Meta apel nga Kosova: Të mos biem pre e atyre që duan të minojnë rrugën perëndimore për interes të palëve të treta

142
Sigal

Presidenti i vendit Ilir Meta përcolli nga Prishtina mesazhe të rendësishme në lidhje me situatën në rajon dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologen Vjosa Osmani, Meta deklaroi se kombi shqiptar ka përfituar shumë nga rënia e murit të Berlinit dhe se në rajonin e Ballkanit duhet të ketë sa më shumë NATO dhe frymë perëndimore.

Kreu i shtetit shtoi se Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të bien pre e atyre që tentojnë të minojnë rrugën evropiane dhe perëndimore për interes të palëve të treta.

Nuk ka një komb tjetër në rajon që ka përfituar më shumë nga rënia e murit të Berlinit dhe perdes së hekurt se kombi ynë. Para 90-ës si kanë qenë shqiptarët në Shqipëri në një vend ku mohohej besimi te zoti, përveç të drejtave më themelore të njeriut, dhe si kanë qenë shqiptarët në ish-Jugosllavi, më të diskriminuarit dhe më të shtypurit. Është interesi ynë që të forcojmë stabilitetin në rajon. Të kemi sa më shumë NATO në rajon dhe Kosovën ta kemi pjesë të aleancës. Të mos biem pre e të gjithë atyre që duan të minojnë këtë rrugë për interesa të palëve të treta.

Evropa është lodhur nga vende të cilat kanë hyrë dhe nuk përmbushin standardet, por nuk është lodhur nga vendet që plotësojnë standardet, respektojnë shtetin ligjor dhe luftojnë korrupsionin.

Dua t’ju përgëzoj për arritjet. Jeni faktor i paqes në rajon, keni marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Mezi presim që të kemi një marrëveshje dhe një njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Dua t’ju nxis për të ecur në këtë rrugë, për të evituar këto provokime”, tha Meta.