Malaj: Buxheti 2022, thellim i paqëndrueshmërisë së financave

215
Sigal

Ish-ministri Malaj: Buxheti 2022 – buxheti i mashtrimit të qeverisë dhe thellimi i paqëndrueshmërisë së financave publike

Për ish-ministrin socialist të Ekonomisë e Financave Arben Malaj, buxheti 2022 është buxheti i mashtrimit të qeverisë dhe thellimi i paqëndrueshmërisë së financave publike. Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Malaj hedh akuza ndaj ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj, duke e quajtur “mashtrues”. Ai thotë se shifrat realë të treguesve ekonomikë dhe buxhetorë të buxhetit 2022 janë shumë të ndryshme dhe shqetësuese nga realiteti i sheqerosur mediatik i shumicës. Ndërkohë, ngre pyetjen: “ Pse SPAK dhe opozita shqiptare kanë frikë të kërkojnë një hetim të fokusuar për mashtrimin publik për përfitime personale dhe partiake të disa ministrave aktualë të qeverisë që kanë keqpërdorur paratë publike për të manipuluar opinionin public”?

Në reagimin e tij, Arben Malaj shprehet: “Mesazhi kryesor- Buxheti 2022 – buxheti i mashtrimit të qeverisë dhe thellimi i paqëndrueshmërisë së financave publike”.

Mashtrimi është i keq për çdo individ. Mashtruesit qeveritarë janë një gjë e keqe për shoqërinë dhe një barrë e rëndë jo vetëm për taksa paguesit aktual. Manipulimi dhe fshehja e shifrave të rritjes së borxheve të paregjistruara dhe të papaguara, që fshehin nivelin real të borxhit dhe rrezikun real të paqëndrueshmërisë financiare të vendit janë shpërdorim detyre; janë vepër penale dhe dënohen me ligj. Ky është i pari Ministër i Financave në historinë e financave të shtetit shqiptar që prej vitit 1912, i cili duke abuzuar me interesat individuale dhe/ose “besnikëri partiake” të deputetëve të Rilindjes, nuk miraton buxhetet faktike, sipas shifrave të certifikuara nga KLSH.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, por edhe sipas standardeve moderne të menaxhimit të financave publike në BE, gjykata e llogarive/KLSH është i vetmi institucion kushtetues që ka të drejtën dhe detyrimin për të garantuar shifrat reale të buxheteve faktike.

Kudo deputetët votojnë buxhetet faktike sipas shifrave te certifikuara nga KLSH-Gjykatave të Llogarive – jo sipas shifrave të Ministrisë së Financave.

A nuk ishte ky “mashtrues qeveritar”, që në konferencën e donatorëve për tërmetin gënjeu në mënyrën më të pashpirt familjet e dëmtuara nga tërmeti duke shtuar si donator për tërmetin një bankë nga vendet islame që do të jepte rreth 480 milionë dollarë?

Riinvestimi po financohet nga taksat shqiptare dhe rritja e borxheve të financuara nga eurobondet.

Pas tre vitesh, qeveria ka përthithur vetëm 36% të shumës që  pretendohet se u dha si mbështetje nga donatorët e kësaj konference.

Ja pse është shumë e lehtë të kuptohet që këta nuk ishin “lypsarët më të mirë”, por mashtruesit më të keq – edhe ne rast të fatkeqësive njerëzorë kaq të dhimbshme.

A nuk ishte ky “mashtrues publik” që garantoi se Bechetti nuk do të përfitonte asnjë qindarkë nga gjoba prej 120 milionë dollarësh për një vendim arbitrar dhe arrogant të qeverisë kur ishte ministër i financave dhe duhej të mbronte taksapaguesit nga këto gjoba që rrezikojnë të shkojnë deri në 350 milion euro??

A nuk ishte ky që i gënjeu taksapaguesit shqiptarë se do t’i nxirrte paratë nga dheu për Teatrin e ri të Tiranës??

Sipas buxhetit 2022, këto para po i nxjerr nga të varfërit taksapagues shqiptarë: nga eurobondi që do paguajnë shqiptarët.

Austriakët nuk kishin frikë të hetonin kancelarin e tyre për përvetësim të parave publike në manipulimin e opinionit publik për përfitime elektorale. Parlamenti austriak sapo i hoqi imunitet ish-kancelarit Kurz, i cili derisa akuza të provohet ligjërisht është i pafajshëm. Por hetimi i prodhimit filloi pa pengesë apo vonesë.

“DË  – Tani mund të hetohet kundër politikanit konservator autstriak Sebastian Kurz për korrupsion dhe dëshmi të rremë. 35-vjeçari Kurz votoi edhe vetë për heqjen e imunitetit parlamentar”.

Shifrat realë të treguesve ekonomikë dhe buxhetorë të buxhetit 2022  janë shumë të ndryshme dhe shqetësuese nga realiteti i sheqerosur mediatik i shumicës.

Pse SPAK dhe opozita shqiptare kanë frikë të kërkojnë një hetim të fokusuar për mashtrimin publik për përfitime personale dhe partiake të disa ministrave aktualë të qeverisë që kanë keqpërdorur paratë publike për të manipuluar opinionin publik? Frikë, pa aftësi apo të dyja bashkë??