Testimi, Gjykata Administrative “ngrin” çështjen. Bluzat e bardha në protesta, edhe kundër sindikatës
Gjykata Administrative ka pezulluar testimin e Ministrisë së Shëndetësisë për infermierët. Pezullimi i testimit do të bëhet deri në gjykimin e çështjes me themel. Vendimi i Gjykatës Administrative në favor të bluzave të bardha është një mesazh i qartë për ministrin e Shëndetësisë Beqaj. Z. Beqaj, ky nuk është dështimi i parë në jetën tuaj politike, por do të ishte në nderin tuaj të jepni dorëheqjen, edhe për arsyen e vetme se armata e bluzave të bardha nuk ju do më si ministër! Porse zhgënjyes reagimi i Beqajt, pas vendimit të Administratives, i cili bëri të ditur se nuk do të tërhiqet nga urdhri i tij antiligjor, në të kundërt shprehet se “testimi i infermierëve nuk do të zhvillohet të shtunën, siç dhe ishte parashikuar, por do të shtyhet deri në një vendim të dytë”. Ndoshta “ngrirja” e përkohshme e testimit të bluzave të bardha mund të jetë një klauzolë, meqë jemi në prag të zgjedhjeve vendore, për të gjetur një tjetër rrugë që ministri i Shëndetësisë të gjejë një tjetër rrugë për të realizuar synimin e tij. Nga ana tjetër, edhe pse ky vendim i Gjykatës Administrative është në favor të tyre, bluzat e bardha e shohin vetëm si një betejë të fituar, porse janë të vendosur të fitojnë luftën. Dhe fitorja quhet e realizuar për ta, vetëm kur Ministri Beqaj të japë dorëheqjen. Ata do të vazhdojnë me itinerarin e protestave të tyre, ashtu siç vepruan dhe dje, ku protesta përveçse në ambientet e spitaleve ka vijuar edhe përpara Kryeministrisë.
Reagimi i Kolegjit të Mjekëve Kirurgë të Shqipërisë
“Ligji prevalon mbi antiligjin Beqaj!”, njofton Kolegji i Mjekëve Kirurgëve të Shqipërisë, fill pas vendimit të Gjykatës Administrative. “Gjykata rrëzon nismën antiligjore “Beqaj” për testime masive. Gjykata pezullon testimin për infermierët. Beqaj ik, se nuk je më për ministër! Dorëheqje! Shkarkim! Procedim për shkelje ligji!”, shprehet në faqen zyrtare Kolegji i Mjekëve Kirurgë.
Mjekja Anika Dokle-Beqajt: Dorëhiqu!
Nuk ke moral të drejtosh bluzat e bardha! Nuk e ke patur që ditën e parë, pasi ke precedentë të rëndësishëm të konfliktit me ligjin. Tentativa jote antiligjore për t’i vënë në rresht bluzat e bardha, sapo mori dërrmën e parë. Nuk e bën dot ti me “sojin” që ke zgjedhur ta bësh, fotografimin e nivelit të bluzave të bardha!
Barrën në Shëndetësi nuk e mban as ti, as “shefat” e tu, as “pulat” e tua! E mbajnë mjekët e ndershëm dhe të devotshëm që ditë dhe natë u shërbejnë me vetëmohim në kushte mjerimi pacientëve. Ju, “soji” juaj, vetëm e milni atë si një lopë!
Ik, sa nuk është vonë!
Reagimi i kreut të “Urdhrit të Infermierit”, Sabri Skënderi, pas vendimit të Administratives
Ajo që di unë, sapo është mbyllur seanca gjyqësore ku u gjykua aktpadia që kishte ngritur Urdhri i Infermierit, për pezullimin e aktit normativ të Ministrit të Shëndetësisë për zhvillimin e testimit dhe më pas gjykimin e çështjes në themel. Gjykata vendosi pezullimin e urdhrit të ministrit që për ne përkthehet pezullim të testimit, sepse testimi mbi bazë të urdhrit të ministrit do zhvillohej dhe pas gjykimit të çështjes në themel do të ketë një vendimmarrje tjetër. Nëse do të jetë një pezullim i përkohshëm apo jo, kjo do të varet nga vendimet që do të merren me vonë nga gjykata”. Ai tha se pavarësisht testimit, infermierët nuk duhet të flenë mbi dafina, por duhet të punojnë për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj pacientit. “Infermierët do të qëndrojnë në krye të punës së tyre, do të bëjnë shërbimin e tyre dhe do të ngrihen nga ana profesionale për të rritur detyrën e tyre. Ne do t’i shkojmë deri në fund mbrojtjes së të drejtës së tyre. Ne do t’ia lëmë kohës, gjykimit dhe do të vendosim sipas vendimmarrjes, por infermierët kanë për detyrë të rrisin shërbimin me profesionalizimin, kjo është mënyra më e mirë për ta. Ne do të marrim pjesë në seancat gjyqësore, por hapi më i mirë do të jetë forcimi i punës për rritjen e nivelit për kujdesin ndaj pacientit. Me këtë vendim, infermierët duhet të jenë më të qetë, por nuk duhet të flenë mbi dafina duhet të punojnë më shumë për rritjen e nivelit profesional, sepse provim mbase nuk do ketë por do të ketë vlerësim të punës të tyre më i mirë është ai i pacientit dhe aty ku ka pakënaqësi ai infermier nuk është në vendin e duhur.
****
Koment
Mos e denigroni mjekësinë, zoti gjeolog!
Në kulmin e protestës së djeshme të bluzave të bardha, një tjetër skandal ndodhi brenda mureve të Ministrisë së Shëndetësisë. Ministri Beqaj firmosi kontratën kolektive të bluzave të bardha me një gjeolog, i cili për nga “fama” hahet me ministrin në fjalë. Pas një ministri jo mjek, është e turpshme që bluzat e bardha të përfaqësohen nga një palo gjeolog, i cili ka përvetësuar nga pronat e sindikatës duke i tjetërsuar ato. Bluzat e bardha nuk mund të përfaqësohen nga një palo gjeolog, i cili punon me dy bilance, për t’ia “futur” shtetit, apo më saktë për të përvetësuar paratë e taksapaguesve shqiptarë. Bluzat e bardha nuk mund të përfaqësohen nga një palo gjeolog, i cili edhe në kolltukun që ngroh për shkak “të flamurit nga shkon era”, është falë pazareve të ndyra që ai bën.
Janë vetë mjekët të cilët nuk e duan këtë përfaqësim. Ata janë shprehur se kontratat kolektive që janë nënshkruar mëngjesin e së mërkurës me Ministrinë e Shëndetësisë nuk përfaqësojnë mjekët dhe infermierët që po protestojnë kundër testimit, për kushte më të mira në pune, për më shumë aparatura e barna, por edhe për rritje page. “Nuk jemi për grupime personale, individuale sikurse është Kol Nikollaj që shkon në emër të nuk e di kujt, po askujt të punonjësve të shëndetësisë, sepse firmat e punonjësve të shëndetësisë janë këtu dhe jo e Kol Nikollajs. Ne kemi përfaqësinë tonë dhe jemi në proces legalo-administrative për të përfaqësuar veten tonë në mbrojtje të ligjit, autonomisë tonë. Ne nuk jemi kundër testimeve si koncept, sepse jemi pjesa e shoqërisë më e mirëprovuar e testuar dhe certifikuar, po kundër testimeve që nuk kanë tagër ligjor”, thotë mjeku Rustem Celami. Ndërsa Kolegji i mjekëve Kirurgë të Shqipërisë e quajnë nënshkrimin e kontratës kolektive turpin, shkeljen e radhës të ligjit nga ministri Beqaj. “Si fillim shkel ligjin duke nxjerr urdhëra antiligjore për testime masive të bluzave të bardha, duke marrë kompetenca të Universiteteve, Urdhrit të Mjekut, Infermierit, apo Ministrisë së Arsimit! Pastaj gjen “kokat e shkencës” që harton pyejtet denigruese, tallëse dhe fyese! Tani kërkon ndihmë… te Kol Nikolla dhe Petrit Frangu! NUK na përfaqësojnë ne bluzat e bardha këta të dy o z. Ministër…! Ne përfaqësohemi vetëm nga ne bluzat e bardha!”, shprehet Kolegji i Kirurgëve. Më herët kreu i Konfederatës së Shqipërisë Kol Nikolla ka qenë pro testimit të mjekëve dhe infermierëve.