Masakra e ‘gjakpirësve’ të kredive/ Skemat e mikrokredive i marrin të moshuarës shtëpinë për borxhin e një televizori, qytetarit i bllokojnë llogaritë, BSH hesht

50
Sigal

Skemat piramidale të mikrokredive, të moshuarës i marrin shtëpinë për borxhin e një televizori, qytetarit i bllokojnë llogaritë

Institucionet financiare jo bankare zhvasin qytetarët, të cilët bien pre e skemave mashtruese me kredi për 7 minuta. Duke shfrytëzuar nevojën e tyre i zhysin në borxhe, derisa i marrin dhe shtëpitë. Përse hesht qeveria jonë, përse hesht Banka jonë Qendrore ndaj këtyre abuzimeve skandaloze me qytetarët?InsideStory ka bërë publike disa histori që vijnë si pasojë e abuzimit të mikrokredive.

Blerja e një televizori me këste mund të bëhet shkak për të humbur shtëpinë. Kjo është historia e një nëne 66 vjeçare. Ajo ka rritur e vetme tre fëmijë jetim. Në ’97 ajo vjen në Tiranë për të siguruar një jetesë më të mirë për fëmijët e saj.“Kam punuar ku kam pasur mundësi, me dy turne, me sa fuqi kam patur dhe kam arritur kam marrë një shtëpi me kredi. Edhe sot paguaj kredinë. Në 2016 kam marrë një televizor ‘Fuego’ dhe një pjekëse buke 8 mijë lekë. Unë nuk i mora me lekë në dorë dhe fillova të paguaja me këste tek Intesa San Paolo. U sëmura dhe ika për një kontroll jashtë. Për tre muaj nuk e pagova por kur u ktheva e pagova totalisht dhe gjatë llogaritjes pagova dhe 140 mijë lekë të vjetra më tepër. Unë e quajta të mbyllur”, u shpreh Prende Niklekaj.Pavarësisht se detyrimi në të vërtetë ishte shlyer, ajo që është mjaft e rëndë është fakti se zonjës i nxorën banesën në shitje për një borxh të pretenduar që vlente sa një televizor.“Një ditë të bukur më vjen letra nga përmbarimi që shtëpia jote ka dalë në ankand. Për një televizor ky është kulmi i kulmeve. Dy tre herë më kanë marrë në telefon vajzat e kompanisë së mikrokredisë dhe unë u thashë që e kam mbyllur atë detyrim. U thashë që do i hedh në gjyq se unë e kam mbyllur dhe i kam paguar dhe 140 mijë lekë më tepër. Ç’është ky muhabet të nxjerrësh shtëpinë 60 mijë euro ta marrë për një televizor kjo është e turpshme. Ky është krim i hapur, krim”,- u shpreh Prende Niklekaj.

Qytetari shlyen overdraftin, kompania e mikrokredisë i kërkon miliona

Avdulla Feim Alinani 60 vjeç, është baba i dy fëmijëve. Në vitin 2007 ka marrë një overdraft nga një bankë e nivelit të dytë në Tepelenë në vlerën e 70 mijë lekëve. Në momentin që është larguar nga puna, overdrafti ka qenë i shlyer në shumën e 70 mijë lekëve.“Gjatë gjithë kësaj kohe në dijeninë time ka qenë i shlyer overdrafti. Nuk kam pasur asnjëherë asnjë njoftim nga banka që ju jeni debitor në shumën kaq lekë. Në vitin 2022 nga përmbaruesi gjyqësor Fatos Alimadhi më është vendosur në Bankën një urdhër bllokimi i llogarisë bankare. Nuk jam njoftuar as nga banka dhe as nga përmbaruesi. Kam shkuar për të tërhequr kursimet e mia dhe shoh që llogaria bankare ishte e bllokuar. Kam shkuar te banka dhe më kanë thënë që ju keni një urdhër bllokimi nëpërmjet përmbaruesit Fatos Alimadhi”, u shpreh denoncuesi Avdulla Feim Alinani. Pas shumë përpjekjesh Alimadhi ka takuar përmbaruesin dhe e ka pyetur se nga rrjedh ky detyrim.“Nuk më kanë dhënë asnjë dokumentacion kam takuar përsëri përmbaruesin dhe më ka thënë që unë nuk kam dokumentacion. Bllokimi I llogarisë ka ndodhur për tre muaj nga përmbaruesi Fatos Alimadhi, por pa më lënë as minimumin jetik banka. Të gjitha llogaritë bankare ishin të bllokuara dhe nuk më lanë as minimumin jetik që është me ligj”,- u shpreh Avdulla Feim Alinani.