Memaliaj, u kap me 127 bimë kanabis, arrestohet 62-vjeçari

47
Sigal

Një 62-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Memaliaj si rezultat i kontrollove anti-kanabis. Personi me inicialet A.A është arrestuar pasi kishte kultivuar 127 bimë kanabis në fshatin Kalivaç.

I moshuari, nga fshati Kalivaç i Memaliajt, mësohet se kujdesej për këto bimë, të cilat arritën të zbuloheshin nga Policia vetëm përmes dronit. Bimët narkotike u asgjësuan nga policia përmes djegies. Policia vijon hetimet për veprimtari të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

“Si rezultat i kontrolleve anticannabis, me efektivë në terren dhe me dronë, konstatohet dhe goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike. Kultivoi në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Kalivaç, 127 bimë cannabisi, vihet në pranga 62-vjeçari. Asgjësohen nëpërmjet djegies, bimët narkotike.

Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, në zona të thella dhe të pyllëzuara, nga grupe të Policisë, në terren, dhe me dronë të rezolucionit të lartë, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj kanë konstatuar një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë kontrolleve në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Kalivaç, njësia administrative Krahës, u gjetën të kultivuara 127 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Nga hetimet e kryera për këtë rast kultivimi, u bë i mundur identifikimi dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar, shtetasit A. A., 62 vjeç, banues në fshatin Kalivaç, Memaliaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.