Ministrja, Lindita Nikolla mashtron Presidentin Nishani

705
Gazeta “Telegraf”, pas shqetësimeve të vazhdueshme nga ana e studentëve, sidomos atyre nga Kosova, të cilët kanë përfunduar studimet në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, ka bërë një investigim, duke marrë informacione nga specialistë të arsimit dhe juristë të njohur dhe ka zbuluar pa ligjshmëritë e pashoqe të bëra ditën me diell, të qeverisë “Rama”, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë

Dy problematika thelbësore dhe të pazgjidhura nga qeveria aktuale
Studentët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, ende pas 3 viteve nga krijimi i tij, gjenden sot përballë dy problematikave thelbësore dhe teknikisht të pazgjidhura nga qeveria aktuale. 

Së pari: Është universitet i pa akredituar, dhe si rrjedhojë diplomat e lëshuara prej tij nuk njihen në Europë, si për ata që duan të punësohen, ashtu edhe për ata që duan të thellojnë studimet apo specializohen në vendet perëndimore. 
Së dyti: Diplomat e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, ka mbi një vit e gjysmë që nuk mund të firmosen nga titullarët aktualë, pasi titullarët janë në kushte paligjshmërie. 

T`i marrim me radhë. Problemi i parë: Universiteti i Mjekësisë, Tiranë u krijua me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 48, datë 23.1.2013 “Për Krijimin e Universitetit te Mjekësisë, Tirane”. Ligji Nr.9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 62, në pikën 3 përcakton qartë qartë, e bardhë mbi të zezë: “Pika 3. Çdo institucion i arsimit të lartë apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat, përpara lëshimit të diplomave të para, i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë. Akreditimi i parë i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas ligjit të sipërpërmendur, por edhe sipas ligjit të ri të arsimit të lartë, të miratuar nga kjo mazhorancë, Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, nuk ka kurrfarë akreditimi. Pra diplomat e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë nuk kanë asnjë vlerë, dhe studentët tanë të mjekësisë që kanë shkuar jashtë vendit për arsye punësimi apo vazhdimësie studimi, kanë hasur në rezistencën e vendeve të tjera, të cilat nuk e njohin diplomën e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe rrjedhimisht nuk janë në gjendje ta klasifikojnë këtë diplomë. Teknikisht Diploma e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, kur kërkohet të njihet nga institucione të huaja ndesh në një problematikë thelbësore, asaj që: Nuk gjendet nga të huajt në asnjë dokument zyrtar, qoftë edhe on line, një akreditim të mundshëm të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, dhe automatikisht institucioni i huaj i konsideron kartonat e këtyre diplomave të paligjshëm.
Rektori i padekretuar, që nuk firmos dot
Problemi i dytë me diplomat e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë është se drejtuesit aktualë nuk kanë qenë të zgjedhur dhe për më tepër Rektori nuk është i dekretuar nga Presidenti, sipas ligjit. Ligji nr.9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 23, ku tek pika 2 përcakton se: “Kohëzgjatja e mandatit për organet dhe autoritetet drejtuese: “Rektori i një institucioni të ri publik të arsimit të lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, sipas propozimit të bërë nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, me një mandat njëvjeçar në drejtim. Ky mandat mund të përsëritet, por jo më shumë se dy herë radhazi”.

Pra u zgjodh një rektor me mandat një vjeçar, nga janari i vitit 2013 deri në janar të vitit 2014, ku rektore ka qenë mjekja e njohur znj. Jera Kruja, e komanduar sipas ligjit dhe e dekretuar nga Presidenti i Republikës zoti Bujar Nishani. Vitin e dytë të mandatit, pra Janar 2014- Janar 2015, ka qenë i komanduar mjeku Ali Refatllari, në përfundim të mandatit të të cilit, nuk janë bërë zgjedhjet në universitet, sipas ligjit, por është komanduar një tjetër rektor, mjeku Arben Gjata, i cili normalisht nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës, që ligjërisht s`ka mundur dot të firmosë asnjë diplomë. Mungesa e propozimit për emërimin e rektorit të Universitetit të Mjekësisë, zotit Arben Gjata në institucionin e Presidentit të Republikës, është bërë qëllimisht nga Ministria e Arsimit për të evituar pikërisht rolin e Presidentit të Republikës në këtë proces ashtu siç kushtetuta e sanksionon, ka zgjedhur rrugën e emërimit të një zv-rektori, i cili kryen edhe detyrën e rektorit. Presidenti i Republikës zoti Bujar Nishani në datë 18 shkurt 2016 është shprehur se, për situatën antiligjore në fjalë, ka kërkuar informacion zyrtar nga Ministrja e Arsimit Nikolla, për mënyrën e emërimit të rektorit aktual Arben Gjata. Presidenti i Republikës Nishani është informuar në rrugë zyrtare nga Ministrja e Arsimit se “mjeku Arben Gjata është në këtë detyrë si zëvendës rektor dhe se e ushtron këtë detyrë në mungesë të rektorit, emërim i cili sipas Kushtetutës bëhet nga Presidenti i Republikës. Gjithsesi kjo përgjigje nuk ka saruar aspak situatën antiligjore të krijuar nga mos shpallja e zgjedhjeve nga ana e Ministrisë së Arsimit, për më shumë se tre vite. 
Mashtrimi i Ministrisë së Arsimit.

Por “Telegraf” disponon prova të qarta që Ministrja e Arsimit ka mashtruar Presidentin Nishani, pasi zoti Gjata, përgjatë gjithë kohës së emërimit të tij si “zv.Rektor”, asnjëherë nuk ka firmosur si i tillë, por ka firmosur qindra shkresa, si të brendshme, ashtu edhe të jashtme, si “Rektor” në të gjitha efektet. Kuptohet qartë që qeveria e ka vendosur qëllimisht prej afro një viti e gjysmë zotin Gjata, që ky i fundit të krijojë bazat e nevojshme për konkursin në zgjedhjet e 20 Prillit 2016, për rektor të Universitetit të Mjekësisë. Dokumentet tregojnë se ky “kandidat rektor” i ardhshëm, përdor të njëjtën teknikë arrogante përkundrejt vartësve të tij, në të njëjtën formë që përdor edhe Ministrja Nikolla me presidentin e Republikës. Është e paprecedent në një vend demokratik që një ministër mashtron hapur Presidentin e Republikës, duke shkelur jo vetëm normat e Etikës Demokratike, por edhe ligjet e këtij vendi. Aktualisht, mbas pothuaj tre vite të qeverisjes së majtë, pika e parë dhe më kritike për Shqipërinë është se sistemi i arsimit të lartë, gjendet në një hendek kaq të thellë keq menaxhimi qendror, saqë jo vetëm nuk u përgjigjet mjaftueshëm nevojave të së ardhmes të shoqërisë dhe ekonomisë së vendit, por institucioni ekzekutiv i arsimit mashtron me tendencë ruajtjen e kontrollit mbi universitetet publike, duke thelluar më tej shkallën e përgjegjshmërisë. 
Sigal