Mitingu i Ramës / Arrestimi i 4 zjarrfikësve, flet shefi: Policia na ndiqte nga mbrapa, ngjarje për librin Guinness

511
Sigal

Pas arrestimit të 4 zjarrfikësve, të cilët u akuzuan se prishën mitingun e Ramës në Shkodër ka folur edhe shefi i zjarrfikësve Ritvan Bushati.

Ai është shprehur se makina e policisë ka ndjekur nga mbrapa zjarrfikësit dhe më pas u ka bllokuar rrugën. Sipas tij kjo është një ngjarje e denjë për librin Guinness.

“Kjo që ka ndodhur është e paprecedentë. Një sekondë është shumë për familjarët që janë në rrezik nga zjarri.

Ne ishim duke shkuar pranë familjes. Na u vu policia mbrapa. Fatmirësisht familjarët kishin ndërhyrë vetë dhe e kishin mbyllur rrjedhjen e gazit. Kur kanë dalë një automjet policie ka ndjekur zjarrfikësit dhe i ka zënë rrugën. U kanë thënë të shkonin në polici për sqarime.

Jam njoftuar unë dhe më ka thënë që na kërkojnë të shkojmë në polici. Ata jo vetëm që janë marrë sikur të ishin kriminelë dhe iu janë marrë edhe celularët. Do të çoj në prokurori drejtuesit vendorë të Shkodrës. Kjo ngjarje është e denjë për librin Guines”, u shpreh ai.

4 zjarrfikësit po shkonin në një pallat pranë stadiumit, ku kishte rënë zjarr. Ata janë mbajtur për rreth 1 orë në komisariatin e policisë, ku janë marrë në pyetje.