Miratohet huaja 15 milion euro për covid-19 / Manastirliu: Fuqizojmë sistemin. Opozita ngre polemika

254
Sigal

Kuvendi ka miratuar marrëveshjen e huasë prej 15 mln euro që do të shkojë për përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se ndër të tjera ajo do të shkojë për fuqizimin e sistemit spitalor, atij laboratorik si dhe sigurimin e mjeteve mbrojtëse për personelin shëndetësor.

Por, deputetët e opozitës parlamentare e kanë konsideruar të padrejtë marrjen e një tjetër kredie. Deputetja Rudina Hajdari tha se deri më tani qeveria ka marrë 1.2 mld euro borxh, por vetëm 150 mln euro janë përdorur për situatën e krijuar nga COVID-19.

Gjithashtu, Hajdari kërkoi një paketë të tretë ndihme për biznesin, teksa theksoi si domosdoshmëri mbështetjen e biznesit të vogël.

Huaja e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim ka një afat maturimi prej 12 vitesh, ndërkohë që në 3.5 vitet e para nuk do të paguhet principali, por vetëm interesat.