“Shtëpia u shkatërrua nga tërmeti”, familja në Durrës tregon vuajtjet: Bashkia nuk po na ndihmon

230
Sigal

Tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar mori jetë njerëzish dhe la pas një numër të madh dëmesh materiale.

Sadik Resnjaku nga Durrësi, të cilit lëkundjet e forta të tokës i shkatërruan shtëpinë është shprehur se ka 9 muaj që pret t’i rindërtohet banesa.

Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferraj u njoh nga afër me shqetësimin e Sadik Resnjakut, i cili siç shprehet, bashkë më gruan dhe nusen e djalit me fëmijë të vogël, është i detyruar të lëvizë nga një shtëpi me qira tek tjetra, pavarësisht moshës që ka.

“Që nga 26 nëntori e deri sot janë bërë 9 muaj. Dua të di, kur do fillojnë punimet se më vonë vjen dimër, jo nuk punohet se kohë e keqe, më the të thashë. U bëmë 9 muaj! Ngelëm me lecka në krah,” thotë qytetari.

Resnjaku thotë po ashtu se nuk janë mirë as nga ana psikike, ndërsa kërkon që bashkia të vihet në lëvizje dhe “t’i japë drejtim kësaj pune.”

“Me qira duke ndërruar shtëpitë. Do të bëhet, do të bëhet, thotë bashkia. Kemi shkuar disa herë por të vihet pika mbi i, kur do fillojnë punimet. Se tërmeti vërtet ka rënë në shtëpi dhe falenderoj zotin që nuk na mori jetën, e kupton apo jo.

Po na ka rënë dhe në tru! Nga ana psikike s’jemi në rregull hiç. Me pleq e me fëmijë të vogël. Gjatë verës që dalin milingonat në rrugë, për sytë e ballit nuk ju rrej, unë i kapërcej se edhe ato kanë shpirt, janë milingona.

Ne as sa milingonat nuk konsiderohemi, qenia njerëzore. Kemi punuar një jetë të tërë. Kërkoj me insistim, bashkia të vihet në lëvizje t’i japi drejtim kësaj pune!”