Minatori i bllokuar prej 5 ditësh në galeri/ Vijon operacioni, inxhinierët më pranë vendit ku dyshohet se ndodhet 61-vjeçari

181
Sigal

Minatori Muharrem Plaku mbetet ende i bllokuar në një prej galerive të Bulqizës, ndërkohë që nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00 të së mërkurës, kur një sasi e madhe mineralesh u shemb dhe zuri brenda minatorin 61-vjeçar.

Kërkimet e deritanishme nga grupi i Avari Shpëtimit si dhe minatorë të firmave të tjera që po punojnë pa ndërprerje kanë rezultuar pa sukses.

Masivi i kromit, që dyshohet se ka nisur të shkëputet nga tavani i minierës, bllokoi Plakun brenda, e ndërsa janë larguar dhjetëra tonë minerale, ende nuk ka asnjë shenjë nga tekniku.

Familjarët dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera nuk kanë pranuar që të prononcohen për mediat. Jashtë kamerave, inxhinierët thonë se janë shumë pranë vendit ku dyshohet se ka qenë duke punuar minatori, por paraqitet më tepër rrezik gjatë punës për heqjen e mineralit.

Ndërsa punimet në rrugët kryesore të galerisë kanë përfunduar tashmë kanë nisur kërkimet në katet e tjera të minierës
Ditët po kalojnë, ndërkohë që shpresat për të gjetur shëndoshë e mirë 60-vjeçarin, i cili punonte prej 8 vitesh në minierë, pakësohen.