Mirela Karabina: Arsimi në mjerim, qeveria abuzon politikisht me bursat e studentëve dhe degët në universitetet publike

427
Sigal

 Situata është kaotike, nxënësit janë në mëshirën e Covid-19

 Mirela Karabina, ish- ministre e Arsimit

Qeveria po përdor pranimin e studentëve në univesitetet publike tërësisht për interesa të saj, duke dëshmuar edhe njëherë që autonomia universitare është e cenuar plotësisht

 Arsimi në mjerim, qeveria abuzon politikisht me shpërndarjen e studentëve në universitetet publike

 

 Mirela Karabina, ish- ministre e Arsimit, në intervistën për gazetën “Telegraf”, denoncon se qeveria po përdor pranimin e studentëve në universitetet publike për interesat e saj politike. Zonja Karabina pohon se qeveria ka marrë në dorë, në kundërshtim me ligjin, procesin e shpërndarjes së studentëve në universitete  publike nëpërmjet RASH, duke bërë që studentët të kalojnë një kalvar aplikimesh për të drejtën e studimit të fituar. Ish- ministrja Karabina, thotë se situata e vitit të ri shkollor është tejet e rëndë, pasi qeveria dhe MARS-ja,  nuk kanë marrë masa për garancinë e jetës së nxënësve, të cilët janë lënë në mëshirën e Covid-19. Gjithashtu, ish- ministrja Karabina pohon se reformat e ndërmara në Arsimin Parauniversitar dhe Arsimin e Lartë janë të dështuara, prandaj edhe nga qeveria dhe MARS-ë nuk ka asnjë raport studimi.

 -Zonja Karabina, qeveria papritmas, pa asnjë njoftim paraprak ndryshon portalin e shpalljes  së renditjes të maturantëve, nga “e-albania” e bën në “u-albania”, duke ndryshuar njëkohësisht edhe renditjen e maturantëve.  Sipas jush, pse është bërë kjo?       

– Qeveria prej vitesh në fakt, e ka marrë plotësisht në dorë vetë këtë proces, edhe në shkelje të ligjit. Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH), objekti i të cilit nuk është pranimi në universitete, por krijimi i Qendrës Ndëruniversitare të Shërbimeve dhe Rrjetit telematik universitar për përmirësimin e sistemit universitar dhe hulumtimin shkencor, por me një ndryshim në ligj nga qeveria, ka marrë eskluzivitetin e menaxhimit të të dhënave bazë të maturantëve. Kështu, duke përjashtur Qendrën Arsimore (QSHA),  që ligji ia njeh këtë të drejtë dhe duke ngarkuar RASH, qeveria kontrollon vetë këtë proces dhe shpërndan  studentët në universitete publike dhe jo publike. Studentët kalojnë një kalvar aplikimesh dhe nuk janë të qartë për të drejtën e studimit të fituar, pasi procesi është qëllimisht i ndërlikuar dhe tërësisht jo transparent. Deklarimet e disa studentëve, dje, të cilët kanë dëshmuar se nuk kanë kuptuar që pse ka ndryshuar renditja e tyre dhe nuk janë klasifikuar në degët e kërkuara, pavarësisht kritereve të përmbushura, ka nxjerrë në pah problemin e madh të këtij procesi abuziv.

– Ndryshimi i renditjes  të maturantëve nga njëri portal në tjetrin është gabim i teknologjisë,  apo ka qëllime të caktuara?

– Teknologjia është mjet në duart e njeriut. Kështu që, nuk është faji i saj, por qeveria po përdor pranimin e studentëve në universitete tërësisht për interesa të saj, duke dëshmuar edhe njëherë që autonomia universitare është e cënuar plotësisht. Prej vitesh e bën këtë, kontrollon këtë proces duke e përqëndruar në duart e saj. Pa dyshim që në një vit elektoral do ta përdorë plotësisht për interesa pushteti, për aq kohë, sa procesi kontrollohet vetëm nga ajo, me një mungesë transparence dhe, mbi të gjitha, në shkelje flagrante të ligjit. Universitetet janë bastione të mëdha, të cilat qeveria, qëllimisht, i varëson dhe i përdor politikisht.

-Reforma në Arsim e ndërmarrë nga “Rilindja”  Socialiste  a është shoqëruar me rritje të fondit buxhetor? Nëse bëjmë krahasim me vendet e Rajonit, në cilën renditje ndodhet Shqipëria

– Arsimi nuk ka qenë prioritet i kësaj qeverie  dhe këtë e tregon qartë  buxheti i planifikuar. Sapo hypi në pushtet më 2013-ën, Edi Rama premtoi gjoja rritje të buxhetit për arsimin. Objektivat e vendosura nga qeveria e tij për rritjen e fondeve të arsimit ndaj PBB ( Produktit e Brendshëm Bruto) në niveli 5%, nuk u realizuan kurrë, por mbetën në nivelin rreth 3% duke mos arritur as vendet e rajonit. Kështu, financimi për student është 500-800 euro, krahasuar me 18 mijë euro për student në vendet e OECD-së .

Viti i ri  shkollor  2020-2021, ndodhet në vitin e fundit të qeverisjes 8 -vjeçare të kryeministrit Rama.  Mund të na thoni ju, cili është produkti i reformave arsimore në ciklin parauniversitar dhe universitar në Shqipëri?

– Reformat e ndërmarra si në Arsimin Parauniversitar dhe Arsimin e Lartë, janë të dështuara. Nga qeveria  dhe Ministria e Arsimit nuk kemi asnjë raport studimi se si ka kanë ecur këto reforma, rezultatet e arritura dhe përfundimet e dala. Por, janë faktet tronditëse që dëshmojnë se nxënësit tanë nuk marrin arsim cilësor dhe formimi i tyre është larg standardeve europiane. Kështu p. sh., në një vlerësim ndërkombëtar për nxënësit 15- vjeçarë, Testi PISA, nxënësit tanë vazhdojnë të renditen të fundit, duke dëshmuar  dhe njëherë cilësinë jo të mirë të arsimimit dhe se Reforma kurrikulare nuk ka sjellë formim cilësor të nxënësve. Protesta studentore e Dhjetorit 2018,  zhveshi demagogjinë qeverisëse duke treguar hallin e madh të studentëve, të cilëve nuk u ofrohet  arsim cilësor, arsim bashkëkohor dhe kushte normale. Dhe, shumë shembuj të tjerë dëshmojnë çoroditjen e organizuar  të sistemit arsimor, që politikat e kësaj qeverie kanë sjellë. Kështu që, reformat e shpejta dhe të pastudiura mirë të ndërmarra për efekt përfitimi politik, kanë dëmtuar rëndë arsimin duke krijuar situatën më të rëndë pas viteve ’90.

-Pse Arsimi nuk ka qenë prioritet i “Rilindjes” Socialiste, kur dihet se prosperiteti i një populli dhe një vendi është produkt i nivelit arsimor?

– Arsimi është goditur rëndë nga kjo qeveri. Ai është në ditët më të këqija. Përdorimi i tij veç për interesa pushteti, është gabimi i madh që kjo qeveri ka bërë. Shpërfillja dhe denigrimi i mësuesit duke mos e mbështetur dhe duke mos e shpërblyer për punën e bërë, ka dëmtuar rëndë shkollën. Ligji klientelist i Arsimit të Lartë ka varësuar universitetin duke cënuar autonominë e tij. Dhe, ja ku jemi, me një sistem arsimor që lëngon, pasojat e dëmit të të cilit do të jenë afatgjatë.

– Zonja Karabina, ministrja e MARS-së, Besa Shahini, deklaroi se nuk dëshiron më të jetë ministre, as të jetojë më në Shqipëri. Ardhja e saj në Shqipëri, emërimi i saj si ministre, pa përvojë politike, pa personalitet profesional dhe ikja e saj në këtë mënyrë, çfarë përshtypje mund të lenë tek shqiptarët?

– Ajo që bën përshtypje është papërgjegjshmëria e treguar si nga Ministrja Arsimit, ashtu dhe nga Kryeministri, në daljen e disa ditëve më parë, ku dhe njëherë dëshmuan shpërfilljen dhe denigrimin që i kanë bërë mësuesit. Pikërisht, në këtë fillim viti shkollor të jashtëzakonshëm për arsye të epidemisë, ministrja, në vend të përçojë optimizëm dhe të tregojë se çfarë masash janë marrë dhe cila është strategjia që do ndiqet, na jep lajmin e largimit. Pra, duket se ministrja ka harruar që para largimit ka detyrimin institucional të japë llogari dhe të mbajë përgjegjësi për premtimet e pambajtura në lidhje me studentët dhe Paktin për Universitetin, zgjedhjet universitare të paligjshme, mësimin online të pa realizuar të cilin vetë ajo ka urdhëruar të jetë i paklasifikuar, si dhe shumë parregullësi të tjera në dëm të nxënësve dhe studentëve shqiptarë.

Çfarë programi ka opozita për Arsimin, meqë zyrtarisht jemi në fushatë elektorale? Çfarë ndryshimesh priten? Kemi parasysh, se çdo mazhorancë e re, duke pretenduar reformë, gremis gjithçka  të arritur dhe fillon reformat e saj nga pika zero.

–  Arsimi, kur Partia Demokratike të jetë në pushtet, do të jetë prioritet. Buxheti i dyfishuar do mundësojë: kualifikim mësuesish, mjete mësimore të domosdoshme, praktika laboratorike; Ligji i Arsimit të Lartë i anulluar dhe hartimi i një ligji të ri do sigurojë autonominë universitare, zhvillimin e tyre dhe kthimin  e tyre konkurues në treg. Me dëshirën për të bërë më të mirën për arsimin dhe me vullnetin për ta arritur këtë, veç rezultate të mira do ketë.

-Falëminderit!

 Jakup B. GJOÇA

 Qeveria prej vitesh, në fakt, e ka marrë plotësisht në dorë vetë këtë proces, edhe në shkelje të ligjit. Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH), objekti i të cilit nuk është pranimi në universitete, por krijimi i Qendrës Ndëruniversitare të Shërbimeve dhe Rrjetit telematik universitar për përmirësimin e sistemit universitar dhe hulumtimin shkencor

Qeveria kontrollon vetë këtë proces dhe shpërndan  studentët në universitete publike dhe jo publike. Studentët kalojnë një kalvar aplikimesh dhe nuk janë të qartë për të drejtën e studimit të fituar, pasi procesi është qëllimisht i ndërlikuar dhe tërësisht jo transparent

Situata në vitin e ri shkollor 2020-2021 është tejet e rëndë dhe Qeveria e Ministria e Arsimit nuk kanë marra masa për garancinë e jetës së nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Por, po i lë ata në “mëshirë” të virusit

Arsimi nuk ka qenë prioritet i kësaj qeverie  dhe këtë e tregon qartë  buxheti i planifikuar. Fondet për Arsimit ndaj PBB, (Produktit e Brendshëm Bruto), mbetën në nivelin rreth 3% duke mos arritur as vendet e rajonit. Kështu, financimi për student është 500-800 euro, krahasuar me 18 mijë euro për student, në vendet e OECD-së

Reformat në Arsimin Parauniversitar dhe Arsimin e Lartë janë të dështuara. Nga Ministria e Arsimit nuk kemi asnjë raport studimi se si ka kanë ecur këto reforma, rezultatet  dhe përfundimet e dala. Faktet tronditëse dëshmojnë se nxënësit tanë nuk marrin arsim cilësor dhe formimi i tyre është larg standardeve europiane