Memaliaj me “Pedonale”, prej 25 vitesh pa asnjë vend pune

1239
Afro 15 ditë më parë më telefonuan nga Memaliaj, duke më dhënë “lajmin” se kishte nisur puna për ndërtimin e “Pedonales” së qytetit, një investim gjigant ky për një qytet të katandisur “të vogël” gjatë këtyre 25 viteve prej shpërfilljes, talljes, harresës dhe braktisjes shtetërore e politike të manifestuar në mënyrë të turpshme e mosmirënjohëse edhe prej disa të mandatuarve me pushtet, që pasi premtuan se “do bënin namim” për të sjell “parajsën e qytetit”, mbushën xhep me votat dhe milionat e investimeve të këtij qyteti e… ikën si hije, duke lënë pas këtë qytet “skelet” në rënkim edhe për bukën e gojës! Miniera, parku i mallrave, tregtia, ndërmarrja bujqësore dhe disa shërbime të tjera sociale që mbanin “me bukë” banorët e këtij qyteti, janë mbyllur që kur ka lindur brezi i memaliotëve që sivjet përfundon studimet universitare.


Dihet që nuk mund të hapen këto ish-qendra pune, ku kanë punuar bijtë e “themeluesve” të parë të këtij qyteti si Çoti Lika, Gëzim Bijo, Luan Goxhaj, Isa e Nino Gashi, Ladi Hoxha, Petrit Kalemi, Lado Qamaj, Aleks Gjosha, Zenel Fejzo, Përparim Meta, Maliq Muçi, Fejzo Fejzo, Sulo Kanani, Luan Meta, Mule e Abaz Hoxha, Petrit Bilaj, Fatmir Kasaj, Harilla Paço, Njazi Guma, Sulo Malaj, Fatos, Ilir e Xhevat Xhemali, Kaço Mamaj, Jani Gjika, Kaço Ormëni, Odhise Liti, Bari Agaraj, Muharrem e Tiku Merdani, Myslym e Hasan Velaj, Viktor Hoxha, Ylli Sako, Hamza Guma e shumë e shumë të të tjerë djemë të mirë të këtij qyteti, në nderim të të cilëve gazeta “Telegraf” po përgatit e do të publikoj një historik special. Ishin kohët, kur në Memaliaj vlonte puna, kur prindërit po zvendësoheshin nga bijtë! Por puna u zhduk në këto 25 vite. Në qytetin e minatorëve nuk u vendos asnëj “tullë”! Pas 25 vitesh, investimi i vetëm serioz që “morri kthesën” dhe u fut në Memaliaj është investimi për ndërtimin e “Pedonales”, që realisht është një vepër sociale-publike me tregues estetik dhe parametra funksionalë. Por, që ndryshon vetëm qendrën e këtij qyteti të “asfiksuar”, brenda të cilit ka rrugica e mjedise gërmadhë, mbetur kështu paçka se për 45 vite, me qymyrgurin që nxirrnin shpatullat e minatorëve të shfrytëzuar si skllevër mesjete, u “ushqye” afro 60% e ekonomisë shqiptare! Gjithsesi është ndryshim, mbasi njerëzit nuk kanë nevojë vetëm “për bukë”, por edhe për mjedise dhe të mos harrojmë, që qendra e qytetit e cila sot po bëhet “Pedonale” është ndërtuar në vitin 1967 me zift e me pllaka dekorative betoni, që atëherë dukeshin “luks”, përballë baltës e zhavorrit të fushës dhe luginës së Vjosës. Janë ca gjëra që duhen thënë e duhen pranuar. 


Qyteti kishte nevojë për një qendër të tillë moderne, të tipit “Pedonale” shëtitëse e çlodhëse, për të zëvendësuar atë mjedis 50 vjeçar që ishte bërë si e “bombarduar”! Për të thënë të vërtetën, akordimi i fondit të ndërtimit të “Pedonales” është kontribut i interesimit dhe këmbënguljes së Kryetarit të Bashkisë së re të Memaliajt, zotit Durim Roshi, si pikënisje të ndryshimeve që ai ka planizuar për qytetin e për krejt bashkinë e re të Memaliajt. Por në “Pedonale” nuk do të ketë bukë, por vetëm hije e stola! Ndaj pas ndërtimit të saj, kryebashkiakut Durim Roshi, i mbetet të siguroj projekte e investime për hapje vendesh pune, të cilat janë emergjenca e mbijetesës sociale-ekonomike të banorëve të Memaliajt. Ata që jetojnë në këtë qytet, kanë 25 vite që presin të hapen vende pune. Mundësitë për biznese në këtë qytet janë pothuajse “zero”, aq sa edhe ata që kanë hapur kafene e shërbime të tjera nuk nxjerrin dot të ardhurat e mbijetesës së tyre, për shkak të varfërisë ekstreme që ka pllakosur këtë qendër banimi! Pas pak kohësh, banorët e qytetit do të shijojnë “Pedonalen”! Por pas saj, bashkia duhet të mendojë e të “lëviz” për të krijuar vende pune. Memaliaj ka forca aktive pune. ka njerëz të nevojë emergjente ekonomike. 

Ka hapësira e pozitë gjeografike dhe infrastrukturë komunikimi me aksin kryesor të rrugës nacionale për tu lidhur me jugun e veriun brenda dhe jashtë Shqipërisë, për t’u lidhur me portet dhe zonat e tjera që kanë zhvillim biznesesh. bashkiak mund dhe duhet të mbajë një nga premtimet e bëra: Punësimin! Ministria e Ekonomisë, Ministria e Punës, Ministria e Financave dhe struktura të tjera shtetërore, kanë projekte të shumta punësimi me biznese vendase e të huaja, që nga fasonët, industria ushqimore, prodhimet agro-përpunuese etj. Kësaj qeverie që përpara “bukës”, Memaliajt i “çoi” Pedonalen, po i bëjmë vetëm këtë kujtesë: Në Memaliaj mund të punësohen të gjithë njerëzit në nevojë, vetëm me 2 nga 115 bizneset e huaja e vendase, që sipas informacionit të “Telegraf”, prej 1 viti po kërkojnë “hapje dritë jeshile” për të nisur aktivitete biznesi “sociale” në qendra banimi të varfra! Lejoi, zoti kryeministër! Këtë të kërkoj prej qeverisë edhe kreu u bashkisë i qytetit dhe në Memaliaj rikthehet puna e pastaj ai me gjithë administratën e këshillin bashkiak le të shëtis i qetë nëpër “Pedonale”! 
Përparim HALILI
Sigal