Matura/QSHA: Më shumë dhjeta dhe pak mbetës

336
Sigal

Pas shpalljes së notave të letërsisë, maturantët kanë rënë në qetësi. Nga vlerësimi rezultoi se janë marrë shumë dhjeta, 5 herë më shumë se një vit më parë dhe niveli i mbetësve është më i ulët. Maksimumin e pikëve për tre vite radhazi në letërsi, nuk e ka marrë asnjë nxënës. Specialistët mohojnë që korrigjimi të jetë ndikuar nga protestat. Sipas tyre, vlerësimi është elektronik dhe pas rezultateve nuk ishte i nevojshme ndryshimi i pragut 15 pikësh të kalueshmërisë.

Nëse një vit më parë në provimin e gjuhës dhe letërsisë janë marrë 159 nota maksimale dhe ngelën mbi 1800 maturantë, për të njëjtën lëndë, këtë vit, janë 760 nota 10-ta, dhe 960 nota jo kaluese. Nga vlerësimi rezultoi se nxënësit kanë marrë më shumë notën 7. Kur flitet për gjuhën e huaj maturantët, jo vetëm të këtij brezi, kanë rezultate shumë të larta. Këtë javë pritet të dalin notat e matematikës dhe më pas të nisë korrigjimi i provimit me zgjedhje.

Ende nuk janë bërë llogaritjet për qarqet që kanë maturantët më cilësorë dhe arritjet më të dobëta. Sipas rregullores së maturës shtetërore, nxënësit kanë të drejtë të kërkojnë rishikimin e fletës së përgjigjeve, por jo rivlerësimin e provimit.