Migjeni mbetet aktual, mjerimi po përsëritet

556
Sigal

 Hija e mjerimit migjenian, pikturë që përsëritet edhe sot në shekullin modern. Migjeni i djeshëm, i sotëm dhe i ardhshëm do të mbetet aktual nëse politikat e njëanshme, pasurojnë në mënyrë marramëndëse një grup duke varfëruar në mënyrë të tejskajshme masat popullore. Sot për një pagesë  servilosesh në punë se ta zë vendin patronazhisti dhe mbetesh pa bukën e misrit. Lypsat në rrugë po  vdesin nga uria dhe të ftohtit por nuk bëzajnë kur para tyre parakalojnë zonja dhe zotrinj me unaza brilanti dhe makina luksoze

 

Hija e mjerimit, migjenian, pikturë që përsëritet edhe sot në shekullin modern

 Uragani i ndërprerë, Migjeni, jetoi vetëm 27 vjet, 1911- 1938: në një kohë kur Shqipëria rridhte gjak nga kërbaçët e bejlerëve, në një kohë kur monopolet e kapitalit ndërkombëtar rrëmbenin pasuritë, në një kohë kur shteti, deputetët, fajdexhinjtë, mbanin në varfëri dhe mjerim popullin shqiptar. Me gjuhë letraro-artistike Migjeni i çorri maskën mashtrimit, kultit të sunduesit Zog, që ishte kthyer në një burg për mijëra njerëz të thjeshtë dhe të ndershëm. Vargjet e Migjenit u drejtohen njerëzve të mjerë që jetojnë në errësirë.

Kontakti me realitetin mbart tek Migjeni dhembjen për të mjerët e mërinë për shtypësit e farisejtë.

Në tregimin “Novelë mbi krizë” studiuesi Moikom Zeqo, shprehet: “Brenda hapësirës migjeniane ne ndiejmë sot, që nuk kemi vetëm një realitet të dhimbshëm për kohën kur jetoi, por edhe për ditët tona që po jetojmë. Migjeni vazhdon të mbetet aktual, mjerimi po përsëritet.” Statistika e ditëve të fundit e vendos Shqipërinë në vendin e dytë në botë për korrupsionin me 3.1, mbas Zambias, që zë vendin e parë në botë me 5.3. Është fakt real që Migjeni i djeshëm, i sotëm, edhe i ardhshëm, nëse do të vazhdojë politika e njëanshme e shtetit në pasurimin marramendës të disave dhe varfërimin e tejskajshëm deri në mjerim i masës popullore, mbetet aktual. Realitetin e hidhur në krijimtarinë e Migjenit e ndiejmë, e shohim, e vuajmë edhe sot, me të gjitha nuancat jetësore, shkruar vite e vite më parë, prandaj Migjeni lexohet, ballafaqohet me realitetin e sotëm dhe kuptohet. Vepra e Migjenit:  “Vargjet e lira” është përkthyer në 30 gjuhë të botës. Vlera ideo-artistike mbetet aktuale, drithëruese, emocionuese dhe estetike në çdo kohë dhe në çdo shtet, lexohet me ndjesi shpirtërore.

Realitetin e hidhur të kohës e prek edhe në demaskimin e sistemit ekonomik, të cilin e godet me ashpërsi dhe dhembsuri në tregimin “Legjenda e misrit”. Fuqishëm e me forcë artistike Migjeni dënon shfrytëzimin e egër kapitalist dhe kalimin e shoqërisë shqiptare nga varfëria në mjerim tragjik: Shekulli i njëzetë, ishte për Migjenin, shekulli i krizave të tmerrshme ekonomike, sepse malësori arriti të bëhej servil frikacak, pasi mendonte se e do ligji, nëpunësi i shtetit, përndryshe, s’ka misër.

Po sot? Për një pagesë servilosesh në punë, se të zë vendin korrupsioni, patronazhisti dhe mbetesh pa bukën e misrit!

Migjeni nuk qëndron indiferent ndaj realitetit varfanjak që prodhon viktimat e tij, por ngre zërin kundër shkaktarëve të kësaj gjendjeje, që janë shteti, ministri, “qeveritarët”, realizuar magjishëm, siç mund të shprehej Lasgush Poradeci, me mbylljen demaskuese në tregimin “Bukuria që vret”.

Shqipëria në krijimtarinë poetike letrare të Migjenit bëhet pasqyrë besnike e të mjerëve që vuajnë nën zgjedhën e feudalëve dhe të kapitalizmit. Kontakti me realitetin e shpalos në poezinë “Poema e Mjerimit”, ku shpalosen artistikisht: uria, korrupsioni, prostitucioni, alkoolizmi, pjella të sistemit kapitalist, që jo vetëm tingëllojnë reale, por edhe aktuale, që i përjeton shqiptari sot!

 

Misër! Misër!

Lajmi se do të shpërndahet misri, duel nga zemra e dheut, rrodhi nëpër dejt deri te gjymtyrët e mpita të dheut që quhet shtet. Dhe bëri të dridhen nga gëzimi frymorët që s’kanë me ç’ka ta mbajnë frymën.

Si thneglat, që mblidhen rreth nji kokrrës misri, q’ashtu në nji qendër nënprefekture janë mbledhun malsorët rreth depos së misrit. Katundevet që përfshin nënprefektura do t’u ndahet misri. Malet e egra me mjegullë e borë, qiella që tue derdhë shi të lagë deri në palcë, kishin dashë t’ia presin rrugën malsorit. Por kush ia ndalon atij hovin kur shkon me marrë misër?

Misër për fmi të nxirë nga mjerimi, të cilët kur duertë shtrijnë, u përngjajnë lugetënve të vocërr. Dëshmorë tragjikë në këtë skaj të dheut, të cilët njerzit e huej i kujtojnë ndër legjenda historike. Legjenda historike me një lumni legjendare. Se lumnija e vërtetë asht larg, tepër larg, nga këto foletë e shqipeve .

Nëpër luginat e maleve përshkohet malsori vetëm me nji këmishë e brekë legjendare mbi shtat, për me arrijtë në qendrën e nënprefekturës, me marrë misër. Krahnori i tij asht një copë graniti, që u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit. Dhe lëvizet copa e malit pa bëzajtë. E përpara depos së misrit bjerr cilësinë karakteristike të vetën dhe bahet frigacak. Bahet servil, frigacak pse- mendon ai,- njashtu e do ligji, nëpunsi: përndryshe s’ka misër.

Si urdhnon, zotni! Përsëritet sa e sa herë në mënyrë qesharake, me të marrun zani me gjeste majmuni- vetëm e vetëm me zgjue mninë e engjujve që ndajnë misër.

Dhe kur e marrin misrin, nisen njeni mbas tjetrit gjatë udhës së ngushtë të malit dhe të jetës. Ndodhë që njenit i derdhen kokrrat e misrit nëpër birë të vogël të thesit. Shoku mbrapa, pa i pa i shkelë, e i treti shok as një as dy, por ia hjedh mallkimin e pamëshirshëm :

– Mos i shkel, he të shitoftë Zana! Se shekulli i njëzetë asht shekulli i apoteozës së misrit ndër foletë e shqipeve.

 “Bukuria që vret”

Hana e zbetë, si ftyra e një të vdekuni, kundron nga kupa e qiellës. Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora. Kundron kasollet e kristalizueme të katundit, të cilat as frymë nuk marrin. Të gjitha janë mbështjellë në bardhësinë e borës. Dhe të vret kjo bukuri e bardhë. Vret shpirtin e malsorit, siç vret shpir-

…Dhe agimi zbardhë me bukurinë e bardhë që vret. Çohen njerzit me trupnat e mpimë dhe me kujtim në ndërgjegje se u ka kalue edhe një natë e vështirë. U çuen, por nuk çohet një vocrrak. Dora e s’amës shtrihet mbi të dhe m’at çast një britmë e tmershme i çpoi zemrat e kasollës. Dhimba e nanës i shkrin zemrat në vaj, por ç’e do kur nuk shkrin zemrën e ngrime të vocrrakut.

Po, ishte ngrimë lokja e nanës. Gjaku i tij i kuq e i purpurt ish ngri ndër dej, ish bamë kristal, që të bahet një servis për miljonarin. Jo, gjaku ish bamë rubis, për gjerdhanët e metresavet.

E trupi i vocrrakut, i lokes së nanës, ishte bamë një shtatore e ngurët, shtatore e ngurët e shkulun nga gjini i nanës.

Merrnie dhe çonie në qytet kët shtatore! Vendosnie në një shesh! Dhe si përmendore kushtonia ndokujt! Kushtonia atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministri o deputeti, o ndokujt tjetër. E në rasë se nuk gjeni ndoj njeri që ka merita të mjaftueshme, atëhere kushtonia atij që ka merita më pak: perëndisë klasike.

 

Novelë mbi krizë

Paria e shtetit X nuk dinte ç’të bajë dhe si ta vendosi çështjen e krizës. Vorfënia e madhe kish bamë shumë njerëz të marrin shkopin e lypsisë dhe shumë gra, me foshnje në gji, të shtrijnë dorën për lëmoshë. Por, për këtë nuk u tundte paria e shtetit X. Ngritja e shkopijve të lypsisë, rrëmbimet, vjedhjet, vrasjet, këta e shtynë parinë të kuptojë se nuk asht puna për t’u tallë. Dhe shpejt u mblodhën. U mblodhën për ta shkundë e për ta rrahë çështjen seriozisht, në të gjitha pikëpamjet. Ndër biseda të gjata konstatuan se kjo krizë asht nji “shtazë”,  që ka fazat e veta. Ndër analet e shtetit kënduen: në vjetin 1… kishin vdekë do njerëz nga uja, në vjetin 12… do lypsa ishin organizue me qëllime të dyshimta, në vjetin123… e kanë plaçkitë pasurinë e shenjtë të një manastiri dhe igumeni asht gjetë i varur në një mënyrë qesharake, e kështu ma e ma. Pranej paria dëshironte njëherë e përgjithmonë ta heqë qafe këtë çështje, ta mbysi “shtazën”! me fazat e saj. Përpjekjet e shumta me rryma të ndryshme, të bazueme në ungjill, në humanitet, në instinkt, në violencë e në ndoj utopi tjetër, nuk mund të bijshin aq shpejt në ujdi. Shkenca me karakter ekonomik, teknika, mekanika nuk kqyreshin me sy të mirë në mbledhjen e shtetit X. Arsyeja ishte se ato qenë një shkak i fortë i krizës së tashme, e cila tani si një polip po thith e po shterr trutë e parisë. Poshtë e përpjetë, djathtas e majtas, në fund të fundit ra vendimi: u gjet një kompromis. O kompromis, fëmi bastard i të gjitha mbledhjeve! Të dalme dredharake! Vendimi i parisë të shtetit X ishte ky: me anë të artit të çdollojshëm të nënshtypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasve të shtetit X, si të vorfënve ashtu edhe të pasunve- të vorfnit mos me vjellë e mos me vunë dajak të pasunit për një krodhë bukë, e të pasunit me pasë mëshirë për të vorfnit e me ua bamë një hise të vogël. Kur u ba ky vendim parria shtrydhte facoletat e mëndafshta, nga të cilat pikonte djersa e ballit të tyne pikë…pikë…pikë…Por ! Në urim e sipër shtrëngojshin dorën shoqi-shojt dhe u shkrijshin në ndjenjën e sadisfaksionit moral. Ai vendim e vlente këtë mund.

Për një kohë të shkurtë ndërroi faqen shteti X. Arti i frymëzuem dhe i punuem mbas recetave të parisë e shndërroi shtetin në një muzeum artistik. Ishte triumfi recetës! Ose triumf i artit me qëllim! E qëllimi u mërrinte dalëngadalë, por me siguri. Kur shndërroi faqen shteti zunë të

shndërrojnë trajtat dhe shpirti i nënshtetasve. Shpirti dikur pëllumb, ishte ba skyfter, tash u ba prap pëllumb.

Sidomos shumë kish ba për çështje skulptura. Veprat, që parafytyrojnë të gjithë dashnitë e botës, gjindeshin në çdo skaj, ku mblidheshin lypsat, për të organizue shoqata vjedhcash dhe terrori. Ç’ndryshim ideal! Tash lypsat të zbemë nga uja, me supe të mprehtë e kërci të ndytë përjashta: rrijnë në podium të monumenteve, dhe rrinë pa ba kurrfarë lëvizje kundërshtimi. kur vjen nata futen. Aty rrijnë gjithë ditën; kur vjen nata, futen nëpër zgavrat e monumenteve dhe androjnë begatinë shpirtërore. E kur zbardh mëngjesi, nji nga nji, porsi Çarli Çaplini tragjiko-komik- çohen nga gjini i monumenteve, hapin gojën, shtrijnë duert dhe kambët dhe ulen në podium, për ta çue gjithë ditën në inerci të plogët. As nuk hanë, as nuk pinë. Ushqimi i tyre është bukuria e monumenteve. Rrijnë me sy të ngulun në ndonjë pjesë të monumentit-dhe kënaqen…

Vdesin lypsat nga uja, nga të ftohtit, por nuk bëzajnë. Kalojnë përpara tyne, në parakalim, zotni e zonja me stoli të arta, me unaza brilanti, topazi, smeraldi, rubini, të një çmimi përrallues, e lypsat kënaqen me ndjenjën e bukurisë tue i shikue,- ndërsa të pasunit dalëngadalë vazhdojnë me hapa teatralë në dukjen, impozante. Dredhi! Poshtni! Ndjenjat e ngurta të të pasunve mbetën pa prekë, ndërsa ndjenjat e lypsave u  banë pambuk. Paria e shtetit X mendonte se edhe të pasurit po djerrin kohën me dokrra artistike; nuk i shkonte në mend rivaliteti në mes të pasaunve, përmbysja e shoqi-shojt-gja që okupon të tanë trunin e tyne, e arsyeja pse të pasunit nuk çajnë kryet për art. Kështu lypsat nuk u kërcënohen të pasunve e këta pa frikë fryhen si bibat me thelba arrash dhe shkëlqejnë si lustri i këpucës. Fryhen të pasurit, barku i tyne lodërtinë, por me pëlcitë-jo! E lypsat vdesin. Vdesin dita më ditë, por me u shfarrosë-jo!…

 

Poema e Mjerimit

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi

kafshatë, që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi.

Kur shef ftyra të zbehta edhe sy të jeshilta,

që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita,

edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin,

të tanë jetën e vet deri sa të vdesin…

 

mjerimi tërbohet në dashuri epshore.

Nëpër skaje t’errta, bashkë me qenjë, mijë, mica,

mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta, të lagta,

lakuriqen mishnat, si zhangë, të verdhë e pisa.

Kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore.

Kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta

edhe, shuhet uja, dhe fashitet etja,

n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.

dhe aty zajnë fillin të marrët, shërbtorët dhe lypsat,

që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

 

Mjerimi punon, punon dit’ e natë,

tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,

tue u zhigatun deri në gjunjë në baltë,

e prap zorrët  nga uja i bahen palë-palë.

Shpërblim qesharak! Për qindënjë afsh

në ditë-vetëm: lekë tre-katër dhe “marrsh”!

 

mjerimi ka i herë i ka faqet e lustrueme,

buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,

trupin përmendore e një tregtis së ndytë

që asht i gjykuem të bijë në shtrat vet’ i dytë

dhe për at’ shërbim ka për të marrë do franga

ndër çarçafë,ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

 

Mjerimi ka motër ngushëlluese gotën.

Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale,

të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën

në fyt, për me harrue nandhetenand halle…

Mjerimi s’do mshirë, por don vetëm të drejtë!

M’shirë? Bijë bastarde e etënve dinakë,

të cilt në mënyrë pompoze po si farisejtë,

i bijnë lodërtinës me ndjesi dhelparakt,

tu ja lshue lypsit një grosh të holl’ në shplakë.

Mjerimi asht një njollë e pashlyeme,

në ballë të njerëzimit që kalon nëpër shekuj…