Mësuesi abuzues me nxënëset në Shqipëri, i dyshuar edhe për tre raste

456
Një nxënëse e shkollës “Ali Hajdini”, në fshatin Kalasë të Delvinës, u ngacmua seksualisht nga mësuesi i saj, rreth dy muaj më parë. 
Vajza e denoncoi rastin në familje dhe nuk erdhi në shkollë këto dy muaj. Autoritetet e arsimit, që ishin në dijeni të rastit, bënë vetëm zhvendosjen e mësuesit në një shkollë tjetër, 4 kilometra nga Kalasa.
E mitura që foli për ngacmimin me gjyshen është ende shumë e tronditur. Gjyshja e saj tregon: “Vajza më tha që mësuesi e kishte marrë në klasë dhe e kishte qëlluar nga pas. Më pas, e kishte puthur. Ai të dënohet siç e meriton sepse nesër mund të ngacmojë një tjetër”.
Ndërsa nëna e vajzës shprehet: “Kur më tha vajza se çfarë kishte ndodhur, unë shkova te shkolla dhe u përballa me mësuesin, por nuk pranoi gjë. Unë dua që ai të marrë dënimin që duhet”.
Një tjetër vajzë e klasës së gjashtë dhe nëna e saj drejtuan një denoncim për ngacmim pak muaj më parë. Njëra prej vajzave thotë se ai kishte prekur shoqet e saj të klasës.
Neshat Tepelena jepte mësim në shkollën e fshatit Kalasë prej më shumë se dy dekadash. Ai u akuzua publikisht për herë të parë për një rast ngacmimi seksual në vitin 2003, kur një vajzë 12 vjeç rrëfeu se ishte abuzuar prej tij dhe ndihej e kërcënuar dhe e frikësuar në shkollë. Në atë kohë, thotë Ferdin Xhaferi, ish-koleg me Neshet Tepelenën, mësuesit nuk e besuan fëmijën.
“Nuk e besova për atë rast. Nuk e besoja sepse e dija si veten. Por, tani them se është e vërtetë”, deklaron Xhaferi.
Ndërsa prokuroria është duke e hetuar rastin Neshet Tepelena. Rastet e njohura publikisht të ngacmimit të të miturave prej tij janë të paktën 3, por organet e hetimit besojnë se situata mund të jetë edhe më e komplikuar.
Sigal