Koronavirusi dhe zhvillimet e tij në Shqipëri

474
Sigal

Në kohën kur qeveria e Shqipërisë bën thirrje për një “luftë të përbashkët”, ndaj virusit që ka hyrë në vendin tonë, në kohën kur merr masa shtet-rrethimi dhe ndalon qarkullimin edhe për këmbësorët pas orës 18:00 dhe përpiqet të na bindi se janë më se të nevojshme për parandalimin e përhapjes së virusit, nuk mund të mos habitemi nga fakti, që në kuadrin e këtyre masave, përjashtohen vende pune ku kontakti fizik i punëtorëve dhe punonjësve është shumë i lartë dhe ku si rrjedhojë edhe rreziku i përhapjes së virusit ndërmjet tyre është në nivele alarmante!

Nuk mund të mos na revoltojnë lajmet që vijnë nga operatorët e call-center mbi vazhdimin e punës në kushte, jo vetëm të pa-përshtatshme, por edhe jashtëzakonisht të rrezikshme, për shëndetin e tyre! Shumica e call-center as nuk kanë ndaluar fare së punuari, as gjatë fundjaves! Akoma më revoltuese është thirrja që u është bërë operatorëve të ndryshëm, që nëse nuk do të kthehen në punë nga e Hëna e tutje, rrezikohen me bllokim pagash, ose heqje nga puna!

Minierat në Bulqizë, kanë vazhduar punë normalisht dhe jo vetëm kaq, por me sa na raportojnë punëtorët e ndërmarrjeve atje, nuk janë marrë as kushtet minimale për mbrojtjen e higjenës së tyre në vendin e punës!

Punëtorët e fasonerisë, arritën një fitore të pjesshme, të bllokohej puna për dy javë, pa paga (!!!), por tani po u njoftohet vendimi i rinisjes së prodhimit, duke rrezikuar shëndetin e qindra punëtorëve!

Jo më kot, u shprehëm në artikullin tonë të kaluar, se masat parandaluese duhet të shoqërohen me masa mbrojtjeje për të drejtat e punonjësve!

Por çështja nuk qëndron vetëm tek qeveria aktuale e Shqipërisë. Nuk duhet harruar se të gjitha qeveritë e Shqipërisë, pavarësisht dallimeve mes tyre, kanë pasur të përbashkët, implementimin e politikave dhe reformave të SHBA-së dhe të BE-së, shpenzimet e të cilave, i ka paguar dhe vazhduan t’i paguajë klasa jonë punëtore, populli shqiptar!

Njoftimet dhe masat e fundit të qeverisë, për të trajtuar epideminë e koronavirusit, synojnë të na krijojnë përshtypjen se qeveria po bën, gjasme, gjithçka që është e mundur për të përballuar një rrezik objektiv, që ka pasoja të dukshme për shëndetin dhe ekonominë e Shqipërisë.

Marrja e masave të nevojshme kërkon kundërshtim ndaj angazhimeve dhe politikave të BE-së dhe të politikave që mbështesin konkurrencën e grupeve monopoliste, të cilat sakrifikojnë nevojat e popullit në altarin e përfitimit kapitalist.
Sepse, ç’është e vërteta, rreziku më i madh buron nga mangësitë tragjike të sistemit Shëndetësor, të cilat ishin të njohura, qysh para shfaqjes së koronavirusit. Këto mangësi nuk ndodhën rastësisht, dhe nuk janë objektive. Është rezultat i politikës antipopullore që ndoqën të gjitha qeveritë, në përputhje me udhëzimet e BE-së për tregëtimin dhe privatizimin e Shëndetësisë, për të mbështetur përfitimet e grupeve të biznesit, për të siguruar tepricat ekonomike të lyera me gjak.

Përse shëndetësia e shtetit tonë duhet të ketë mangësi në insfrastrukturën e saj dhe në personel, kur në të njëjtën kohë jepen miliona lekë, vit pas viti, për operacionet ushtarake imperialiste të NATO-s për shembull?

Koordinatori Kombëtar i Task Forcës për Burimet Njerezore, Arben Gjata, në një intervistë ditën e djeshme, u shpreh rreth kapaciteteve spitalore që ka vendi ynë në rast se rëndohet situata dhe më konkretisht, shifrat janë si vijojnë;
-100-120 shtretër në Spitalin e Infektivit
-140 shtretër në spitalin “Shefqet Ndroqi”
-100 shtretër tek ish-Urgjenca në QSUT
-100 shtretër tek Spitali Amerikan…

Kuptohet, se nëse gjendja përkeqësohet, ku të gjitha gjasat tregojnë se do të përkeqësohet, populli ynë është totalisht i pa-mbrojtur, nga mungesa e kapaciteteve spitalore dhe mjekësore.

Dhe përtej asaj, siç nxorrëm në pah më parë, situata për punëtorët, për masat punonjëse, është tejet e rrezikshme dhe shqetësuese!

Përveç masave që propozuam në artikullin tonë të mëparshëm nga ngjarjet e ditëve të fundit, kemi  nxjerrë disa konkluzione dhe propozime të reja, shtesë:

a)Qeveria është fajtore për situatën ku gjenden punonjësit se, jo vetëm që nuk deklaron sanksione, gjoba dhe dënime ndaj punëdhënësve që shkelin marrëdhëniet e punës dhe oraret, por dhe se nuk kryen as kontrollet e duhura! Duhet të rreptësohen menjëherë kontrollet nga Inspektorati i Punës në sektorë dhe vende pune ku shkelen masat e higjenës, nuk mundet që vendet e punës të kthehen në vende skllevërish në kohë të epidemisë!
b) Të gjitha ndërmarrjet , në të cilat rrezikon shëndeti i punëtorëve, si minierat, call-center, fasoneritë, industria e ndërtimit, të cilat nuk prodhojnë ose ofrojnë zgjidhje për nevojat imediate të popullit të karantinuar (siç janë furrat e bukës, farmacitë ose super-marketet), të mbyllen urgjentisht, për aq kohë sa do të zgjasë karantinimi i popullsisë, rrogat dhe sigurimet shoqërore të tyre të paguhen të plota!
c) Masat e shpallura deri më tani mbështesin vetëm ndërmarrjet e mëdha kapitaliste, ndërsa rezervojnë një regjim “karantinë” për të drejtat e punonjësve. Në të njëjtën kohë, asnjë masë efektive nuk është garantuar për mbrojtjen e të ardhurave familjare për rrogë-marrësit, për të vetë-punësuarit dhe fermerët në rast se ata ose dikush nga familja e vetë sëmuret dhe detyrohet të qëndrojë në shtëpi.
d)Të jepet menjëherë, si ndihmë urgjente, pension shtesë për të gjithë pensionistët.
e) Të vihet pengesë për përjashtime nga puna! Tani dhe menjëherë të jepet asistencë papunësie për punonjësit sezonal që nuk do të rimerren në punësim, si p.sh në turizëm, transport etj., në nivelin e 80% të rrogës bazë. Një asistencë e ngjashme të jepet edhe për profesionistët e lirë, të cilët do të detyrohen të ndërpresin funksionimin e biznesit të tyre.