Mina dhe armë, lihen në burg babë e bir në Shkodër, dëshmitë: I kemi gjetur, nuk e dinim çfarë ishin

97
Sigal

Babë e bir, janë lënë në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ nga Gjykata e Shkodrës.

Petrit dhe Gledis Kubazi, janë dy të ndaluarit e operacionit “Qarku”, të cilët u ndaluan gjatë aksionit që u krye nga Policia e Shkodrës, FNSH dhe RENEA.

Petrit Kubazi, u shpreh në seancë se nuk ishte në dijeni për armët dhe municionet që ndodheshin në banesën e tij. Ai tregoi se armët i kishte gjetur djali i tij në një vend e më pas i kishte sjellë në banesë.

“Unë nuk e kam ditur aspak se ato armë dhe municioni ndodheshin në banesën time. Vetëm kur kam ardhur në komisariat kam pyetur djalin dhe ai më ka thënë se i kishte gjetur një natë më përpara në një vend, por nuk ka patur kohë të më tregojë sepse nuk jemi takuar.

Të nesërmen në mëngjes erdhi policia. Armën e gjahut shotgun e kam me leje sepse unë jam gjuetar, ndërsa arma tjetër sportive edhe ajo është me leje dhe është e një të njohuri. Sa i përket pjesës tjetër të armatimit nuk kam patur asnjë ide se janë në banesën time.

Radiot që janë gjetur ato ka tre vite që i kam sepse blihen kudo në internet dhe i kam përdorur për gjueti për të komunikuar. Unë kam punuar gjithë jetën time dhe më pëlqen gjuetia ndaj nuk kam asnjë lidhje me municionet”, ka thënë Petrit Kubazi.

Ndërkohë djali i Petrit Kubazit, Gledisi, 20 vjeç deklaroi përpara gjykatës së tri minat me telekomanda të lidhura me telefon, tetë kallëpet e tritolit C4, kapsollat detonatore si dhe 50 fishekët i kishte gjetur një natë më përpara, por pa e ditur se çfarë janë.

“I kam gjetur rastësisht një natë më përpara por nuk ia kam vënë rëndësinë dhe nuk e kam ditur se çfarë janë konkretisht sepse nuk i njoh. I kam marrë pa e ditur se çfarë ishin dhe kam dashur që ta pyes babain se çfarë janë, por nuk kam patur kohë të flas me të sepse të nesërmen erdhi policia dhe nuk arrita që të komunikoj me babain”, mësohet të ketë thënë 20-vjeçari.

Avokatët mbrojtës kërkuan që gjykata të linte me masë sigurie “arrest shtëpie” 20-vjeçarin Gledis Kubazi dhe me të drejtë që të vijojë të ndjek shkollën e mesme. Nga ana tjetër një masë lehtësuese u kërkua edhe për shtetasin Petrit Kubazi duke qenë se nuk ka patur dijeni për municionet. Por prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”. 

Nga kontrolli i 8 banesave në disa lagje të qytetit të Shkodrës u gjetën arsenal armësh, mina, tritol, fishekë dhe aparatë për bllokim valësh që dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.