“Mora nja 200 mijë euro që të mbroj qeverinë”/E akuzuan se ‘u shit’, shpërthen Ndrenika:Jam sëmurë, mendoni ç’të doni

580
Sigal

“E kam thënë dhe më parë, ky vend nuk është i yni, ky vend është i juaji. Nuk do të fitojnë ata, do të fitojë qytetaria. Do të fitojë ai spektator, ai qytetar që e do artin”. Aktori u shpreh se, edhe pse disa media po përpiqen të manipulojnë opinionin, duke e konsideruar atë që ndodh si turpin e qytetarëve, e vërteta është tjetër.

“Turpi është i atyre që e bënë, këtë e tregon dhe vetë fakti që u zbythën”. Radoja u bëri thirrje artistëve që kauza e Teatrit të mos politizohet, edhe pse ishte pro mbështetjes së partive politike. Ai rrëfeu se ndonëse ka qenë një nga nismëtarët e krijimit të PD-së, zgjodhi rrugën e artit. “Duke e parë veten në pasqyrë, thashë se unë nuk jam për politikë. Bota ime shkon atje ku shkon, por nuk më pëlqen që ne të bëhemi kukull e cilësdo aleancë apo parti. Teatri është i depolitizuar, teatri është i qytetarëve. Nuk di shumë për paktin, por ai i gjati dhe ca të shkurtër të tjerë bënë atë që ne na përçanë dhe 90 për qind dolën të majtë dhe ca koka të djathë. Ia arritën qëllimit”.

Për sa i përket natyrës së brishtë të artistëve, ndonjëherë edhe të manipulueshme, Radoja iu drejtua Ndrenikës për tërheqjen e tij të papritur nga kauza e Teatrit. “Një nga kolegët e mi i tha dikujt se ‘unë shkela mbi dinjitetin tim’. Pse shkele? A ka gjë më të madhe se dinjiteti? Secili prej nesh kur lan faqet në mëngjes shikon veten dhe thotë një fjalë: Ç’bëra dje?! Sa dinjtioz qeshë dje. Pse isha qesharak dje dhe lashë të shkelet mbi dinjitetin tim. Për çfarë? Përse u shite miku im?! Përse u shite kolegu im? Çfarë pakti bëre me djallin, që shkele mbi dinjitetin?”- tha aktori.

Radoja iu drejtua kolegut të tij, i cili qe një nga nismëtarët dhe figurat simbol të mbrojtjes së Teatrit deri në ditët e fundit të korrikut. Asokohe, së bashku me kolegë si Arben Derhemi apo Alfred Trebicka, ranë dakord për ndërtimin e një teatri të ri, po në këtë hapësirë, me kushtin se nuk do të prekej asnjë centimetër tokë.

Reagimi i Ndrenikës

Në lidhje me deklaratën e kolegut të tij, “Panorama” ka kontaktuar mbrëmë aktorin Robert Ndrenika, i cili ka pohuar se është në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër e telefonit dëgjohej kolla e aktorit, që herë pas here e pengonte të fliste.

“Të më falni, por nuk jam mirë me shëndet. Nuk jam mirë. Unë kam bërë disa deklarata më parë, ja merrni ato. Sot e kishin shkruar në një gazetë njërën”, thotë Ndrenika. Për fjalët e kolegut të tij, që në njëfarë mënyre e akuzon se u lejua të manipulohet nga politika, ai shprehet:

Mendon se jam shitur?! Epo mirë, le të mendojë ashtu. Por a mund të më thotë se me se jam shitur?! E pra, kam marrë para. I thoni që kam marrë nja 200 mijë euro”, thotë me ironi Ndrenika. Gjendjen e rënduar të aktorit e pohojnë edhe miq të tij.

Ndrenika që në fillim të protestave është shprehur për nevojën e ngutshme për një teatër të ri, duke këmbëngulur që asnjë pjesë të mos i kalojë privatit. Së njëjtës deklaratë i qëndron edhe sot, duke shpresuar për një teatër më të mirë për brezin e ri.

BUDINA: QYTETARËT NUK DO TË LODHEN

Për Mond Budinën, godina e Teatrit Kombëtar i përket atij aq sa çdo qytetari të Shqipërisë. Edhe pse ka punuar në të për më shumë se 2 dekada, ai vendosi që marrëveshjen me PD-në ta firmosë bashkë me qytetarët. Qetësinë e krijuar pranë Teatrit e konsideron si të përkohshme. “Ata nuk janë tërhequr, por na e kanë lënë neve zarin në dorë, për të thënë, hajdeni merreni edhe e menaxhoni. Natyrisht që nuk është e thjeshtë që të menaxhosh tërë këtë kompleks. Por ne do të vazhdojmë derisa ky Teatër të restaurohet edhe rikonstruktohet”, tha regjisori. Për sa i përket vijueshmërisë së protestave, aktori thotë se qytetarët e Tiranës nuk do të lodhen. Për sa i përket krahasimit të aktualitetit me shfaqjen “Nata pa hënë”, Budina thotë se të përbashkët kanë mospërfilljen e mendimit të popullit. “Për më tepër, të jem realist, është skandaloze që pensionet dhe rrogat janë minimale. Çmimet po rriten në çdo moment, ndërsa përherë edhe më tepër shtohen skandalet ku të pasurit vetëm po pasurohen dhe të varfrit vetëm po varfërohen. Me këtë situatë unë nuk mund të pajtohem, por them se është e njëjta situatë si në kohën e Partisë së Punës”, u shpreh regjisori.