‘Më shau, mendova se vetëm e kam plagosur’, zbardhet dëshmia e 35-vjeçarit që i mori jetën fqinjit në Durrës

25
Sigal

Edhe pse me probleme të shëndetit mendor, Ilir Koçilja, autori i krimit të rëndë të ndodhur ditën e mërkurë në Durrës, ka fajësuar viktimën.

Policia dhe prokuroria kanë mundur t‘ia marrin dëshminë, nëpërmjet së cilës kanë tentuar të gjejnë edhe një motiv për aktin e marrjes së jetës së fqinjit të tij, por nuk kanë gjetur. Autori në fakt thotë se viktima atij i zinte oborrin e pallatit me makinë. Por në rrëfim e sipër, ai ka mohuar të kishte pasur si qëllim ta vriste Halil Kokën, por sipas tij, ka menduar vetëm se e ka plagosur dhe jo që e ka vrarë.

Nuk dihet se çfarë vendimi do merret në lidhje me ekspertizën mjeko-ligjore ndaj autorit, por mësohet se edhe nga dëshmia ka lënë të kuptojë se i riu ka probleme të theksuara mentale.

Dëshmia

Hetuesit në Durrës duke se tashmë e kanë të qartë se Halil Koka u vra pa faj, vetëm se kishte debatuar me fqinjin e tij që vuante nga probleme të theksuara mendore.

Gjatë marrjes në pyetje, 35-vjeçari, Ilir Koçilja është shprehur se sherri kishte nisur para disa ditësh për një vend parkimi në rrugicën e lagjes. Ndërsa mesditën e mërkurës ai e priti fqinjin sapo doli nga pallati dhe e ndoqi me thikë në dorë derisa i mori jetën.

“Me Halilin ishim fqinj. Nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit. I kisha thënë disa herë që të mos e linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi. Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi. S’i ktheva përgjigje. Kur dola ditën tjetër e pashë makinën, po prapë të parkuar aty. Nga inati, ia gërvishta me thikë në pjesën e derës se pasagjerit dhe ika. Prapë ditën tjetër e kishte lënë aty dhe unë prapë ia gërvishta. Erdhi më kapi një ditë dhe më tha ti e ke gërvishtur makinën time . Po i thashë “unë ta gërvishta”. Mos e lër më aty i thashë. Aty debatuam, kush je ti, kush jam unë. Nisi të më kërcënonte. Do të vras, do të fus në bagazh. Unë e kisha thikën me vete. E pashë që doli nga lagja në rrugë kryesore. Iu afrova dhe i thashë “ti do më marrësh zvarrë mua dhe do më futesh ne bagazh”. Ai më shau. Aty m’u errësuan sytë dhe e qëllova me thikë. Më pas u largova dhe u fsheha për disa orë te lagja 11 deri sa më kapet ju. Nuk e dija se kishte vdekur. Mendova se e plagosa. Nuk kam asnjë konflikt tjetër me atë. As i kisha borxh para dhe as më kishte. Me vjen shumë keq për atë që ndodhi, jam penduar. Po konfliktin e nisi Halili”, – ka deklaruar ndër të tjera Ilir Koçilja.

Fqinjët tregojnë se 35-vjecari ishte person problematik dhe konfliktual. Policia e Durrësit zyrtarisht deklaron se Koçilja vuan nga problemet e shëndetit mendor, konkretisht nga skizofrenia. 35- vjeçari jetonte i vetëm në katin e parë të një pallati në lagjen nr. 14 të qytetit bregdetar.

Ndërsa familjarët e tij ndodhen në SHBA, ai shpesh shtrohej në psikiatrinë e Elbasanit, ku e mbanin përkohësisht dhe sërish lëvizte lirshëm nëpër Durrës. Mesditën e 14 shkurtit ai goditi me thikë në zemër 46-vjeçarin Halil Koka, të cilin e ndoqi nga pas për disa metra nga hyrja e pallatit deri në rrugën kryesore. Familjarët e viktimës kanë deklaruar se Kaçilja i kishte para dhe nuk pranonte t’i shlyente, por autori e ka mohuar këtë konflikt gjatë dëshmisë së tij në policinë e Durrësit.