Institucionet publike nuk heqin dorë nga tenderat e dyshimtë. Këtë herë është Ministria e Shëndetësisë, e cila ka shpallur 4 tendera me vlerë totale 631 milionë lekë, ose 5.4 milionë euro. Fituesi është caktuar duke eleminuar konkurencën. 4 prokurimet kanë si qëllim blerjen e materialeve të mjekimit për shërbimin e sistemit të qarkullimit të gjakut në QSUT, Sanatoriumin, Spitalin e Shkodrës dhe atë të Fierit. Në të katër procedurat janë përjashtuar nga gara konkurentët dhe fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “MONTAL” dhe “O.E.S DISTRIMED”.
Këtu veçojmë tenderin e tretë dhe të katërt, pasi përveçse janë shpallur fituese të njëjtat kompani, janë skualifikuar dhe ofertat më të mira.
Konkretisht prokurimi i tretë ka për qëllim blerjen e stentave të medikuara me vlerë 891 mijë euro.
Nga katër kompani që kanë marrë pjesë, 3 janë skualifikuar për të shpallur fitues bashkimin e operatorëve “MONTAL” dhe “O.E.S DISTRIMED”, e cila kishte ofruar 78 mijë euro më shumë se oferta më e ulët.
Po ashtu edhe në prokurimin e katërt me objekt blerjen e stentave të medikuara për restenozë, do të shpenzohen 1.1 milionë euro.
Nga 5 kompanitë që kanë marrë pjesë, 4 prej tyre janë skualifikuar, për të shpallur fitues bashkimin e operatorëve “MONTAL” dhe “O.E.S DISTRIMED”, e cila kishte kërkuar 237 mijë euro më shumë se oferta më e ulët.
Gjithashtu bie në sy se kompania fituese në të katër tenderat ka kërkuar sa 99.9% të vlerës së tenderit për të blerë pajisjet.