Mbarëvajtja e festimeve. Policia e Shtetit jep njoftim zyrtar

812
Sigal

Policia e Shtetit ka njoftuar rreth mbarëvajtjes së orëve të fundit të 2019 dhe atyre të para të 2020 mbi ngjarjet, aksidentet dhe konfliktet me pasoja.

Sipas Policisë, në të gjithë vendin, gjatë natës se ndërrimit të viteve dhe deri në këto momente nuk është shënuar asnjë ngjarje kriminale, si dhe nuk është evidentuar asnjë konflikt me pasoja.

Më tej Policia thekson se nuk është shënuar asnjë aksident me pasojë jetën si dhe nuk është konstatuar ndonjë shkelje e rëndë me konsumimin e tepruar të alkoolit, ndërsa në fund uron edhe qytetarët për festat.

Njoftimi i plotë:

Falë masave parandaluese të marra para, gjatë dhe pas natës së ndërrimit të viteve, si dhe falë qytetarisë së treguar nga qytetarët, në të gjithë vendin, gjatë natës se ndërrimit të viteve dhe deri në këto momente nuk është shënuar asnjë ngjarje kriminale, si dhe nuk është evidentuar asnjë konflikt me pasoja.

Në të gjitha qarqet nuk është evidentuar asnjë aksident rrugor me pasojë jetën.

Janë ushtruar kontrolle me dragera dhe duke marrë shkas nga numri i mjeteve në qarkullim, verifikimi i rasteve të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit ishte minimal.

Policia e Shtetit vijon të jetë në gatishmëri, “Shërbim të përforcuar”, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë festimeve në vijim.

Policia e Shtetit uron gjithë qytetarët gëzuar Vitin e Ri 2020, mirësi, paqe e begati e sa më shumë besim e bashkëpunim mes nesh, për të mirën e përbashkët.