Suplementi Pena Shqiptare/ Bedri Alimehmeti: Tri poezi për qytetin tim

1221
Sigal

Tiranës time

E magjishmja e mrekullisë me emrin Tirana

kurrsesi nuk mund të njehsohet

vetëm me shtëpitë karakteristike,

mbështetur sup më sup

si për t’u ndjerë më të ngrohta

pranë njëra tjetrës,

si për t’i afruar,

për t’i bërë njësh,

për të qenë sa më bashkë

banorët e tyre zemërbardhë.

Por edhe tek hijeshitë e oborreve

tek ndritja e pastërtisë së tyre

tek shkëlqimi i gurëve të kalldrëmit

tek jeshillëku i pambarimtë i kopshteve

tek aroma ëmbël-dehëse e detit të luleve

kundërmuese

që si në një kraharor-rrokje

ka përqafuar qytetin

në gjoks të Dajtit

mes ujërave të Erzenit dhe Riglatës.

Ndaj me të drejtë thonë:

nuk ka tiranas të ikë

pa marrë diçka nga kjo aromë

për ta pasur kudo që të ndodhet

në shpirtin e tij,

një pjesë të të cilit

domosdoshmërish

do ta lër aty

për ta bashkuar e bërë njësh

kur të kthehet

me pjesën që ka mbartur me vete.

 

Romë 21 mars 2018

 

Vizion përjetësie

 

Tirana ishte një vizion

Një vizion vetëm atëherë

kur ajo vendos të ndalet.

Harruar.

Të mungojë nga bota.

Të anulojë të kaluarën e saj.

Tirana është magji kur del nga asgjëja

Është një mashkull

dhe një femër e zhveshur.

E madhe dhe e padukshme.

Tirana është një komplet i largët vlerash

Kristalor i gjithi

Veshur përsosmërisht në smeralde.

Ndry në këllëfin e tij të rehatshëm

krejtësisht të mëndafsh.

Stoik i përqendruar

Pa asgjë kërcënuese në dorë.

Tirana është një lloj kornize

E pashoqe në llojin e saj

që kap e ngërthen përjetësinë.

 

Romë 12 korrik 2018

 

 

 

Këng’e largët

 

Dhe Dajti hesht

Dhe Lana rrjedh

Vetëm.

Eci edhe eci i menduar

dhe s’di se për ku!

Ndoshta në kërkim

të një copëz rrugice me kalldrëm

që i ka shpëtuar poshtërimit.

Dhe Dajti hesht

Dhe Lana rrjedh

Më djeg malli

Më përvëlon shpirti

Vërdallosem nëpër qytetin tim

Dhe nuk di ku jam.

Dhe Dajti hesht

Dhe Lana rrjedh

Kjo është një këng’e largët

për ty qyteti im

dhe unë nuk di se ku

të ta çoj

dhe unë nuk di ku të ta hedh.

Dhe Dajti hesht

Dhe Lana rrjedh…..