Meta, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Teodor Laço: Shkrimtarët e mirë mbesin gjithmonë!

487
Sigal

Gazeta Telegraf/



E dashur Miriana,

 

Të dashur Pandi dhe Bledar,

 

 Me dhimbje dhe trishtim të thellë
mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Teodor Laços, shkrimtarit të njohur,
autorit të një proze të shkëlqyer në letërsi dhe në jetë.

 

 E kam njohur Teodorin në dy kohë;

 

 Kam njohur fillimisht artistin e
Letrave nën diktaturë. Si lexues jam njohur herët me pasionin e tij për të
treguar jetën e përditshme shqiptare. Atë jetë të ashpër, të errët e të
vështirë, por edhe të bukur e të shndërritshme siç është gjithmonë e në çdo
rrethanë vetë jeta. Edhe atëherë kur jetohej realisht, edhe atëherë kur
tregohej në bobinat e filmave të dikurshëm bardh e zi të Kinostudios, edhe
atëherë kur dëshmohej se kishte të gjitha ngjyrat e mundshme të një shoqërie që
luftonte për mbijetesë.

 

 Teodori ishte pjesë e atij brezi
shkrimtarësh të lindur para luftës që luftuan gjithë jetën për ndryshim e
progres.

 

 Në fillim të viteve 90’, njoha edhe
Teodorin tjetër, qytetarin e angazhuar dhe intelektualin që hyri në politikën
pluraliste me nevojën për të rishkruar dhe njëherë skenarin për të ardhmen e
shoqërisë shqiptare. Duke mbetur sërish shkrimtar në thelbin e tij, Teodori
ishte një zë i rëndësishëm i Kuvendit të Shqipërisë, deputet në disa
legjislatura, ministër i Kulturës dhe ambasador i Republikës së Shqipërisë.

 

 Shkrimtari i huazoi politikës pak
shkëlqim nga kultura e përhershme dhe politika i dha shkrimtarit kostumin e
përkohshëm të shtetarit. 

 

 

 

I mençur dhe i urtë.

 

 Fjalërëndë dhe miqësor.

 

 I brishtë me forcën e talentit, i matur
me përvojën e të urtit dhe serioz me gëzimin e të riut për jetën, Teodori le
pas kujtimin e mirë të qytetarit të mirë.

 

 Baba
dhe bashkëshort, Teodori do t’i mungojë familjarëve të tij, miqve dhe kolegëve,
por do të jetë vazhdimisht pranë lexuesve të veprës së tij.

 

Sepse shkrimtarët e mirë mbesin gjithmonë!

 

E dashur Miriana, Pandi dhe Bledar, ju lutem
pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje të përbashkët që na
ka lënduar të gjithëve!

 

 Ilir META