shiut të rënë. Kështu, në zonën Skuraj- Ulëz, ka pasur rënie inertesh në rrugë, të cilat janë pastruar me ndërhyrjen e autoriteteve.

Në akset rrugore Han i Hotit – Tamarë, Shkodër- Muriqan dhe Ura e Kirit – Mjedë ka pasur rënie të inerteve në rrugë, ku problemet më të mëdha janë shfaqur në Murriqan ku prurjet e materialeve kanë qenë tepër të larta dhe për pasojë ka pasur edhe bllokime të përkohshme dhe të pjesshme të rrugës.

“Është punuar gjatë natës për t’i mbajtur këto segmente të hapura, ndërsa vijon puna për pastrimin dhe kthimin në normalitet të tyre. Nuk ka bllokim të qarkullimit”, sqaron ministria.

Në aksin Krujë – Sari Salltik, ka pasur rrëshqitje të masivëve shkëmbor, pa pasoja për qytetarët. Po punohet nga kontraktorët për lirimin e rrugës.