Myftinia e Durrësit dhuron gjak, Presidenti Meta: Moment i rëndësishëm për të intensifikuar procesin për shkak të pandemisë

244
Sigal

Presidenti Meta në Myftininë e Durrësit për seancën e dhurimit të gjakut: Mbështetja dhe ndihma për më të pamundurin, më të dobëtin, më të pafuqishmin janë pjesë e filozofisë dhe e edukimit të të gjitha besimeve tona fetare. Dhurimi i gjakut është një nga shembujt më të mirë, se si këto mësime, vihen konkretisht në zbatim në jetë

 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në seancën e radhës të dhurimit vullnetar të gjakut të organizuar nga Myftinia e Durrësit, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

 

Kreu i Shtetit shprehu falenderime dhe mirënjohje për të gjitha komunitetet fetare, që i janë bashkuar kësaj kauze humane, duke u bërë thirrje besimtarëve të dhurojnë gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikët dhe të sëmurëve kronikë.

Në një prononcim për mediat, Presidentit Meta vuri në dukje se:

“Ky është një vit i vështirë për të sëmurët talasemikë dhe të sëmurët kronikë, të cilët kanë nevojë të vazhdueshme për gjak, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, që për shkak të masave kufizuese, ka ndikuar në uljen drastike të numrit të dhuruesve.

Ishte kënaqësi të vizitoja sot, Myftininë e Durrësit dhe mbi të gjitha të isha dëshmitar i një seance model të dhurimit të gjakut, të organizuar me thirrjen e Myftinisë së Durrësit dhe të Myftiut, Redin Quku.

Ishte kënaqësi të shikoja shumë besimtarë, në veçanti të rinj dhe të reja, që i ishin përgjigjur pozitivisht kësaj thirrje.

Është një moment i rëndësishëm, për të intensifikuar procesin e dhurimit të gjakut, pasi kufizimet për shkak të pandemisë e bëjnë edhe më të domosdoshme angazhimin e vullnetarëve, për të kontribuar, për të mos munguar gjaku për fëmijët talasemikë,  si dhe për të gjithë ata që kanë nevojë jetike për të.

Ky është një rast i shkëlqyer, sesi besimet e komunitetet fetare, kontribuojnë konkretisht, për të nxitur dhe për të motivuar të gjithë besimtarët dhe qytetarët, që me akte dhe me veprime konkrete të jenë më pranë njerëzve në nevojë, në mënyrë që ata, të ndihen më mirë dhe më të fortë, për të përballuar sfidat e përditshme, aq më tepër kur ato kanë të bëjnë me shëndetin e tyre.

Edhe njëherë tjetër falenderimet më të përzemërta për Myftininë e Durrësit, por edhe në veçanti për të gjithë besimtarët, të rinjtë edhe të rejat, që iu bashkuan kësaj thirrje”.