Ministri Taulant Balla vizitë në Britani: Do marrim nga eksperienca britanike në pastrimin e Policisë së Shtetit

32
Sigal

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ditën e sotme zhvilloi një takim në Britaninë e Madhe me drejtuesit e Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA).

Balla u shpreh se diskutoi me ekspertët britanikë kundër krimit një sërë çështjesh. Pikësëpari që nga pastrimi i policisë së shtetit prej elementeve të inkriminuara, për të cilën ministri thotë se do të marrim nga eksperienca britanike.

Për të vijuar më pas me aksionet e Interpol, sa i përket përgjimeve të aplikacioneve Encro Chat dhe Sky. Nga ana tjetër diskutime pati edhe për hetimin e pastrimit të parave, në format e zakonshme por edhe ato ku përfshihen kriptomonedhat.

Taulant Balla: Kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me autoritetet ligjzbatuese britanike. Natyrisht disa çështje për të cilat kemi diskutuar, pikësëpari për të marrë edhe eksperiencat britanike në atë që unë e kam quajtur pastrimin e policisë së shtetit, nga elementë që brenda policisë së shtetit bashkëpunojnë me krimin. Ky është një proces që vijon prej shumë kohësh edhe në policinë britanike ashtu si procesi i vettingut. Dhe shkëmbimi i eksperiencave është i domosdoshëm, do të marrim prej tyre modele se si ata kanë përqasur dhe kontrollin e modeleve telefonike të oficerëve të policisë. Këtu në Britaninë e Madhe, punonjësit e policisë nuk mund të përdorin telefona apo pajisje të tjera komunikimi përveç atyre që u jepen nga vetë institucioni. Ndërkohë që kemi diskutuar edhe për një problematikë që diskutohet shpesh në Shqipëri, për aksionet e mëdha të Interpolit, siç janë aplikacionet Encro chat dhe Sky. Sepse edhe për ta është e njëjta sfidë. Në ndërkohë një pjesë tjetër janë operacione të përbashkëta. Në qasjen e grupeve kriminale të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike. Por mos harroni hetimin e pastrimit të parave, jo vetëm në formën që njohim në grupet kriminale, por edhe në format e pastrimit të parave ku përfshihen edhe kriptomonedhat.