Meta: Shqipëria këtë vit kremton 110-vjetorin e shtetformimit të saj, por nuk mundet veçse të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë

113
Sigal

Fjala e Presidentit SH.T.Z. Ilir Meta në Kuvendin e Republikës së Kosovës

 I nderuar Kryetar i Kuvendit Konjufca,

 E nderuar Presidente Osmani,

 I nderuar Kryeministër Kurti,

 Të nderuar deputetë dhe anëtarë të kabinetit qeveritar,

 Të dashur miq,

 Motra dhe Vëllezër!

 Ju falenderoj nga zemra për mikpritjen e ngrohtë dhe mundësinë për të qenë sot këtu mes jush dhe sidomos për t’u rikthyer në Parlament pas 5 vitesh.

Kur vizitova Kosovën në dhjetor 2000, asokohe si Kryeministër, pata theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës kanë nevojë për partneritet, dhe jo për paternalizëm.

Që nga ajo kohë, kanë ndodhur zhvillime shumë madhore.

Që nga pavarësia e Kosovës, ndërtimi i institucioneve demokratike të qëndrueshme, njohja ndërkombëtare nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara, deri tek konfirmimi i pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, anëtarësimi në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, e plot arritje të tjera.

Sot, do të ishte edhe më absurde të pretendohej për paternalizëm në marrëdhëniet tona, kur shteti i ri i Kosovës është shembull edhe për vendet e tjera të rajonit, përfshirë Shqipërinë.

Prandaj, vazhdoj të besoj se marrëdhëniet tona vllazërore kanë nevojë për më shumë qëndrueshmëri dhe gjithpërfshirje, dhe jo për protagonizëm apo përvetësim.

Unë sot paraqitem përpara jush, si një njeri që i ka qendruar gjithmonë besnik kësaj filozofie partneriteti dhe bashkëpunimi, me vepra dhe jo me fjalë, duke e mbajtur gjithmonë derën e hapur ndaj çdo shtetari dhe përfaqësuesi të Kosovës, pa dallim, me dëshirën që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona të jenë vllazërore dhe strategjike në mënyrën më kuptimplote.

Gjithçka e lidh Shqipërinë me Kosovën: tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, traditat, zakonet, interesat, perspektiva Europiane dhe Euro-Atlantike.

Kjo lidhje e pandashme Shqipëri – Kosovë i ka rrënjët tek gjaku i derdhur dhe sakrificat sublime të etërve të kombit dhe heronjve tanë më të lavdishëm nga Gjergj Kastrioti tek Adem Jashari, nga Ismail Qemali tek Ibrahim Rugova.

Forca ripërtëritëse e marrëdhënieve tona qëndron gjithmonë tek njerëzit, këndej e andej kufirit. Ata e kanë mbrojtur përbashkësinë e së shkuarës, ata e mbajnë gjallë të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Ndaj ky vullnet i patjetërsueshëm kërkon një devotshmëri edhe më të madhe politike për të bashkëpunuar më suksesshëm në të gjitha nivelet dhe të gjitha rafshet.

Kemi plotësisht të drejtë të krenohemi me arritjet e deritanishme, por duhet gjithashtu të reflektojmë mbi potencialin e pashfrytëzuar mjaftueshëm për realizimin e qëllimeve të përbashkëta.

Me të drejtë krenohemi që kemi vendosur një bazament ligjor shumë të gjerë dhe shumë të mirë, por suksesin e bashkëpunimit duhet ta masim me rezultate sa më konkrete.

Me të drejtë krenohemi për ndërlidhjen e infrastrukturës rrugore përmes Rrugës së Kombit, për rritjen e shkëmbimeve të njerëzve, mallrave, kapitalit, për ndërlidhjen energjetike, por të përshpejtojmë hapat për zgjerimin e kësaj ndërlidhjeje edhe përmes infrastrukturës hekurudhore dhe portuale.

Të krenohemi për lirinë dhe pavarësinë, por të qendrojmë më vigjilentë ndaj rreziqeve të reja që na kanosen.

Të krenohemi me vllazërinë tonë, por t’i shërbejmë me më shumë sinqeritet asaj.

Historia na jep ç’do të drejtë të krenohemi me luftën çlirimtare të UÇK, por të kujdesemi që kjo luftë të vazhdojë të mbetet e panjollosur, siç e meriton.

Të mbështesim fuqimisht dhe njëzëri kauzën e drejtë dhe përpjekjet heroike që u bënë prej luftëtarëve të lirisë për t’u mbrojtur dhe çliruar prej genocidit.

Pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden padrejtësisht në Hagë do të triumfojë mbi çdo tentativë të pashpresë që synon t’i kthejë agresorët në viktima, dhe viktimat në agresorë.

Ne sot kemi plotësisht të drejtë të krenohemi me peshën e rritur të faktorit shqiptar në rajon, por duhet edhe të bashkojmë forcat për të ndalur hemoragjinë demografike që ka prekur vendet tona, duke u krijuar më shumë mundësi të rinjve tanë të mrekullueshëm që të qëndrojnë në shtëpinë e tyre.

Të jemi krenarë për orientimin europian dhe euro-atlantik mbarëshqiptar në rajon, por të bëjmë më shumë për të drejtat e bashkëkombasve tanë në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë.

Të jemi krenarë për tolerancën që na shquan në rajon, por të mos harrojmë se genocidi në Srebrenicë, Reçak e Prekaz, kishte edhe autorë jo vetëm viktima.

Të jemi krenarë që kemi zgjedhur të jemi në anën e duhur të historisë, përkrah vendeve të lira dhe demokratike, por të mos kemi iluzione se liria dhe demokracia janë të dhëna përgjithmonë.

Të dashur vëllezër e motra,

Shqipëria këtë vit kremton 110-vjetorin e shtetformimit të saj, por nuk mundet veçse të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë.

Të marrë shembull, se si llogaridhënia qeverisëse sigurohet përmes institucionit më jetik të demokracisë përfaqësuese, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Kjo është meritë e përbashkët e klasës politike dhe e qytetarëve të Kosovës, sikundër është edhe tregues i qartë se Kosova është gjithmonë e më shumë jo vetëm faktor paqeje, sigurie, stabiliteti, por edhe demokratizimi dhe europianizmi në rajon.

14 vitet e pavarësisë së Kosovës provuan ditë pas dite, se Kosova shtet i pavarur dhe sovran ishte një realitet diametralisht i kundërt me propagandën dashakeqe, që e portretizonte Kosovën si burim konflikti dhe destabiliteti ndëretnik e rajonal.

Kosova është një faktor i fuqishëm stabiliteti në rajon, që ka ndërtuar marrëdhënie shembullore të bashkëpunimit me të gjithë fqinjët e saj, jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me Malin e Zi dhe me Maqedoninë e Veriut.

E vërteta është se Kosova ka hedhur themele të forta e të qëndrueshme të shtetndërtimit, duke përqafuar vlerat dhe parimet më të larta demokratike, respektin për liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, mbrojtjen më sipërore të pakicave, e përkushtuar për funksionimin e demokracisë parlamentare, që respekton parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve, që synon sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Të gjitha këto i ka demonstruar përmes përballjes me sfidat, që nuk kanë qenë as të rralla e as të pakëta.

Zonja dhe zotërinj,

Sot Europa, dhe e gjithë bota është tronditur thellë nga agresioni rus kundër Ukrainës, kundër një vendi të lirë, sovran dhe të pavarur Europian.

Sot NATO është më e bashkuar, më e madhe dhe më e fuqishme, jo vetëm si Aleanca më e suksesshme e mbrojtjes kolektive në botë, por edhe si Aleanca e vlerave të përbashkëta të lirisë.

Shtrirja e perimetrit të NATO brenda rajonit tonë është garanci e drejtpërdrejtë e mbrojtjes territoriale, dhe plotësisht në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Ne i mbështesim fuqimisht përpjekjet tuaja, që edhe  Kosova të jetë anëtare e NATO-s.

Shqipëria i ka mundësitë dhe duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim.

Si vend anëtar i NATO-s, si anëtare jo-e-përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB, si vend që sapo nisi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, Shqipëria ka një hapësirë veprimi ende të pashfrytëzuar sa duhet, në dobi të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.

Edhe për shkak të kontekstit të ri gjeopolitik, të dyja vendet tona duhet të mendojnë dhe bashkëpunojnë edhe në mënyrë më strategjike se derimë tani.

Përparimi ynë drejt Bashkimit Europian duhet të jetë mision parësor dhe i palëkundur.

Kosovës duhet t’i hiqen sa më parë vizat. Vendet që nuk e kanë njohur shtetësinë e saj duhet të binden që Kosova është një rast sui generis, mbi të cilin nuk mund të hiqen paralele të ngjashme. Procesi i Berlinit është platforma më e mirë e bashkëpunimit rajonal që i shërben europianizimit të plotë të rajonit tonë.

Dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian duhet t’i përmbahet misionit për të cilin u krijua. Dhe ne duhet ta mbështesim dhe ta nxisim këtë dialog si i vetmi mekanizëm që siguron zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë dhe të dobishme, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për të gjithë rajonin tonë.

Ne duhet t’i bëjmë më shumë jehonë faktit se ky dialog nisi pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që pavarësia e Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare, duke e njohur kështu Kosovën si subjekt juridik ndërkombëtar legjitim.

Ky dialog i dha mundësinë dhe hapësirën e nevojshme kohore Serbisë që gradualisht të njihte edhe ligjërisht faktin se pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pandryshueshme.

Mendoj se ka ardhur koha që mekanizmi i dialogut të rivitalizohet, por duke qendruar gjithmonë vetëm në themelet e veta qëllimore, për të prodhuar një marrëveshje përfundimtare ndërmjet të dy vendeve që kurorëzon njohjen reciproke.

Të dashur Vëllezër dhe motra,

Shqipëria dhe Kosova meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e kombeve europiane. Kjo kërkon vendime të forta dhe vullnetmirë. Kjo kërkon edhe më shumë punë dhe përkushtim.

Kjo kërkon institucione demokratike të qëndrueshme dhe efikase. Kjo kërkon edhe më shumë llogaridhënie qeverisëse, sundim të ligjit, drejtësi të pavarur, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Bashkimi Europian nuk lodhet me zgjerimin nëse vendet që janë në proces anëtarësimi i bëjnë siç duhet detyrat e tyre.

Po kështu, ndër shqiptarë nuk duhet të zejë vend teza e lodhjes me Bashkimin Europian dhe as fajësimi i tij. Kjo do t’i shërbente minimit të perspektivës europiane të rajonit tonë për llogari të aktorëve të tretë.

Sot më shumë se kurrë, ne e ndiejmë çdo të thotë të jesh pjesë e sigurisë së NATO-s dhe të kesh aleat strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot më shumë se kurrë, duhet të bindemi se paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon mund të konsolidohen vetëm përmes anëtarësimit tonë të plotë në Bashkimin Europian.

Të ruajmë besa-besë konsensusin mbarëshqiptar pro-BE dhe pro-NATO, si të vetmen rrugë që kemi zgjedhur, sepse ne shqiptarët në këtë rajon jemi përfituesit më të mëdhenj të epokës së integrimeve europiane dhe euro-atlantike.

Kjo është trashëgimia që duhet t’u lemë brezave të ardhshëm. Një Shqipëri dhe Kosovë euroatlantike dhe europiane, të bashkuara mes kombeve të lira dhe demokratike.

Zoti i bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë,

Falemnderit!