Maturantët protestë dhe në Gjirokastër: Testet skandaloze, të kopjuara keq nga Cambridge, nuk përkojnë me tekstet tona

79
Sigal

Maturantët e Gjirokastrës i bashkohen protestës për provimin e matematikës, në përmbajtje të të cilit kishte pyetje nga tema të cilat nuk i kishin zhvilluar fare ose mjaftueshëm.

Maturantët kanë kërkuar uljen e tavanit të pikëve dhe rivlerësim të testit.

Sipas tyre, testi ishte i kopjuar keq nga Cambridge teksa thonë se përmbajtja e testit nuk përkon me atë që kanë mësuar në shkollë.

“Provimi ishte skandaloz, i një niveli të papërshkrueshëm. Asnjëri nga neve nuk ishte i përgatitur për një nivel të tillë vështirësie, as me të gjitha mundësitë që kishim për të mësuar gjatë vitit. Nuk jemi të përgatitur për një të tillë transformim.

Ka pasur gjithmonë manovrime në vështirësinë e provimit. Nuk kemi qenë të përgatitur. Edhe provimi i anglishtes i cili i ka paraprirë këtij provimi ishte i një niveli skandaloz. Varionte drejt C1, C2.

Nuk besoj që ka pasur një nxënës që nuk ka ndjerë vështirësi. Ushtrimet janë marrë fotokopje nga tekstet e Cambridge, janë kopjuar në një mënyrë skandaloze, as përmbajtja e tyre nuk përkon me tekstet tona.

Çfarë duhet të bëjmë ne, a është e drejtë të penalizohemi për gjëra që nuk i kemi mësuar?

Le të çohen të tërë maturantët në të tërë Shqipërinë, nuk durohet më kjo gjendje”, deklaroi për “News 24” një përfaqësues i maturantëve të Gjirokastrës që janë çuar sot në protestë.