Mendime për përfundimin e këtij viti shkollor!

647
Sigal

Prof.Dr. Myqerem Tafaj

Tani po dëgjohen mendime të ndryshme se çfarë do bëhet me vitin shkollor! Kjo nuk është çështje llogaritjesh aritmetike. Eshtë më së pari çështje lidershipi dhe vendimarrje.

Dhe këtu duhet të nisemi nga faktorë të pandryshueshëm nga ne:

1. Ky vit shkollor dhe akademik nuk duhet të dëmtoj kurrsesi vitin pasardhës shkollor 2020/21, aq më tepër kur nuk e di njeri deri kur do të vazhdoj kjo epidemi.

  1. Në asnjë vend të botës nuk bëhet mësim kur temperatura kalon 30 gradë celsius brenda në shkollë. Kjo do të thotë që viti shkollor nuk mund të zgjatet në korrik, kur klasat janë pa kondicionim! Madje kjo nuk është e lehtë edhe për studentët që janë të rritur.
  2. Maturantët duhet të përfundojnë provimet jo më vonë 30 qershorit. Ndryshe maturantët humbasin shansin për aplikim në universitetet e huaja. Unë mendoj se duhen zgjidhje për dy skenare duke u nisur edhe nga zhvillimet në vendet e tjera.

Skenar optimist: Shkollat dhe universitetet rifillojnë brenda muajit Maj: Në këtë rast viti shkollor mund të mbyllet me një zgjatje deri maksimumi fundin e qershorit. Për të gjitha klasat mund të riorganizohej dhe komprimohej programi mësimor, por pa rritur ngarkesën e nxënësve, që do të kthehen edhe të stresuar nga një mbyllje në shtëpi jo të shkurtër.

Provimi i lirimit është plotësisht i realizueshëm. Problemi më i madh është Matura. Gjithashtu edhe për provimet e Maturës nuk ka pasoja të konsiderueshme. Kjo sepse programi i Maturës mbështetet në programi e lëndëve të maturës të zhvilluara në klasat 11 dhe 12, pra që zhvillohen në rreth 76 javë mësimore.

Dihet se zakonisht në Prill mbyllen temat e reja dhe fillon përsëritja dhe përgatitja për provimin e Maturës. Pra ndërprerja, edhe për ata që nuk kanë patur fare akses online, është maksimui 6-7 javë që zë më pak se rreth 8 % të të gjithë programit të Maturës të dy viteve.

Pra maturantët në të gjitha rastet kanë zhvilluar të paktën 90% të programit térësor të Maturës. Mendoj se duhet të insistohet në përgatitjen sa më të mirë të Maturantëve për provimet përfundimtare duke përdorur mjetet online deri në kthimin në klasa.

Dhe këtu mendoj se meritojnë vemendje:

1. Programi i Maturës të detajohet deri në formën e një katalogu të pyetjeve më konkrete, në mënyrë që maturantët të orientohen më lehtë.

  1. Ky fond pyetjesh të shpallet në faqen e internetit të Qendrës së Maturës sipas modelit që ndiqet për Provimet e shtetit dhe të jetë i strukturuar në kategoritë që respektohen në hartimin e tezës së provimit: a) të lehta; b) me vështirësi mesatare; c) të vështira. Kjo do të mundësonte edhe kombinimin e pyetjeve në tezën e provimit sipas modelit të tezës së Provimit të shtetit.
  2. Të ushtrohen maturantët me tezat e pëdorura. Qendra e Provimeve të Maturës ka të paktën 25 teza konkrete që janë përdorur për provimet e Maturës në 13 vjet. Skenari jo optimist: Shkollat nuk mund të rihapen dhe viti shkollor mbyllet me mjetet Online.

Për këtë mendoj: a) Shfrytëzimi i TVSh për zonat dhe nxënësit që nuk kanë akses në internet.

  1. b) Shfrytëzimi i mjeteve online pér nxënësit që kanë akses online.
  2. c) Vlerësimi pérfundimtar i nxënësve të klasave nga arsimi fillor deri në klasën e 8-të, të bëhet mbi bazën e rezultateve të arritura deri në ndërprerjen e mësimit në klasë.

ç) Provimet e lirimit të klasës 9-të të mbështeten në programin e zhvilluar në arsimin e mësëm të ulët (klasat 6 deri në fund të simstrit të parë të klasës 9-të).

  1. d) Zhvillimi i provimeve të lirimit të bëhet përmes provimit me gojë, përmes mjeteve online (Zoom, Skype) me komision në shkollat e qyteteve, në disa ditë dhe në orare të shpërndara, në mënyrë që të mos ketë grumbullime të nxënësve, duke siguruar masat e distancimit dhe sigurisht me maska.
  2. Për provimet e Maturës në skenarin e dytë: Përvec sugjerimeve për pérgatitjen e maturantëve të përmendura më sipër, mendoj se: a) Provimet e Maturës duhet të zhvillohen brenda muajit qershor në mjediset e shkollave dhe të universiteve për të respektuar distancimin.
  1. b) Mund të shihej skenari i zhvillimit të provimit në 2 ose 3 data pér secilin provim, në mënyrë që të jenë grupe sa më të vogla dhe të mos ketë grumbullime.
  2. c) Hartimi i tezave të bëhet sipas modelit të Provimeve të shtetit.

ç) Vlerësimi i provimeve: Duhet të shtohet numri i korrigjuesit dhe numri i pikave të korrigjimit. Në cdo qendër Qarku të bëhet korrigjimi, pra në 12 pika korrigjimi. Eshtë plotësisht e mundur të respektohet distancimi i mësuesve të grupeve të vlerësimit dhe mësuesit të jenë me maska.

Korrigjimi duhet të bëhet brenda afateve të zakonshme, në mënyrë që të mos pengohet procesi i aplikimit të maturantëve për studime universitare brenda dhe jashtë vendit. Pra ky vit shkollor duhet të përfundoj me vështirësitë e krijuara nga pandemia.

Por tani duhet investuar menjëherë për ndërtimin e një platfome të mësimit në distancë (online) të mbështetur në bibliotekë digjitale, të vendosur dhe të mbrojtur në sistemin digjital të administruar nga Agjencia Kombétare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), sipas modeleve të njohura, ku Estonia është modeli më i mirë.

Investimi i shpejtë për digjitalizimin e arsimit dhe mésimin në distancë është domosdoshmëri, jo vetëm për të qenë pjesë e revolucionit digjital në arsimin europian dhe atë global, që do të ndodh pas pandemisë Covid, por edhe për të qenë më të përgatitur për cdo valë eventuale të re të pandemisë dhe, për rrjedhojë, një ndërprerje eventuale të detyruar të mésimit në klasë edhe në vitin tjetër shkollor.