Matura Shtetërore, ndryshojnë datat dhe kriteret për provimet

1752
Ministria e Arsimit përcakton mënyrën e vlerësimit të testit, pyetjet dhe pikët për maturantët
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë vendosi të ndryshojë udhëzimin për datat dhe organizimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2018”. Në ndryshimet e firmosura nga ministrja Nikolla përcaktohet se provimi për teori profesionale e integruar dhe provimi me zgjedhje do të zhvillohen më 20 qershor 2018”. Sipas udhëzimit, provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta, me përjashtim të provimit të detyruar të Teorisë profesionale të integruar, që zgjat 1 orë e 30 minuta. Provimet me zgjedhje zgjasin 3 orë. Provimi me zgjedhje për shkollat e mesme profesionale zgjat 1 orë e 30 minuta. “Testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. Testet e Teorisë profesionale të integruar përmbajnë secili nga 20 pyetje, nga të cilat 10 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me nga 1 pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje të tjera të llojeve të ndryshme, të cilat vlerësohen me 30 pikë gjithsej. Testi i Teorisë profesionale të integruar vlerësohet maksimalisht me 40 pikë”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Arsimit.

Në udhëzimin bazë për Maturën Shtetërore 2018, të firmosur po nga ministrja në muajin shkurt 2018, nënvizohet se drejtoritë dhe zyrat arsimore duhet “të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor 2017-2018 dhe brenda datës 2 qershor 2018, t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik Matura online, sipas udhëzimit përkatës. Listat e maturantëve mbetës të dërgohen në QShA, në format të printuar dhe elektronik”. “Drejtoritë e shkollave njoftojnë maturantët mbetës që të mos paraqiten në provimet e Maturës Shtetërore 2018, pa likuiduar më parë provimet e klasës. Organizimi i konsultimeve me maturantët të kryhet sipas procedurave të përcaktuara në Urdhrin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 121. datë 25.02.2011 ‘Për organizimin e konsultimeve në ndihmë të nxënësve maturantë’”, thuhet në udhëzim. Ndërkohë, teza e provimit “Gjuhë dhe letërsi greke” për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke të përgatitet nga DAR Gjirokastër. Teza e provimit “Gjuhë dhe letërsi italiane” (Lingua e literatura italiana) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane përgatitet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Italisë dhe provimi do të zhvillohet më datën 24 maj 2018, në shkollat përkatëse. Ndërsa teza e provimit “Gjuhë frënge” (DFLF B2 scolaire) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze përgatitet nga ambasada franceze dhe provimi do të zhvillohet më datën 24 maj 2018, në shkollat përkatëse. Tërheqja e testeve të provimeve të Maturës Shtetërore bëhet sipas grafikut të hartuar nga QShA-ja dhe të miratuar nga MASR-ja. Përfaqësuesit e Postës Shqiptare tërheqin në QShA materialet e provimit. një ditë para zhvillimit të provimit përkatës. Materialet e provimit paketohen për çdo qendër më vete. Shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimit bëhet mbështetur në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2018 në Republikën e Shqipërisë. Provimet kombëtare të Maturës Shtetërore 2018 zhvillohen në mjediset e institucioneve arsimore, mbështetur në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2018.
Ndryshimet
Testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. 

Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. 
Testet e Teorisë profesionale të integruar përmbajnë secili nga 20 pyetje, nga të cilat 10 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me nga 1 pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje të tjera të llojeve të ndryshme, të cilat vlerësohen me 30 pikë gjithsej. 
Testi i Teorisë profesionale të integruar vlerësohet maksimalisht me 40 pikë.
Sigal