Dhimbje për gjimnazin, gurin e fundit të identitetit të kryeqytetit

Dr.Arben Braçe

Sot një mike ime e mirë, si një ishgjimnaziste e zellshme e Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Tiranë, ka shprehur me të drejtë dhimbjen dhe keqardhjen për shëmbjen e shkollës, si një gur i fundit i identitetit të qytetit ku jemi rritur dhe ku kemi vendosur të jetojmë.

NOA

Natyrisht të drejtën e debatit për çdo trashëgimi kulturore e kanë të gjithë, bile gjithsecili në botë edhe ata që nuk kanë qënë asnjëherë në atë shkollë.

Shëmbja e çdo objekti të memorjes së një vendi i dhëmb të gjithëve, por në mënyrë të veçantë atyre që kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre në atë shkollë. Të vetmit, që nuk kanë drejtë morale që të japin mendimin e tyre për memorjen kombëtare, janë një pjesë e miltantëve të pavlerë të partive dhe turmat qorre që janë të tifozë të eksituar të mbushjes së xhepave të oligarkëve me shpresën se një ditë do t’i hedhin ndonjë thërrime.

Sa herë më qëllon të kaloj pranë ndonjë objekti, pjesë të memorjes sonë historike në zhdukje, lexoj se për projektin e ri, janë bërë kaq apo aq, “dëgjesa publike” sikurse për restaurimin e Bulevardit të Tiranës, dhe shumë objekteve të tjera pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore.

Natyrisht në thellësi të mendjes sime kam menduar se cilët janë këta që kanë vulosur pa përgjegjësi mendimin e tyre për realizimin e katastrofës së memorjes sonë. Padyshim që dihet se cilët janë, veglat qorre të partive dhe thërrime mbledhësit e oligarkëve…

Por nuk kanë menduar se një ditë mund të dalin edhe para drejtësisë për të mbajtur përgjegjësinë e duhur për votimin makabër…

Normalisht oligarkët kushedi se ku do të jenë duke jetuar me të ardhurat e pasiv income dhe nuk do t’ia dinë për fatin e tyre.

Sikur të ishte vetëm për gjimnazin “Sami Frashëri”, fatin e të cilit mund ta kishte vendosur një forcë madhore sikurse tërmeti, nuk do të rendisja këto fjalë, por duke parë “nishanin” që kemi marrë, për të shkatërraur me zell edhe gurin e fundit të trashëgimisë kulturore do ta quaja këtë një katastrofë shumë më të rëndë se Covid 19, i cili me zbulimin e vaksinës edhe mund të na japë shpresë, por të jetosh në një qytet ku mungon tërësisht memorja historike është një zbrazëti shpirtërore pa skaj, një virus i pashërueshëm, që nuk i gjendet kurrë mjekim dhe vaksinë, një armë e fortë nukleare shkatërruese, që than shpirtin e gjithësecilit që të ketë mall për tu kthyer dhe dëshirë për të jetuar në këtë vend.