Mark Marku: Gazetarët në Shqipëri nuk janë të lirë, ndaj gazetaria vritet

58
Sigal

Profesori i Shkencave të Komunikimit Mark Marku i ftuar në emisionin ‘A show’ të drejtuar nga Adi Krasta në ‘News 24’, i pyetur mbi faktin se përse nxehet, tha se kjo ndodh, për shkak se nuk duron hipokrizinë.

‘Nxehem nga hipokrizia që ndodh. Mendoj se kjo hipokrizi fyen të gjithë, fyen qytetarët, plus mënyra si janë organizuar debatet në Shqipëri është shumë problematike. Kjo sepse këtu vjen gjithmonë dikush që ty nuk të lë të flasësh. Mendoj se kjo shfrytëzohet shumë mirë, sidomos nga ata që organizojnë propagandën e instrumenteve të komunikimit.

Unë mundohem të kuptoj tjetrin, sepse edhe unë kam nevojë të shpjegohem. Unë nuk nxehem me kolegë, por me përfaqësues të qeverisë. Mendoj se në një sistem demokraktik, qytetarët kanë nevojë të nxehen, ndërsa qeveria nuk ka të drejtë të nxehet. Qytetarët mund të jenë arrogantë, në kuptimin të kërkojnë, ndërsa qeveria do të duhet të jetë e përulur.

Në këtë kuptim, unë e quaj etikë reagimin tim. Do ndihesha mirë që të thosha fjalë të mira për qeverinë, edhe kur punon mirë. Në media duhet kritikë për qeverinë. Unë s’kam qenë dakord me qeverinë, edhe kur e kam votuar qeverinë’, tha Marku.

Marku Marku shpjegoi më tej se gazetaria po vritet, por pavarësisht goditjes që merr nga qeveria, në gazetari ka dhe do ketë gjithmonë zëra që do të dalin kundër qeverisë.

‘Mendoj se kemi arritur në një pikë delikate të shqiptarëve në demokraci. Ne jemi në përkuljen për të vrarë gazetarët. Gazetarët në Shqipëri nuk janë të lirë dhe ndaj gazetaria vritet.

Por pavarësisht goditjeve që merr, unë mendoj në thelb se kategoria më rezistente ndaj qeverisë janë gazetarët.

Ka në media njerëz që janë anti qeverisë. Kjo tregon se kemi krijuar profil të profesionit të gazetarit. Ka gjithnjë e më shumë gazetarë që nuk duan të heqin dorë nga ky profesion, pavarësisht se kushtet janë të pafavorshëm. Unë mendoj se ka qytetarë që duan demokracinë.

Mendoj se projekti i Ramës ka marrë goditje nga qytetarët. Unë mendoj se ka pasur refuzim masiv ndaj qeverisë. Në këtë kuptim, gazetarët, akademikët dhe qytetarët janë rezistentë ndaj qeverisë së Edi Ramës’, deklaroi Marku.